Zgjedhjet në Greqi e Francë rrëzojnë euron dhe bursat

Kursi i këmbimit mes euros dhe dollarit të premten dhe sot

Euro u rrëzua mëngjesin e sotëm kundrejt dollarit dhe paundit pasi tregjet panë se si zgjedhjet në Greqi e Francë dhanë rezultate që krijojnë shqetësime për të ardhmen e të gjithë eurozonës. Dy partitë që mbështesin paketën e ndihmave ndërkombëtare të Greqisë humbën maxhorancën e tyre në Greqi ndërsa në Francë, presidenti i ri Francois Hollande ka deklaruar se dëshiron të rishikojë rregullat e eurozonës për menaxhimin e borxhit publik.

Euro ra në 1.295 dollarë, pika më e ulët që nga janari ndërsa shënoi edhe nivelin më të ulët në tre vjet kundrejt paundit. Edhe bursat e eurozonës ranë ndjeshëm, ku bursa gjermane DAX u hap 2.2 për qind më ulët se sa të premten. Parisi ra me 1.7 për qind ndërsa bursa e Londrës është e mbyllur për ditë pushimi.

Rezultatet e zgjedhjeve besohet se kanë vënë në lëvizje një minë me sahat për eurozonën. Tashmë është në diskutim politika themelore e tre viteve të fundit, që kërkonte reduktimin e deficiteve publike, një politikë kjo në thelb e djathtë, ndërsa fituesit e zgjedhjeve anojnë nga politikat majtiste të nxitjes së konsumit.



“Ajo që ndodhi në Greqi është praktikisht një minë me sahat që sakaq është vënë në punë,” komentoi një analist burse. “Frika jonë tani është që e gjithë puna e rëndë e kryer për shpëtimin e Greqisë nga falimenti mund të rrënohet.”

Ndërsa rezultati i zgjedhjeve në Francë qe i parashikueshëm, shqetësimet janë të mëdha mbi faktin nëse Hollande do të jetë në gjendje të punojë aq ngushtësisht me kancelarin gjermane Angela Merkel sa edhe Sarkozy. 7 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.