Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Kushtet atmosferike zhvendosin Skënderbeu-Flamurtari në Pogradec 

2012-01-27

Altin Manallari (KERKO ...)

Kupa e Shqipërisë

Dëbora e dendur dhe temperaturat e ulëta detyrojnë ndryshimin e fushës

Supersfida e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Flamurtari, nuk do të luhet në Korçë, por në Pogradec. Shkak për këtë zhvendosje, që i detyron kampionët në fuqi të vendit të luajnë larg shtëpisë janë bërë temperaturat shumë të ulëta dhe reshjet e borës. Sipas kalendarit të kompeticionit të dytë për nga prestigji në futbollin shqiptar, Skënderbeu ishte parashikuar të luante në stadiumin e tij. Por tashmë, për shkak të kushteve atmosferike, korçarët do të jenë të detyruar të luajnë përballë Flamurtarit takimin e Kupës së Shqipërisë si skuadër pritëse, por në Pogradec. Temperaturat në qytetin juglindor kanë arritur deri në -10 gradë Celsius, por përveç të ftohtit të acartë, fusha është mbuluar nga bora dhe është e papraktikueshme. Vlonjatët e kishin shprehur frikën se në një fushë të tillë do të ishte e pamundur të luhej futboll. Kanë qenë drejtuesit e klubit juglindor që kanë vënë në lëvizje të gjithë punëtorët dhe mjete të shumta, në mënyrë që të pastrohet sa më shpejt fusha nga bora dhe kjo gjë duhej të kishte marrë fund dje në mesditë. Por edhe pse nisën punën për pastrimin e terrenit, më në fund drejtuesit e klubit u dorëzuan. Edhe pse ekzistojnë shanse që bora të hiqet, në fushën e stadiumit “Skënderbeu” nuk mund të luhet normalisht futboll, pasi terreni ka ngrirë dhe koha në dispozicion nuk është e mjaftueshme.

Pasi shqyrtuan situatën dhe bisedat me Federatën Shqiptare të Futbollit, krerët e klubit korçar kanë pranuar që ndeshja të mos shtyhet, por të luhet në një fushë tjetër. Nëse do të zgjidhnin shtyrjen e sfidës me vlonjatët, kalendari i skuadrës së Levit do të ngjeshej edhe më shumë, sepse ata kanë për të rikuperuar edhe ndeshjen e kampionatit me Pogradecin. Pas negociatave me FSHF-në dhe drejtuesit e Flamurtarit, palët kanë rënë dakord, që sipas propozimit të Skënderbeut, takimi i vlefshëm për Grupin B të luhet normalisht të shtunën, në orën 14:00 në stadiumin "Gjorgji Kyçyku" të qytetit të Pogradecit. Të shtunën luhet edhe ndeshja e Grupit A ndërmjet Kastriotit dhe Kamzës. Të dielën luhen dy takime të tjera, Bylis-Tirana në Grupin A dhe Vllaznia-Laçi në Grupin B.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.