Miço: Të papunë, mos prisni nga shteti

Shërbimi Kombëtar i Punësimit: Të rinjtë preferojnë “Facebook”, se sa të kërkojnë punë

Thoma Mico

ARD KOLA – Strukturat kompetente të shtetit që mbulojnë politikën e punësimit ngrenë duart lart dhe pranojnë se, e kanë të pamundur të sistemojnë ushtrinë e madhe të të papunëve. Strategjitë e hartuara në vitet e fundit kanë qenë të shumta, por pak është bërë për zbatimin e tyre, për rrjedhojë, besimi i të papunëve te shteti vijon të ulet. Këtë fakt e pranon dhe vetë drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punës, Thoma Miço, i cili në pak raste, del hapur me disa qëndrime.

“Duhet ta pranojmë se jemi bërë pak të besueshëm sa i takon nxitjes së punësimit, në raport me agjencitë e tjera, private, që janë dhe konkurrentët tanë. Nevojitet më shumë partneritet dhe do bëjmë të pamundurën të thithim fonde nga BE për të hartuar projekte të reja”, deklaroi para disa ditësh, Miço, në Panairin e Punës, zhvilluar në Tiranë. Aktualisht në vend operojnë rreth 14 agjenci punësimi, rrjete të pavarura organizatash, të cilat kanë fituar terren, në raport me zyrat e punësimit të shtetit.

Në debatin mbi fenomenin negativ të shoqërisë, Miço lëshon një tjetër deklaratë. “Ne do bëjmë të pamundurën për t’i ofruar të papunëve mundësi punësimi, por nga ana tjetër, dua të jap një mesazh: mos prisni vetëm nga shteti. Qeveria harton politika dhe ngre rrjete, por jo detyrimisht duhet të gjejë punë. Motoja jonë e ardhshme do të jetë ‘bëhu përgjegjës për veten’”, nënvizon më tej kreu i Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Miço nuk harron të shigjetojë edhe kritikat e opozitës, se “gjoja janë 1 milion të papunë”, madje ironizoi edhe me qëndrimet e ekspertëve të PS-së. “Kosta Barjaba, sot thotë që nuk ia vlen të shkosh te zyrat e punësimit, por ju garantoj se nëse vjen në qeveri, do të thotë të kundërtën. Pra, dua të them se deklaratat politike nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve”, shton më tej Miço.



Padyshim, debati mbi punësimin prek më së shumti brezin e ri, të sapodiplomuarit, të cilët janë kthyer në problem, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për shtete të forta të BE-së, sidomos pas krizës ekonomike.

Edhe për të rinjtë, Miço mban qëndrime të forta, deri-diku të sinqerta. “Konstatohet se të rinjtë tanë preferojnë të qëndrojnë me orë të tëra para rrjeteve sociale, se sa të kërkojnë punë përmes sistemeve online. Tjetër fenomen, jo vetëm tek të rinjtë, është preferenca. Në jo pak raste refuzojnë të marrin atë punë që u gjen shteti përmes zyrave tona, të lidhura me privatin. Pra, kanë pretendime”, deklaron Miço.

Ndonëse përfundojnë studimet dhe pajisen me diplomat përkatëse, të rinjtë shqiptarë e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Sipas statistikave të INSTAT-it dhe Organizatës Botërore të Punës, ILO, niveli i papunësisë te të rinjtë përllogaritet në 27.2 për qind dhe se për një të ri shanset për të gjetur një punë janë 2.5 herë më të vogla se për një të rritur. Në disa vende të BE-së, shifrat e papunësisë te të rinjtë janë edhe më të mëdha.

Sipas ministrit të Punës, Spiro Ksera, nga ku varet edhe Shërbimi Kombëtar i Punës, situata në vend është përmirësuar.

“Shqipëria është nga të paktat shtete të rajonit që ka një ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit. Po t’i referohemi shifrave, nivelin e papunësisë e kemi zvogëluar në masën 13.26 për qind dhe synojmë që në fund të këtij viti kjo të minimizohet në masën 13 për qind”, thotë Ksera. Në rang vendi, janë të regjistruar rreth 145 mijë të papunë, por kjo shifër shikohet me dyshim nga shumë ekspertë të fushës.

 

Strategjia

Kthimi i zyrave të punësimit online lë gjysmën e punonjësve të papunë

Qeveria mendon të ndryshojë strategji dhe të jetë sa më afër me personat që janë të papunë dhe që kërkojnë të punësohen. Thoma Miço zbulon një pjesë të projektit. Sipas tij, brenda muajit shtator do të ngrihet një rrjet me të dhëna, ku çdokush mund të klikojë për të parë vendin që i intereson. “Shërbimi që ne mendojmë të ofrojmë do të jetë tërësisht online. Madje në të ardhmen, edhe aplikimi për punë do të jetë online, për të lehtësuar kostot”, tregon Miço.

Në këto kushte, zyrat e punësimit në rang vendi do të përballen me reduktim të punonjësve, pasi teknologjia, siç tregon dhe vetë Miço, bën punën e saj. “Aktualisht janë rreth 350 punonjës dhe me keqardhje them se të paktën gjysma e stafit do të shkurtohet. Është e natyrshme që nuk do të ketë punë për të gjithë kur sistemin ta kthejmë online”, iu drejtua Miço punonjësve të tij, të pranishëm në konferencën për Panairin e Punësimit. Kjo deklaratë kaloi me një nënqeshje të ngrirë nga ana e stafit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

2 Comments
  1. Andi says

    Kam kerkuar dhe kerkoj nepermjet gazetes celesi punonjes per veprimtarite tregetare qe kam por u bene rreth dy muaj qe paraqiten shm pak  te interesuar dhe tani kam kerkuar te punesoj te huaj sepse shqipetaret nuk kane nevoje per pune dhe genjejne ata qe thone se nuk ka pune ne shqiperi .
    Sot rreth ores 14.00 u paraqit nje djalosh dhe e pranova menjehere ,me pas me tel duke me thene qe nuk mund te largohej nga puna tjeter sepse kishte lidhur kontrate . E pyeta pse me genjeu duke me then qe nuk eshte ne marrdhenie pune , ma mbylli tel . 
    Studentet ne te gjithe boten punojn partime ndersa ne tirane as” nuk behet fjale te trokase ndonje syresh per pune ,ne cdo bar ose restorant ka nevoje per punonjes por nuk ka njerez qe kane nevoje per pune …

  2. per popullin says

    eshte e vertete, nje sipermarres privat ka publikuar nje interviste te gazeta e dates 7 maj, ku shpreh shqetesimet e njejta, si ne rastin tuaj

Comments are closed.