Tekniku italian i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, ka hartuar një plan të qartë për të vëzhguar lojtarët e Kombëtares shqiptare që luajnë jashtë. Besohet se i vëzhguari i parë pritet të jetë sulmuesi i Sienës, Erjon Bogdani, pasi bomberi shqiptar, shkodrani Hamdi Salihi, Ahmet Januzi apo edhe Elis Bakaj nuk i kanë nisur ende ndeshjet në kampionatet respektive. Armando Sadiku mund të jetë i vëzhguari tjetër i teknikut 55-vjeçar, pasi skuadra e tij, Lokarno, do të ketë nesër një takim miqësor me Zyrihun. “Do ta nis qysh këtë fundjavë, pra të shtunën, dhe i pari do të jetë një sulmues”, u shpreh tekniku italian. Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar gjithsej 76 ndeshje miqësore ndërkombëtare, që nga shtatori i vitit 1946, por kurrë nuk ka pasur fatin të luajë me Italinë. Gjithsesi, Shqipërinë pritet ta vizitojë Presidenti i Federatës Italiane, Abate dhe tema e miqësores me Italinë mund të jetë një opsion i mundshëm në bisedimet e tij me homologun shqiptar, Armand Duka.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.