234 firma Evazion fiskal te transporti dhe ndërtimi

Tatimpagues me aktivitet në fushën e ndërtimit, nënkontraktor në këtë fushë, shoqëri transporti udhëtarësh, brenda dhe jashtë vendit, persona fizikë që ushtrojnë profesionin e taksistit në vetura dhe furgonë, u gjetën në shkelje të ligjit duke shmangur pagimin e detyrimeve tatimore. Sipas Drejtorisë së Tatimeve, janë rreth 234 evazionistë fiskalë të zbuluar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në DPT gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë gjithë muajit prill 2012.

Më konkretisht, në sektorin e ndërtimit, në 40 objekte të kontrolluara në Rrethin e Tiranës, inspektorët tatimorë, grupet e inspektimit tatimore, në përbërje të të cilëve kishte inxhinierë ndërtimi që disponon administrata tatimore, fotografuan dhe fiksuan gjendjen reale të objekteve në ndërtim dhe u krahasuan me deklarimet e bëra nga tatimpaguesit në regjistrat e administratës tatimore rajonale. Nga investigimi i bërë u konstatua se kishte mungesë në dokumentacionet tekniko\ligjore të tatimpaguesve që kishin të bënin më preventivin e punimeve në objekte, librezat e masave, analizat e çmimeve, të cilat reflektoheshin qartë në raportimet e detyrimeve tatimore mujore, si dhe objekte në ndërtim informal të papajisura me NIPT sekondar. Në të gjitha objektet, zhvillonin aktivitet rreth 150 nënkontraktorë, tatimpagues, të cilët po i nënshtrohen një analize të hollësishme të deklarimeve të tyre në regjistrat tatimorë, për shërbimet e ofruara mbi bazën të kontratave të lidhura me investitorët, sikurse po verifikohen rreth 1000 punonjës, që u evidentuan në momentet e kontrolleve, me deklarimet e tatimpaguesve nëpërmjet listëpagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Te sektori i transportit, janë ushtruar 3532 kontrolle dhe janë zbuluar 212 raste, për të cilët janë marrë edhe masat administrative, me një vlerë prej 12 milionë lekësh, në tatimpagues që operojnë në fushën e transportit të udhëtarëve.



Këta tatimpagues janë penalizuar për mospërdorim të biletës tatimore e miratuar nga DPT, në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, duke bërë të mundur deklarime të rreme të vëllimeve të xhiros së realizuar nga këta tatimpagues.

“Operacione të larmishme të kësaj natyre, do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajve të vitit, kryesisht për sektorin e ndërtimit, veçanërisht në zonat bregdetare, ndërsa për sektorin e transportit do të bëhen kontrolle në të gjitha akset kryesore kombëtare, duke aplikuar teknika të ndryshme kontrolli”, saktësojnë Tatimet.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.