Ka shumë shanse Të rinjtë “presin” që puna t’u vijë e gatshme, pastaj bëhen pesimistë

Intervista

Agron Shehaj, administrator

Z. Shehaj, prej vitesh në treg keni rekrutuar një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe keni krijuar një ide rreth nivelit të punësimit në vend, mentalitetit të të rinjve, etj. Çfarë veçorish mund të paraqisni?

Ajo që unë vë re është se mentaliteti i një pjese të të rinjve është shumë pesimist. Kanë idenë që asgjë nuk bëhet dhe nuk kanë shpresa për të ardhmen. Eksperienca ime është që në 2005 ishim një kompani prej 20 punonjësish e tani kemi 1500 të rinj të punësuar. Pra shembulli flet vetë. Nuk them që gjithçka është fushë me lule, por nuk është e vërtetë se s’ka mundësi. Ne jemi një rast konkret ku secili prej atyre që kanë uri për sukses e dëshirë për t’u realizuar mund t’ia arrijë.



Qeveria ankohet (ose justifikohet) se për të papunët ofrohen vende të lira, por thotë se kanë pretendime. Nisur nga përvoja, a ndani të njëjtin mendim?

Unë në përgjithësi me qeveritë nuk jam dakord. Në rastin konkret jam dakord që ka mundësi punësimi, por shoh që të rinjtë ndonjëherë kanë shumë pretendime. Në rastin tonë, ne punësojmë dhjetëra e qindra operatorë, supervizorë, drejtorë, teknikë, punonjës administrate, etj. Të gjithë drejtuesit, dhe flas për qindra, e kanë filluar nga hiçi dhe me punë e rezultate kanë arritur aty ku janë sot, edhe pse janë shumë të rinj në moshë. Aktualisht ne kemi nisur një fushatë rekrutimi në Tiranë, por nuk kemi pasur një numër të jashtëzakonshëm aplikimesh.

Mendo që, duke qenë se jemi në rritje, pozicionet për të cilët ne vuajmë më shumë sot janë ato drejtuese, por nuk mund të punësojmë menaxherë që nuk kanë qenë ndonjëherë operatorë dhe që nuk e kanë fare idenë e punës sonë. Kjo nuk ndodh vetëm në sektorin tonë, por edhe në bankë, po të kërkosh punë edhe nëse ke mbaruar me 10, do fillosh arkëtar. Nëse jep rezultate, do bësh karrierë. Shoh shumë të rinj që presin t’ju vijë diçka gati dhe lënë t’ju ikin shumë mundësi. Unë në përgjithësi nuk jam dakord me ata që rrinë e presin nga qeveritë.

Duhet pranuar fakti se manovra me “rekomandime”, tashmë dhe në privat, po prish cilësinë e burimeve njerëzore…

Rekomandimi, në kuptimin e fitimit dhe të mbajtjes së një pozicioni pune me mik, mund të konsiderohet si një virus shumë i rrezikshëm për shëndetin e cilësdo kompanie që vepron në një treg të lirë. Unë nuk mund të flas në përgjithësi, por për rastin e kompanisë që drejtoj, nuk bëhet fjalë fare për rekomandime. Në 7 vjetët e eksperiencës sime si administrator, kam parë që asnjë nga të rekomanduarit nuk ka dhënë rezultate të mira. Tek ne punësimi është totalisht transparent. Ata që kalojnë testin, intervistën, si dhe një proces trajnimi punësohen dhe kalojnë në një periudhë prove tremujore. Mjafton të dinë gjuhë të huaj.

A.K

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.