Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

24 Maj 2013

Matura shtetërore, hartohet testi i letërsisë

2007-06-04

Specialistët mbyllen në AVA në kushte të larta sigurie. Kanë nënshkruar kontratën për ruajtjen e sekretit

Teza, 25 pyetje me alternativa, ose me shtjellim

Testi i letërsisë për maturën shtetërore 2007 ka mbyllur në ambientet e Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ose shkurt AVA, specialistët që po punojnë për hartimin e tezës së provimit. Drejtoria e kurrikulave i ka dërguar zyrtarisht në AVA programet orientuese lëndore. Hartimi i fondit të kërkesave të testeve është bazuar në matricën e specifikimeve. Përgjegjësi i grupit lëndor do të hartojë 3 modele testesh mbi bazën e bankës së kërkesave me karakteristika të njohura. Këto do të bazohen në analiza psikometrike. Po kështu, paralelisht me hartimin e tezës përcaktohet edhe skema e pikëzimit dhe e vlerësimit. Këto teste do t\‘i dorëzohen me procesverbal drejtorit të AVA-s, i cili do t\‘i ruajë ato në kasafortë, të mbyllura në kushte të sigurisë së lartë. Ndërsa përzgjedhjen e testit përfundimtar e bën Ministria e Arsimit. Menjëherë pas përzgjedhjes së testit do të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.

Në AVA mësohet se është dërguar një fond prej më shumë se 250 pyetjesh të sugjeruara nga shumë mësues të letërsisë së shkollave të mesme të angazhuar në këtë proces. Ndërkohë që, sipas rregullores së re të miratuar nga Ministria e Arsimit për maturën shtetërore, specialistët do të përzgjedhin vetëm 10 për qind të tyre. Teza e provimit të letërsisë për maturantët do të përmbajë gjithsej 25 pyetje. Ato do të jenë të niveleve të ndryshme për vështirësi, duke filluar nga më të thjeshtat, si dhe ato që do të testojnë formimin specifik në këtë fushë të nxënësve. Vlerësimi i tyre do të jetë i thjeshtë. Do të ketë vetëm përgjigje që do të vlerësohen me një ose dy pikë. Për përgjigjet e pasakta nuk ka penalizime. Ato vlerësohen me zero pikë. Sistemi i vlerësimit të pyetjeve me pikë është konsideruar si më i favorshmi nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Arsimit. Në testin e lëndës së letërsisë për maturantët, që pritet të mbyllet shumë shpejt, si më të vështira konsiderohen pyetjet formuese. Kjo edhe për faktin se ato kanë nevojë për përgjigje logjike, pohojnë specialistët. Sipas tyre, pyetjet do të jenë të ndara në dy kategori. Pyetje me përgjigje me alternativa, që konsiderohen si më të thjeshtat, pasi përfundimi do të jetë vetëm me një "Po" ose me një "Jo", por do të ketë edhe të tjera, ku mjafton të rrethohet përgjigjja e saktë nga disa të mundshme. Ndërsa kategorisë së dytë i përkasin pyetjet me shtjellim. Në fletët e testit ato do të kenë një hapësirë të caktuar në varësi me gjatësinë e përgjigjes, që kërkohet të jepet me shkrim. Pikërisht për të përllogaritur edhe hapësirat e domosdoshme në këtë test, për përgjigjet me shtjellim janë kryer testime dhe anketime të shumta nga specialistët e AVA-s, që disa muaj përpara fillimit të punës nëpër shkolla të ndryshme kryeqytetase. Në këto anketime maturantët janë vënë përballë disa testeve me pyetje të ngjashme me ato të provimit final dhe aty është vlerësuar mesatarja e parametrave me të cilat duhen hartuar edhe tezat përfundimtare për ta. "Periudha e Keopsit", kështu e kanë quajtur ciklin kohor të procesit të hartimit të tezave të provimit të maturës shtetërore drejtuesit e Ministrisë së Arsimit. Në rregulloren e miratuar nga institucioni më i lartë i arsimit në vend, për të ruajtur procesin të paprekur nga abuzimet janë përcaktuar një seri nenesh që sigurojnë sekretimin e tezës. Ndaj dhe hartimi i këtyre pyetjeve po realizohet në diskrecion të plotë, ku specialistët që po përzgjedhin pyetjet finale nuk lejohet të kenë asnjë komunikim "me botën e jashtme". Atyre madje u është ndaluar edhe përdorimi i telefonave celularë. Por nuk mungojnë as masat ekstreme. Grupet lëndore të hartimit të testeve janë angazhuar në këtë detyrë pasi kanë nënshkruar kontrata të posaçme, të cilat kanë vënë si kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit nga ana e tyre. Me përcaktimin e nenit 62 në rregulloren e maturës shtetërore, drejtuesit e arsimit shpresojnë që ky proces të mos lakohet për abuzime apo manipulime me shitjen e tezave të pyetjeve. Për ata specialistë që do të nxjerrin sekretin e tezës së provimit, parashikohet deri edhe ndjekja penale. Provimi i letërsisë, për mbi 33 mijë maturantë në të gjithë vendin do të jetë në datën 9 qershor. Ai do të pasohet pak ditë më vonë në 22 qershor nga testimi i lëndës së matematikës. Dhe së fundmi, maturantët që do të kandidojnë për të studiuar më tej në auditorët universitarë, do t\‘i nënshtrohen edhe një sërë testimesh të tjera për degët përkatëse ku do të preferojnë të konkurrojnë. "Dëshirat" e tyre universitare do të përcaktohen në formularin e maturës A2, ku sipas rëndësisë për secilin maturant do të specifikohen 10 degët më të preferuara.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.