Punonjësit vjedhin kompanitë, te CEZ marrin lekët, tek OST linjat

Situata

Çekët ankohen për arratisje arkëtarësh. Arrestohen 4 punonjës të transmetimit

Sikur të mos mjaftonin problemet e shumta që kanë CEZ për arkëtimet, dhe OST me linjat e transmetimit, tashmë po përballen me të tjera fenomene negative.

Shumë “taksidarë”, pasi mbledhin lekët nuk i dorëzojnë te CEZ, por largohen në “drejtim të paditur”



Për të rritur sa më shumë të ardhurat dhe për t’i qëndruar më pranë konsumatorit, kryesisht në zonat rurale, CEZ lidh marrëveshje me arkëtarë të posaçëm, banorë të zonës, që të mbledhin lekët derë më derë. Deri diku kjo skemë ka funksionuar, por në disa raste ka rezultuar e dëmshme për kompaninë, pasi shumë “taksidarë”, pasi mbledhin lekët nuk i dorëzojnë te CEZ, por largohen në “drejtim të paditur”.

Situata komplikohet edhe më shumë, pasi individët që kanë paguar paratë dhe firmosin në librezën e dritave për shlyerjen e detyrimit, përballen sërish me vërtetimin e pagesës së faturës. Shumë persona ankohen se u priten dritat me motivin se nuk i kanë paguar faturat, por në fakt ndodh e kundërta. Personit që ia kanë dorëzuar paratë, i cili përfaqësonte CEZ-in, nuk i gjenden shenjat gjëkundi. Për CEZ situata të tilla e komplikojnë akoma e më tej procesin.

Edhe OST gjendet në telashe kur i dëmtojnë linjat me lëndë plasëse apo me mjete të tjera, për qëllime përfitimi për skrap. Ky fenomen bëhet më i rëndë kur konstaton se veprime të tilla i kryejnë edhe vetë punonjësit, ashtu si te CEZ.

Rasti më flagrant u regjistrua dy ditë më parë, kur u konstatua vjedhja e një sasie të konsiderueshme përcjellësi të linjës 110 kv Kashar-Selitë në zonën Fusha e Zaicit.

Pas njoftimit në polici, strukturat e hetimit mbërritën në vendngjarje dhe morën në pyetje punonjësit. Në kuadër të hetimeve u shoqëruan në polici 4 punonjës, si autorë të vjedhjes së përcjellësit të linjës 110 kv. OST deklaroi se ndaj 4 punonjësve që kanë kryer veprën, ka marrë masën administrative të pezullimit nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ngjarjet e tilla, jo vetëm që dëmtojnë kompanitë, por lënë pa drita konsumatorët. Mania e vjedhjes së linjave, si për CEZ, ashtu dhe për OST, për qëllime të shitjes për skrap është shtuar shumë kohët e fundit. CEZ thotë se në dy vjet është arritur të vidhet gati 10 km kabllo.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.