Aksionet, Tatimet: Pas ndërtimit, radhën e ka turizmi

Administrata, gati investigimin e radhës. Sezoni e gjen Durrësin të ndotur

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Administrata tatimore e ka marrë seriozisht. Pas investigimeve të kryera në sektorin e ndërtimit dhe atë të transportit, radhën do ta ketë turizmi, i cili në çdo sezon vere kthehet në qendër të vëmendjes. Vitin e kaluar, tatimet ndërmorën disa aksione, nga veriu deri në jug, me fokus verifikimin e subjekteve të pajisura me kasa fiskale dhe ushtrim aktiviteti pa licencë. Gjobat e vendosura ishin të shumta. Burime nga tatimet bëjnë të ditur se do të inspektojnë aktivitete të ndryshme në sektorin e turizmit, sidomos ato subjekte që deklarojnë me humbje.

Sikurse ndodhi me ndërtimet në Tiranë, shumë objekte rezultuan me shkelje të ligjit dhe ecuri punimesh që nuk përputheshin me deklarimet e paraqitura në tatime. Aksion i thellë u ndërmor edhe te transporti rrugor, ku shkeljet e zbuluara ishin më të mëdha, pasi pothuajse i gjithë sektori lundron në informalitet.

“Nuk është puna të frikësojmë bizneset, por t’i ndërgjegjësojmë se zbatimi i ligjit dhe pagesa e taksave është një detyrim i pashmangshëm”, sqaron administrata tatimore.



Sakaq, sezoni i ri turistik nuk po e gjen Durrësin në kushte të duhura për pushuesit. Grupe të ndryshme interesi kanë analizuar situatën për rajonin bregdetar më të madh në vend, nga ku kanë konstatuar problemin e ndotjes dhe zhurmave të forta. Turi turistik “Welcome to Albania”,(“Mirë se vini në Shqipëri”), është promovuar këtë fundjavë në Durrës nga lëvizja “Shqipëria e re”, duke u ndalur në pikat e dobëta dhe ato të forta për një zhvillim progresiv. Gjatë një takimi me sipërmarrës, specialistë dhe prefektin e Qarkut Durrës, ambientalisti Sazan Guri renditi si mjaft problematike dhe që cenojnë drejtpërdrejt cilësinë e turizmit dhe kërkojnë ndërhyrje në derdhjen e ujërave të zeza në det, ndotjen akustike në sezon, si dhe betonizimin duke propozuar mbjelljen e pemëve shumë të larta para godinave shumëkatëshe. Gjatë takimit janë bërë dhe propozime konkrete në funksion të ofrimit të një pakete turistike gjithëvjetore për Qarkun e Durrësit. Durrësi dhe Kruja mbeten vendet më të vizituara dhe frekuentuara nga turistët e huaj dhe vendas në Shqipëri. Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Durrësit propozoi kalimin e Plazhit të Durrësit në një zonë fiskale më vete, në mënyrë që taksat dhe tarifat e vjela nga subjektet që operojnë në të, të kthehen në të mira publike për zonën. Ndërkaq, kreu i Unionit të Sipërmarrësve Shqiptarë tha se organizimi i sa më shumë tregjeve turistike në kohën e sezonit është një element mjaft tërheqës për vizitorët, ashtu, si dhe bujtinat apo hanet në zonat kodrinore të qarkut, përfshirë këtu dhe Malësinë e Krujës.

v.q

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.