Shteti humb miliarda nga tatim-fitimi

Parapagimi një herë në 3 muaj, ekspertët në dilemë, biznesi totalisht kundër

ARD KOLA – Drafti i fundit mbi ndryshimin e skemës së parapagimit të tatim-fitimit, ka ndezur sërish debatin mes qeverisë dhe biznesit. Në diskutime janë përfshirë edhe ekspertët e fushës fiskale, të cilët shprehin dilemat e tyre mbi politikën e re, ndërsa nuk ngurrojnë të japin propozime për të tjera çështje që shqetësojnë sipërmarrjen private.

Jaka: Do të lobojmë kundër propozimeve. Jemi totalisht kundër. Prisnim lehtësi, jo kosto shtesë

Nikolin Jaka

Sakaq, bilanci i taksës prej 10 për qind e tatimit mbi fitimin rezulton me humbje për arkën e shtetit, duke e mbyllur vitin me minus. 1.4 miliardë lekë, ose 13.5 milionë dollarë më pak. Deri diku, të dhënat tregohen pozitive, pasi në krahasim me 2010, del me rritje 12 për qind, por Ministria e Financave zbardh sekretin e suksesit, duke ia faturuar ndryshimin pozitiv ndërmarrjeve shtetërore që kanë derdhur më shumë taksa, ndërsa privati është paraqitur më dobët. Sipas Financave, ndërmarrjet shtetërore, kanë derdhur 1.1 miliardë lekë më shumë, ose me rritje rekord 101 për qind. Nëse të ardhurat nga tatimi ishin rritur me 12 për qind, në raport me 2010-n, duke i ndarë mes shtetit dhe privatit, rezulton se ky i fundit ka rritje vetëm me 5.6 për qind, pasi zë në totalin e të ardhurave nga kjo taksë afro 88 për qind.



Në krahasim me planin e rishikuar (me ulje në korrik 2011), të ardhurat nga tatimi mbi fitimin dalin me rënie në masën 6.7 për qind. Nga tabela me të dhëna, rezulton se sektori i ndërtimit del me humbje kolosale, ndërsa me shqetësim paraqitet situata me bizneset që paguajnë taksën, të cilat kanë mbyllur aktivitetin, ose kanë ndryshuar status. Përveç sektorit të shërbimeve, pothuajse të gjitha llojet e aktiviteteve rezultojnë me numër më të vogël biznesesh. Në total u mblodhën 19.7 miliardë lekë, ose 185 milionë dollarë, por nisur nga taksat e ulëta dhe plani për zgjerimin e taksapaguesve, kjo politikë e qeverisë duket se nuk po funksionon.

Sakaq, gazeta “Shqip” mori mendime të disa aktorëve në fushën e taksave, të cilët janë njohur me draftin e ri dhe shprehin mendime të ndryshme. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, shprehet në mënyrë kategorike se është kundër parapagimit të taksës një herë në tre muaj, pasi e rëndon shumë biznesin. “Ne presim nga Ministria e Financave, lehtësi dhe rëndesë të barrës fiskale, pasi me atë çfarë propozohet shkelet parimi i raporteve të drejta”, thotë Jaka, duke shtuar se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë do të lobojë fort për ta rishikuar propozimin e Financave.

Në grupin e ekspertëve, Agim Binaj, ekspert kontabël dhe njohës i fushës fiskale, thotë se, ndryshimi i fundit nuk sjell asgjë të re për biznesin, pra nuk e lehtëson atë, sikundër pretendon ministria. “Ka plot probleme të tjera, siç është p.sh, parapagimi i TVSH për mallrat e eksportit, pavarësisht nëse janë shitur apo jo”, thotë ai.

Xhavit Curri, ish-drejtor i tatimeve, aktualisht konsulent fiskal, thotë se ndryshimet nuk duhen parë me sy kritik. “Aktualisht biznesi derdh çdo muaj në tatime taksën, si lloj parapagimi, kurse me çfarë propozohet, do të shkojë një herë në tre muaj, pra ul kostot e deklarimit. Personalisht nuk shoh gjë të keqe”, tregon Curri.

Nga ana e saj, ministria gjykon se, marrja nga ana e Tatimeve e këtyre pagesave paraprake rezulton në faktin, që tatimpaguesve u mohohet mundësia e përdorimit të fondeve që mund të kenë rëndësi të madhe për mbijetesën e veprimtarisë së tyre tregtare dhe që administratës tatimore do t’i duhet gjithsesi t’i rimbursojë në të ardhmen.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.