Inflacioni vijon të jetë i ulët dhe konsumi i dobët

INSTAT

Këpucët e burrave janë më të lira, veshjet e fëmijëve, më të shtrenjta

Indeksi i Çmimeve të Konsumit rezultoi 1.6 për qind në terma vjetorë në prill të këtij viti, duke dëshmuar për vijimin e periudhës me inflacion shumë të ulët, karakteristikë e tkurrjes së konsumit nga ana e popullsisë. Sipas Institutit të Statistikave, çmimet u ulën në prill në krahasim me marsin dhe pësuan rritje prej vetëm 1.6 përqindësh në krahasim me prillin 2011.

Ky ishte muaji i pestë radhazi që inflacioni vjetor qëndron poshtë objektivit minimal të Bankës së Shqipërisë. BSH ka për objektiv inflacionin prej 3 përqindësh ku minimumi është 2 dhe maksimumi 4 për qind. Politika monetare reagon në rast se inflacioni del nga kjo bandë. BSH ka ulur disa herë normën bazë të interesit të lekut me shpresë se interesat më të ulëta për depozita e kredi do t’i shtyjnë shqiptarët të konsumojnë më shumë, por kjo politikë nuk ka ndikuar shumë tek inflacioni. Inflacioni pranë zeros në rastin e Shqipërisë konsiderohet si situatë deflacioniste, e cila, nëse vijon për shumë kohë, shkakton rritje të papunësisë dhe të numrit të bizneseve që falimentojnë. Kjo është për shkak se mallrat kryesore të domosdoshme si ushqime dhe karburant vijnë nga importi dhe çmimi i tyre reflekton çmimet në tregun ndërkombëtar, ndërkohë që mallrat jo të domosdoshëm dhe ato që kanë diferencë të lartë çmimi nga fabrika te shitja me pakicë si veshjet, reflektojnë më shumë kërkesë-ofertën në ekonomi.



Njësoj si gjatë muajve të shkuar, disa mallra që mund të konsiderohen si “luks” ose që nuk shikohen nga konsumatorët si të domosdoshme, kanë shënuar rënie, ndërsa qeveria ka “ndihmuar” qytetarët duke shkaktuar rritje të çmimeve të mallrave të domosdoshme si karburanti. Grupi “Veshje dhe këpucë” shënoi rënie të çmimeve në masën 1.9 për qind ku këpucët për burra shënuan ulje me 4.4 për qind ndërsa këpucët për gra me 2.3 për qind. Vetëm veshjet për fëmijë, një mall emocional ky për konsumatorët, nuk shënuan rënie, por u rritën me 0.4 për qind.

Te grupi i ushqimeve, çmimet janë rritur veçanërisht te bulmeti me 6 për qind dhe kanë rënë te zarzavatet me minus 6.2 për qind. Qeveria ka “ndihmuar” qytetarët me rritjen e çmimit të furnizimit me ujë me 22 për qind, si dhe me rritjen e çmimit të karburanteve. Çmimi i shërbimeve të transportit është rritur me 4.6 për qind në krahasim me një vit më parë, veçanërisht për shkak të shtimit të taksave mbi karburantet me 12 lekë për litër nga qeveria.

Rënia e konsumit në ekonominë shqiptare është bërë një shqetësim i madh pasi sjell rënie të prodhimit dhe të të ardhurave fiskale të qeverisë. Gj. E

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.