A duhet Europa të prodhojë më shumë euro?

Kriza në origjinë

Një debat bazuar mbi teorinë bazë të ekonomiksit po zhvillohet këto ditë mes gazetave dhe analistëve më të rëndësishëm të botës. Një pjesë e analistëve besojnë se deflacioni, që është politika aktuale e Bashkimit Europian, është një politikë e gabuar dhe do ta zhysë kontinentin më shumë në depresion ekonomik, ndërsa pjesa tjetër besojnë se reflacioni, që nënkupton prodhimin e parasë dhe rritjen e çmimeve, do të shkatërrojë besimin e tregjeve tek euro.

Dilema është e fortë: Nëse Europa prodhon euro për të rritur ekonominë, inflacioni do të rritet dhe besimi i investitorëve në këtë kontinent do të ulet. Rritja e parasë në qarkullim njihet si reflacion. Në rast se qeveritë europiane ulin shpenzimet buxhetore, me qëllim që njerëzit të pranojnë ulje pagash dhe këto ulje pagash të sjellin rënie kostosh prodhimi dhe çmimesh, (deflacion) këto ulje do të reduktojnë më tej ekonominë dhe e bëjnë edhe më të vështirë pagesën e borxheve.

Debati është zhvilluar fillimisht mes qarqeve politike të majta dhe atyre konservatore dhe është i vjetër sa e gjithë shkenca e ekonomiksit. Që në kohën para Luftës së Parë Botërore, politikanët dhe ekonomistët besonin se shteti nuk ka çfarë të bëjë në rast krize dhe se duhet ta lërë krizën të kalojë vetë. Por pas traumës së krijuar nga Depresioni i Madh i viteve 1929-1933, politika e “të mos bërit asgjë” mori fund dhe bota krijoi mekanizma për të ndihmuar vendet në krizë, përfshirë krijimin e FMN-së dhe Bankës Botërore në vitin 1945.

Disa javë më parë, të djathtët në Europë si Sarkozy dhe Merkel këmbëngulën në arritjen e një marrëveshjeje që sipas analistëve, solli “kriminalizimin e Kejsianizmit” pra të gurit themeltar të teorisë që thotë se qeveria duhet të prodhojë para në kohë krize. Sarkozy u dënua nga votuesit francezë, ndërkohë që presidenti i zgjedhur Hollande bëri fushatë pikërisht kundër kompaktit fiskal.

“Nëse sa herë që rritja ekonomike është e dobët, qeveritë detyrohen të kryejnë shkurtime shpenzimesh apo rritje taksash, atëherë kjo krijon një spirale për poshtë, që forcon vetveten dhe vret rritjen ekonomike”, shpjegoi sekretari i Thesarit, Timothy F. Geithner, në mars, ndërsa fliste para një komiteti të Kongresit.

Ndonëse politika nuk është shumë e interesuar për teoritë ekonomike dhe bazohet më së shumti në deklarata pompoze, gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” raportoi së fundmi se Kejsianizmi qe politika e parapëlqyer e Uashingtonit dhe ajo çfarë administrata “Obama” i ka sugjeruar Sarkozy-së. Ndërkohë, kolumnisti i NYT Paul Krugman, i cili është gjithashtu çmim “Nobel” në ekonomi, i rekomandoi Gjermanisë të ndihmojë vendet në vështirësi si Greqia e Spanja përmes rritjes së parasë në qarkullim dhe rrjedhimisht, rritjes së inflacionit.

“Po të flasësh me udhëheqësit e Gjermanisë mbi krizën e euros, ata kanë qejf të tregojnë se si ekonomia e tyre ishte në vështirësi gjatë viteve të para të dekadës së shkuar, por ia doli të rimëkëmbet. Ajo çfarë nuk dëshirojnë të pranojnë është se rimëkëmbja e tyre u prodhua nga surplusi i stërmadh tregtar i Gjermanisë, kundrejt vendeve të tjera europiane – në veçanti, kundrejt vendeve që sot janë në krizë – të cilat përjetuan një bum dhe inflacion përtej normales falë interesave të ulëta të euros”, shkruante Krugman.

“Vendet e Europës, që janë në krizë, mund ta imitojnë suksesin e Gjermanisë, në rast se do të përballeshin me një klimë po aq të favorshme – pra që Gjermania dhe pjesa tjetër e Europës të përjetonin një periudhë inflacionare”, shton ai.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.