Samir Ujkani i ka thënë “Jo” një kalimi të mundshëm në radhët e Palermos, skuadrës që aktualisht ndan përgjysmë kartonin e portierit të Kombëtares shqiptare me skuadrën ku aktualisht kosovari luan. Përpara ndeshjes së kësaj të shtune ndaj Palermos, që do të jetë edhe java e parë e fazës së dytë të Serisë A, është gardiani shqiptar i portës së Novarës, ai që shfaqet përpara gazetarëve. Sipas këtyre të fundit, Palermo e Zamparinit mund të jetë skuadra e ardhme e Ujkanit. Në intervistën e dhënë për “Corriere di Novara”, portieri shqiptar shprehet: “Fakti se shumë nga ne do të zhvillojnë ndeshjen e së dielës ndaj Palermos si ‘ish’ mund të paraqesë një stimul më shumë në kërkim të fitores. Do t’i them gjithnjë faleminderit Zamparinit që më mori dhe më solli në Itali, por tashmë dëshiroj të fitoj me Novarën”, është shprehur Ujkani. Bashkëpronësia për momentin është e vlefshme mes dy klubeve deri në vitin 2014 dhe e ardhmja e portierit shqiptar do të varet shumë nga maratona në luftën për t’i shpëtuar rënies nga Seria A, në të cilën tashmë është përfshirë skuadra e Novarës. Megjithatë mbi të vazhdojnë të jenë të fokusuar edhe sytë e skuadrës së Sampdorias, e cila është e gatshme të bëjë një ofertë në të ardhmen për të siguruar kartonin e mbrojtësit ekstrem të skuadrës piemonteze.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.