Ngrin linja 400 kv me Kosovën

As gjermanët e KfW dhe as qeveria nuk marrin përsipër zgjidhjen

ARD KOLA – Linjat e tensionit të lartë që duhet të ndërtoheshin mes Shqipërisë dhe Kosovës, me kapacitet 400 kilovolt dhe vlerë investimi 75 milionë euro kanë mbetur peng i “procedurave”. Askush nga palët, si banka gjermane KfW, financuesja e projektit, ashtu dhe pala shqiptare nuk marrin përsipër të japin sqarime, por ia kalojnë topin njëra-tjetrës. Prej disa ditësh, gazeta “Shqip” ka tentuar të marrë sqarime nga palët dhe përgjigjet kanë qenë “heshtje”, “ngritje supesh” dhe pastaj “drejtim gishti”.

Ambasada nuk është në gjendje të kthejë përgjigje specifike, por mjaftohet me refrenin që “është në proces”



Burime pranë bankës KfW insistojnë se zgjidhjen duhet ta gjejë pala shqiptare, konkretisht OST-ja, operatori që mban përgjegjësi për projektin. “Ne japim paratë dhe vendosim disa standarde, por nuk kemi asnjë përgjegjësi për caktimin e fituesit. Atë e vendos vetëm OST-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, e cila është garantuesja e kredisë prej 42 milionë eurosh”, sqarojnë burime jozyrtare të bankës. Edhe vetë ambasada gjermane nuk është në gjendje të kthejë përgjigje specifike, por mjaftohet vetëm me refrenin që “tenderi është në proces”.

Të marrësh përgjigje nga OST-ja, është mision tejet i vështirë, por diçka sqaron Ministria e Financave, e cila thotë se, pretendimet e palës shqiptare i janë bërë të ditur bankës KfW dhe tashmë pret nga ata zgjidhjen e problemit. Edhe vetë ministri i Financave, kur foli para disa ditësh, sqaroi pozicionin e palës shqiptare në këtë histori.

“Po bëhen përpjekje për të shpallur fituese një kompani që kishte një kosto rreth 33% më të lartë nga kompania tjetër rivale. Sigurisht në përpjekje për të mbrojtur interesin publik, i jam adresuar KfW-së që të marrë në konsideratë ligjin shqiptar, që kostoja më e ulët duhet të ketë preferencë kur diferenca është kaq e madhe. Pas kësaj kam pasur disa takime me OST-në dhe me bankën gjermane për të parë rishikimin e fituesit, duke qenë se ende nuk ishin deklaruar dhe ende nuk kemi marrë një përgjigje”, thotë ministri. Pra, qeveria pret përgjigje nga KfW-ja.

Banka, nga ana e saj, insiston se nuk mund të vendosë për fatin e një projekti, pasi nuk e ka tagrin, por nuk jep sqarime se në çfarë niveli ndodhet tenderi.

Ky pingpong me një projekt, i cili do të paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pa kalon në kanale aspak transparente.

Debati mbi financimin e linjës nisi kur OST-ja vendosi të anulonte shpalljen fitues të një kompanie kroate, pasi kishte ofruar 9 milionë euro më shumë se vendi i tyre, që ishin boshnjakët. Sipas KfW-së, kroatët kishin dalë fitues për çështje teknike, pra garantonin projektin, në varësi të kushteve të vendosura paraprakisht në tender, por pala shqiptare shikon me përparësi ofertën financiare më të ulët.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.