Anëtarët e bordeve, Kryeministria sqaron kufizimin

Një ditë më parë, në gazetën “Shqip” u publikua vendimi i Kryeministrit Sali Berisha për kufizimin e numrit të anëtarëve në bordet drejtuese dhe këshillat mbikëqyrës te ndërmarrjet shtetërore. Deri më sot, shumë zyrtarë ishin anëtarë në disa borde njëherësh, duke përfituar të ardhura të konsiderueshme, ndërsa rezultatet në punë nuk ishin në nivelin e duhur. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë, shumë zyrtarë, në rang zv/ministrash, sekretarë dhe këshilltarë ministrash, e madje shefa sektori, kanë siguruar të ardhura të bollshme, në raport me hierarkinë e pagave në vend, madje ia kalonin edhe rrogës së Kryeministrit dhe të Presidentit.

Në vijim të debatit, “Shqip” ka siguruar një dokument të firmosur nga Kryeministri, ku sqarohen arsyet e vendimit që nuk lejon të jesh anëtarë në më shumë se dy borde. Në motivet e përcjella nuk përmendet argumenti i faturës së lartë financiare, por më tepër eficensë në punë.

“Ky ndalim ka për qëllim ruajtjen e një raporti të drejtë e hierarkik të pagës, parandalimin e abuzimit me kohën normale të punës (pasi pjesëmarrja në më shumë se dy borde a komisione mund të sjellë pengesa në ushtrimin e detyrës), si dhe rritjen e eficensës dhe efektivitetit në punë”, thotë zyrtarisht Kryeministria.



Tashmë zyrtarisht pranohet se është vendosur një kufizim për funksionarët politikë, nëpunësit civilë dhe punonjësit e administratës shtetërore, duke u ndaluar pjesëmarrjen me të drejtë pagese, në më shumë se dy borde apo komisione të ndryshme, ashtu sikurse është parashikuar në vendimin bazë ndalimi për pjesëmarrjen në këshillat mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore.

Përveç rezultateve të dobëta dhe faturës së lartë financiare, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një sërë shkeljesh të rënda tek anëtarët e bordeve drejtuese. Vëzhgimet në disa ndërmarrje, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, atë të Transporteve dhe të Ministrisë së Financave, nxorën rezultatin se shumë anëtarë nuk kishin lidhje me pozicionin dhe thjesht bënin detyrën, vetëm për qëllime përfitimi.

Abuzimet

“Qëllimi është ruajtja e raportit të drejtë dhe hierarkik të pagës dhe parandalimi i abuzimit me kohën normale të punës”

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.