Tatimet të formatohen sipas stadit ekonomik

Analizë

Eduart Gjokutaj – Administratat tatimore qartësojnë politikën fiskale. Në të vërtetë, administratat tatimore dhe çështja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve sipas ligjit janë përcaktuese në pastrimin e politikave të paqarta dhe orientojnë sistemin tatimor drejt evolucionit të tij. Historia europiane e sistemeve tatimore në shekullin e fundit është një model i qartë i transformimit të tyre nga modeli i aplikimit të taksave doganore dhe tatimit mbi pronën drejt orientimit ndaj të ardhurave korporative dhe taksimit individual progresiv. Ky orientim i sistemit drejt reflektimit të modeleve ekonomike sipas stadeve evolutive është e argumentuar me zbehjen e peshës së sektorit bujqësor në ekonomi, përqendrimin e fuqisë punëtore në bizneset e shërbimit dhe tregtisë, apo në shoqëritë e mëdha, por, edhe te rritja e kulturës fiskale të individëve dekadë pas dekade.

Ndërkohë, sistemet tatimore moderne në vitet e fundit, në rrugën drejt përmirësimit të marrëdhënieve me tatimpaguesit dhe në shërbim të politikës ekonomike të qeverisjes kanë avancuar më tej në politikat fiskale në vendet e tyre. Politika në këto vende ka evoluar drejt një modeli të ri taksimi; nga tatimi mbi të ardhurat korporative dhe tatimi progresiv mbi të ardhurat individuale drejt një sistemi tatimor, i cili mbështetet më shumë te tatimet mbi konsumin me një bazë të gjerë tatimpaguesish (TVSH me disa shkallë tatimore më të ulëta), i harmonizuar me shkallë tatimore progresive mbi vlerën e punës të përshtatura me tatimin në shkallë tatimore të sheshtë mbi vlerën e kapitalit. Kjo politikë ka logjikë. Nga njëra anë, modeli përshtatet në raport me përfshirjen e ekonomisë vendase në ekonominë globale dhe zhvillimet e tregjeve financiare dhe nga ana tjetër merr në konsideratë pamundësinë e administratorëve tatimorë të zhvillohen në të njëjtin nivel me këto zhvillime.



Ndryshimet që kanë ndodhur në administrimin tatimor kanë qenë një reflektim ndaj ndryshimeve shoqërore, burimeve natyrore dhe teknologjisë në këto vende. Administrimi tatimor, sipas instrumentit të pajtueshmërisë, ndodhi njësoj si ndodh evolucioni i natyrës. Ai u origjinua nga cilësitë më të mira të mbartura prej sistemit tatimor pa dëmtuar ambientin.

Nuk ka vend për dyshime lidhur me momente që ka administrata tatimore në dështime gjatë këtij procesi mbi ligje apo tatime të caktuara nëpërmjet praktikës së administrimit. P.sh. në tatimin mbi të ardhurat nga dhënia me qira e ambienteve dhe terreneve, ose në tatimin mbi të ardhurat nga qarkullimi i kapitaleve. Por, dështimi i praktikave të administrimit nuk mund të jetë justifikim për politikën fiskale. Me vend do të ishte që të përgatitej një përgjigje e sofistikuar e politikave fiskale ndaj problemeve që lidhen me elementët pse dështojnë këto praktika.

Pse? Sepse nuk është e lehtë të mbledhësh tatimet nga kategori tatimpaguesish që kanë një historik me probleme mospajtueshmërie me ligjin. Nuk ka qenë asnjëherë e lehtë të mbledhësh tatimet nga gjithë ata që të ardhurat i realizojnë nëpërmjet qarkullimit të cash-it. Por, akoma më e vështirë është të mblidhen tatimet nga individët që i kanë krijuar të ardhurat e tyre nga veprimtari antiligjore dhe kriminale, të cilat i zotërojnë në pronësi të tyre, apo i kanë investuar në kundërshtim me ligjet nëpër aktivitete të ligjshme. Por, nëse këto forma tradicionale të evazionit tatimor nuk janë luftuar dhe minimizuar në kohën e duhur, atëherë gjasat për të mos mbledhur tatime nga këto kategori rriten në përmasa të mëdha nëse merret parasysh efekti që vjen nga kombinimi i përdorimit të teknologjisë informatike me transaksionet në ekonominë globale. Në kohën që jetojmë, individi nuk është i lidhur si më parë me juridiksionin kombëtar, p.sh. në kohën e sotme, ai përfiton të ardhura edhe nga investime dhe transkasione kapitalesh jashtë vendit. Çdokush tashmë mund të ketë akses në banka jashtë vendit duke mos u nevojitur prania fizike e tij dhe mund të kryejë një transaksion nëpërmjet kompjuterit. Të ardhurat nga pronësia intelektuale, industriale dhe artistike janë në ekspansion dhe të vështira për t’u lokalizuar sipas juridiksioneve që duhet t’u përkasin. Secili nga këto zhvillime, por edhe shumë të tjera duhet t’i japin “alarmin” qeverisë në ushtrimin e pushtetit ekskluziv që ka për të tatuar të ardhurat e individëve dhe kompanive, sipas parimit të barazisë për t’u tatuar të gjithë për atë që kanë detyrim. Reformat administrative të ndërmarra deri më sot kanë arritur të përmbushin thjesht arritjen e stabilitetit makroekonomik. Vendosja në vijën e parë të “frontit” të administratorëve tatimorë nuk mund të konsiderohet si strategjia që të çon drejt fitores. Edhe pa këtë, administrata tatimore përballet me një numër të madh sfidash.

Si të përmblidhet administrimi?

Nuk ka një zgjidhje të shpejtë apo formulë “magjike” për të rritur ndërgjegjësimin fiskal në funksion të përmbushjes vullnetare të detyrimeve për tatimet e shtetit. Rruga drejt zgjidhjes fillon me hartimin e një strategjie afatgjatë, të koordinuar me zhvillimet ekonomike dhe sociale. Ndërsa, zbatimi i strategjisë të përmbushjes vullnetare sa më efektivisht është mjeti për të arritur te zgjidhja. Gërshetimi i të dyjave bëjnë të tërën dhe kompletojnë administrimin në praktikë. Por, kujdes! Në kushtet e një ekonomie që ecën me ritme të shpejta nevojitet që të formatohet një administratë tatimore, e cila mund t’u përgjigjet kërkesave të ekonomisë së tregut në rritje të vazhdueshme, që do të thotë një “ushtrie” tatimpaguesish në rritje. Ky stad aktual kërkon një administratë tatimore të pavarur, me integritet të legjitimuar dhe të pacenueshëm. Neglizhimi pa arsye nga qeveritë ka dhënë efekte negative, që kanë cenuar ligjshmërinë e administratës në ushtrimin e misionit të saj.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.