Shqiptarët, 75% mendojnë se po rritet stresi në punë

Sondazhi

Agjencia Europiane e Shëndetit dhe Sigurisë: 60% e të rinjve nuk dinë pasojat

Kriza dhe largimet e shpeshta nga puna po zhysin gjithnjë e në stres të punësuarit në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, përfshi edhe Shqipërinë. Një sondazh i kryer në datat 24 tetor-7 nëntor 2011, i drejtuar nga Ipsos MORI në emër të Agjencisë Europiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (EU-OSHA), llogariti opinionet e mbi 35,000 anëtarëve të publikut të gjerë në 36 shtete europiane mbi çështjet e lidhura me vendet e punës, duke përfshirë edhe stresin që lidhet me punën, si dhe rëndësinë e shëndetit dhe sigurisë.

Gjysma e shqiptarëve kanë bindjen se shqetësimet e tyre do të gjejnë zgjidhje nga eprorët e tyre



Norvegjezët paraqiten si kombi më pak i shqetësuar, me 16% që mendojnë se stresi do të rritet shumë

Në anketimin Pan-Europian për mendimet mbi sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës u përfshi dhe Shqipëria, ku u anketuan 1306 persona. Gjetjet tregojnë se, 75% e të anketuarve aktivë mendojnë se numri i njerëzve që vuajnë nga stresi në vendin e punës do të rritet, nga të cilët 44% presin që ky numër të rritet “shumë”. Ky vlerësim i rrezikut të rritjes së stresit në vendin e punës është një indikator për marrjen e masave për mbrojtjen kolektive dhe individuale për ta minimizuar atë në vlerat e pranueshme të standardeve ndërkombëtare, shprehen ekspertët e agjencisë. Rreth pyetjes se sa janë të informuar për rreziqet, shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës, 51% janë përgjigjur se janë të informuar. Problemi qëndron te të rinjtë, 18-34 vjeç, ku gati 60% nuk janë të informuar mbi pasojat e sigurisë dhe shëndetit në punë. Duke u nisur nga fakti se shumë qeveri europiane po shqyrtojnë mundësinë ose tashmë kanë vendosur për rritjen e kufirit të moshës për daljen në pension sepse sot njerëzit jetojnë më gjatë, është drejtuar pyetja: Si mendoni, a ndikojnë masat e mara për sigurinë e shëndetin në punë në rritjen e moshës së pensionit? 70% e të anketuarve mendojnë se masat e marra për sigurinë e shëndetin në punë, janë të rëndësishme në rritjen e moshës së pensionit. Nga ky sondazh rezultoi se gjysma e shqiptarëve (51%) janë të bindur se shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë do të gjenin zgjidhje nga eproret e tyre. Shqiptarët bien dakord se është e nevojshme marrja e masave të duhura për sa i përket shëndetit dhe sigurisë në vendin e punës për të pasur rritje të konkurrencës ekonomike të vendit. 90% e të intervistuarve pajtohen me këtë.

Tetë të dhjetat e popullsisë aktive për punë nëpër të gjithë Europën mendojnë se numri i njerëzve që vuajnë nga stresi në vendin e punës do të rritet (80%), nga të cilët 52% presin që ky numër të rritet “shumë”. Sondazhi zbuloi se 79% e menaxherëve mendojnë se stresi është pjesë e kompanive të tyre, gjë që në shumë kompani e bën stresin në vendin e punës po aq të rëndësishëm sa aksidentet në vendet e punës.

“Kriza financiare dhe bota e punës gjithmonë në ndryshim po i shton kërkesat mbi njerëzit e punësuar. Kështu, nuk është çudi se stresi në vendin e punës është gjithmonë në plan të parë në mendjet e njerëzve”, thotë Dr. Christa Sedlatschek, drejtoreshë e kompanisë së sondazheve EU-OSHA. Megjithatë ka edhe variacione nëpër shtete të ndryshme për sa i përket stresit në vendin e punës. Norvegjezët paraqiten si kombi më pak i shqetësuar me 16% të njerëzve që mendojnë se stresi do të rritet shumë. Ndërsa grekët paraqiten si më të shqetësuarit rreth rritjes së stresit, me 83% të përgjigjeve “rritet shumë”.

A.K

 

Ndërmarrjet

Kompanitë me numër punonjësish nga 50 deri në 250 paraqesin nivelin më të lartë të stresit, me mbi 81 për qind

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.