Thahen kreditë për prona të patundshme

Familjet shlyejnë kreditë e vjetra, klientët e rinj janë të paktë për t’i zëvendësuar

Gjergj Erebara – Sasia e përgjithshme e kredive për prona të patundshme që bankat në Shqipëri kanë dhënë, ra me 7.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011. Portofoli i kredive për shtëpi ra në këtë mënyrë në 76.8 miliardë lekë nga 82.9 miliardë që ishte një vit më parë. Rënia erdhi si pasojë e faktit që kreditë ekzistuese po shlyhen, ndërsa kreditë e reja janë dukshëm më të pakta se sa volumi i ripagesave. Nëpër rrethe vërehet edhe rënia më e madhe, ndërkohë që mbi 64 për qind e kredive për shtëpi janë dhënë në Tiranë.

Tregu në ngërç

Ekspertët e bankave besojnë se shkaqet e rënies së kreditimit për shtëpi nuk lidhen thjesht me krizën ekonomike që po përjeton vendi, por ka edhe elemente strukturore. Çmimet e shtëpive vijojnë të mbeten në Shqipëri tepër të larta për t’u përballuar nga shtresa e mesme, e cila teorikisht është edhe shtresa më me potencial për këtë lloj kredie. Ajo pjesë e shqiptarëve që mundi ta përballonte blerjen e një apartamenti me para në dorë apo përmes kreditimit ka mbaruar punë tashmë, ndërsa ekonomia nuk është rritur mjaftueshëm për të lejuar pjesën tjetër të shqiptarëve të marrin kredi për shtëpi.

Bankat aktualisht kanë burime të konsiderueshme financiare, pasi depozitat janë shtuar ndjeshëm.

Rrezik i shtuar

Kriza aktuale ka vënë në dukje edhe një problem tjetër të rëndë për tregun e pronave të paluajtshme. Pronat e nxjerra në shitje, si pasojë e mosshlyerjes së kredive, kanë rezultuar shumë defektoze. Bankat po mësojnë se në të shkuarën kanë pranuar për kolateral prona që kishin një vlerë teorike, por që janë të pashitshme për arsye të ndryshme. Shumë prona janë nxjerrë në shitje përmes përmbaruesve privatë, por interesimi për blerjen e tyre është shumë i ulët. Për shkak se shumë kolaterale u kanë mbetur bankave në dorë, këto të fundit kanë reaguar duke shtrënguar kushtet e kreditimit të blerjes së pronave të patundshme.

Raporti çmim/të ardhura

Apartamentet më të lira të mundshme që shiten nëpër zonat periferike të Tiranës kushtojnë ende minimalisht 30-40 mijë euro, pavarësisht se çmimet e pallateve të reja janë ftohur ndjeshëm në krahasim me disa vite më parë. Por blerja e apartamenteve me këtë çmim nënkupton këst kredie prej minimalisht 400-500 euro në muaj dhe familjet që dëshirojnë të blejnë shtëpi duhet të kenë të ardhura prej 1 mijë apo 1500 euro në muaj për të përballuar kredinë. Ky është një nivel të ardhurash i mundshëm vetëm për një numër të vogël shqiptarësh.

Ndërtuesit rezistojnë

Me gjithë vështirësitë në rritje, ndërtuesit dhe pronarët e shtëpive nuk kanë mbërritur ende në pikën kur duhet të shesin me çdo kusht. Sipas agjencive të tregtisë së pronave të patundshme, për shkak të normave të larta të fitimit të realizuara më herët, ndërtuesit janë në gjendje të durojnë, me shpresë se gjatë muajve apo viteve të ardhshme situata do të përmirësohet. Për ndërtimet që janë në periferi të Tiranës, çmimet kanë rënë sakaq deri pranë nivelit të kostos dhe jo shumë ndërtues janë në gjendje aq të vështirë financiare sa të shesin nën kosto.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.