Në disa shërbime të spitalit “Nënë Tereza”, ky fillimvit është çelur me mungesa barnash. Kryesisht në pavijonet e sëmundjeve të vështira situata paraqitet më problematike, pasi disa ilaçe nuk janë fare në farmacinë e pavijonit apo edhe në atë qendroren.
Mungesa e ilaçeve kryesisht vërehet në shërbimin e hematologjisë, pastro-hepatologjisë, onkologjikut, pediatrisë së specialiteteve, infektiv, por edhe në shërbime të tjera, ku barnat kanë kosto relativisht më të ulët. Por nga vëzhgimi i bërë nga gazeta “Shqip” vërehet se mungesat nuk janë për të gjitha ilaçet, pasi një pjesë e tyre gjenden dhe për një pjesë tjetër pacientët apo të afërmit e tyre janë të detyruar t’i blejnë në farmaci me përshkrimin e recetës së mjekut specialist.
Mungesa e disa prej barnave në spital është pranuar edhe nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, administrata e së cilës aktualisht po negocion me furnizuesit e barnave për të bërë një shtyrje të kontratës së lidhur mes palëve.
Konkretisht, legjislacioni në fuqi ka hapësira ku bashkërisht, institucioni dhe furnizuese, mund të bien dakord për një shtyrje të kontratës së nënshkruar mes tyre dhe në këtë rast grosistët të sjellin 20 për qind të totalit të barnave.
Blerjet e mëdha në spitalin “Nënë Tereza” ende nuk kanë nisur. Kjo, pasi ende nuk ka mbërritur buxheti në institucion dhe pa u mbyllur kjo procedurë nuk mund të vijojë puna për asnjë fazë tjetër, si për parashikimet e ndarjet, ashtu edhe për çeljen e blerjeve të mëdha. Që nga mbërritja e buxhetit e deri në blerje të kontingjentit të parë të barnave duhen minimalisht tre muaj kohë deri në mbërritjen e barnave. Megjithatë, ashtu siç kanë sqaruar edhe mjekët e shërbimeve të Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pritet që një pjesë e ilaçeve të munguara të vijnë javën e ardhshme.
“Jemi në pritje të mbërritjes së buxhetit, për ilaçet që konstatohet se nuk ka gjendje si dhe për rastet kur kemi shtim të kërkesave presim të realizojmë një shtyrje të kontratës me 20 për qind me furnizuesit e ilaçeve deri në çelje, mbyllje dhe mbërritje të barnave në sasi të mëdha”, - sqaroi zyrtarisht Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Nga ana tjetër, drejtoria e kësaj qendre ka vendosur në dukje edhe një problematikë, e zbatueshme shpesh nga infermieret dhe farmacistet e shërbimeve spitalore; tërheqja që i bëjnë ato barnave nuk është për sasinë e nevojshme nga pacientët e shtruar në pavijone. Tërheqja e sasive të medikamenteve që bëjnë ato është më pak se sasia e kërkuar.
Deri tani urgjencat e spitalit është mbajtur e furnizuar me sasi të konsiderueshme barnash, madje edhe mbi normën e kërkuar. Kjo, për shkak të shtimit të pacientëve dhe fluksit të qytetarëve që paraqiten çdo ditë për kujdes shëndetësor edhe si pasojë e virozës së stinës dhe situatës gripale.
Konkretisht, drejtoria e spitalit ka vendosur në dispozicion për të gjitha urgjencat materialet e nevojshme, medikamentet, pajisjet e domosdoshme për të përballuar fluksin edhe të 600 pacientëve brenda 24 orëve. Vetëm për javën e fundit rezulton të kemi në urgjencat e QSUT-së 600 qytetarë që paraqiten për kujdes shëndetësor apo edhe që marrin fletën e shtrimit. Mes tyre, 300 janë fëmijë të moshave nga 0 deri ne 12 vjeç.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.