Shqipëria e pas viteve ‘90 kishte një ekonomi të rrënuar dhe tepër problematike. Ballafaqimi me ekonominë e tregut e bëri dhe më të vështirë jetën e shqiptarëve të atyre viteve. Punëzënia ra ndjeshëm, duke e bërë papunësinë të kapte nivele të larta. Pavarësisht emigracionit të lartë të asaj kohe, rrugëve endeshin persona të papunë, të cilët e përkeqësuan edhe më tej situatën ekonomike të vendit. Ndërmarrjet shtetërore u shpërbënë, por edhe ato pak që ngelën në këmbë ishin pothuajse inekzistente. Kështu që mbijetesa ishte tepër e vështirë.
Nisur nga ky fakt, shumë individë, sidomos ata që nuk kishin se çfarë të humbisnin, menduan hapjen e një aktiviteti privat. Në përgjithësi, bizneset e para shqiptare, ato të viteve 1992 – 1996, nuk është se ishin të mirorganizuara. Ato udhëhiqeshin më tepër nga intuita sesa nga konceptet ekonomike. Parimi bazë ka qenë “blije më lirë e shite më shtrenjtë”.
Gjithashtu dhe ekonomistët e asaj periudhe nuk ishin adekuatë për një ekonomi tregu, pasi dhe vetë shkollimi i tyre ishte i një ekonomie planovike. Kështu që sipërmarrjet shqiptare, më shumë sesa biznese, ishin mundësi për të mbajtur frymën gjallë. Mos zhvillimi i tyre në atë periudhë lidhet dhe me faktin e kërkesës së tregut. Duke ditur që kërkesa e tregut ka qenë “pa pretendime” justifikohen edhe kushtet e bizneseve. Kërkesa në atë kohë ishte më tepër e fokusuar në produktet ushqimore, rrobat e përdorura apo produkte të tjera jetike. Kishte mungesë njohurie për të bërë diferencimin midis produkteve cilësore dhe atyre jo cilësore. Ndërsa kërkesa për produkte luksi ishte minimale. Gjithashtu mungesa e informacionit krijonte një asimetri në treg, duke bërë që të kishte manipulime dhe arbitrazhe në segmente të caktuara të tregut.
Viti 1997, por deri-diku edhe 1998-a, ishin fatale për bizneset. Kriza ekonomike, por edhe politiko-sociale, bëri që shumica e tyre të shkonte drejt falimentit. Klima e papërshtatshme në të gjitha drejtimet çoi çdo gjë drejt kaosit në botën e biznesit. Por çfarë ndodhi më pas?
Biznesi nisi të rimëkëmbej, kontaktet me botën e zhvilluar po intensifikoheshin, njerëzit filluan të dilnin jashtë shteti dhe të merrnin informacion, duke u bërë më të ndërgjegjshëm. Inovacionet filluan të ishin të pranishme dhe në tregun shqiptar, megjithëse të fokusuar më tepër në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi apo Vlora. Me rritjen e mirëqenies, edhe kërkesa po bëhej më dinamike dhe më e orientuar drejt produkteve cilësore. Produktet e luksin ishin gjithnjë e më të pranishme në tregun vendas.
Por përsëri biznesi ka probleme. Shumë sipërmarrës nuk është që kanë kulturë apo njohuri ekonomike për të menaxhuar bizneset, por ata i besojnë më tepër intuitës dhe eksperiencës pakvjeçare të tyre. Në përgjithësi bizneset e vogla, që janë dhe më të shumta në numër, janë më tepër familjare. Kjo bën që të ketë mungesë të ekspertëve ekonomikë në to. Është pronari i firmës ai që bën gjithçka. Ai merret me drejtimin, me financën, me marketingun e deri te marrëdhëniet me klientët. Por sa më tepër kalon koha aq më e nevojshme është prania e ekonomistëve në bizneset e ndryshme. Kjo për vetë faktin se sa vinë e më tepër po rritet konkurrenca, gjithashtu po rritet edhe numri i shërbimeve apo produkteve që po tregtohen. Gjithsesi mungesa e ekspertëve është akoma e pranishme në shumicën e sipërmarrjeve, sidomos ato të vogla apo dhe të mesme.
Sektori i shërbimeve është një tjetër sferë e ekonomisë shqiptare që vuan si pasojë e mungesës së kulturës ekonomike. Ky sektor lë shumë për të dëshiruar. Sidomos ai i hoteleri-turizmit ku të shërben “fisi” i pronarit dhe jo një staf i kualifikuar. Shumëkush prej nesh i ka ndodhur që të trajtohet jo mirë, për të mos thënë keq në restorante apo hotele. Ky fenomen bëhet edhe më prezent sidomos në periudhën e verës, kur kërkesa arrin pikun e vetë dhe për përballimin e saj punësohen “të afërm” të pronarit, të cilët mund të mos kenë as më të voglën lidhje me kulturën e shërbimit. Madje ndodh edhe të të kërkojnë llogari në vend që të jenë “shërbëtorët” e klientëve. Nuk e njohin shprehjen bazë të ekonomisë së tregut, e cila thotë se “Klienti është Mbret”, madje kinezët shkojnë dhe më tej, kur citojnë se “Klienti është Zot”. Këtë sektor do ta citoja si më problematikun në lidhje më mungesën e kulturës ekonomike. Ky sektor është mjaft mbrapa, krahasuar edhe me vendet fqinje ku shërbimi është në nivele të admirueshme. Një arsye kjo për të bërë që shqiptarët dhe paratë e tyre të “shtegtojnë” për pushime jashtë kufijve.
Plotësimi i ciklit të shumë bizneseve, si dhe ballafaqimi me problemet e tregun, aq të shumta sot në një ekonomi globale, po sjell që shumë biznese të hasin vështirësi në drejtimin e tyre. Për zgjidhjen e këtyre problemeve duhen persona me njohuri të mirëfillta ekonomike. Pra, është koha që pronarët e bizneseve duhet të kuptojnë që për një menaxhim dhe drejtim më të mirë të biznesit të tyre, duhet me patjetër punësimi i ekspertëve ekonomikë. Kjo me të vërtetë do të rrisë kostot fikse të një firme dhe të bëjë që të ulet fitimi në periudhën afatshkurtër (short-run) por në periudhë afatmesme e sidomos në afatgjatë do të ishte pozitive për firmën.
Aq më tepër që ecuria në rritje e bizneseve do të sjellë një efekt zinxhir pozitiv në ekonomi. Me stabilizimin e tyre do të bëhet i mundur krijimi i një situate të shëndoshë ekonomike, e më tej në krijimin e vendeve të reja pune. Kjo sjell qarkullim monetar e më tej rritje ekonomike të qëndrueshme. Nga ana tjetër, qarkullimi dhe shtimi i kapitalit monetar do të thotë mundësi më të madhe për vjelje taksash e tatimesh e kjo të çon në rritjen e mundësive për investime publike. Kështu që nxitja e punësimit të ekspertëve ekonomikë në bizneset private duhet të inkurajohet edhe nga strukturat shtetërore, apo dhe nga organizatat ekonomike nëpërmjet rritjes së informacionit apo forumeve të ndryshme me sipërmarrës së bizneseve.
Kjo do t’i bëjë më sensitivë dhe më të vetëdijshëm pronarët e firmave për mundësitë pozitive që krijohet nga bashkëpunimi midis investitorit dhe ekspertit.
Pra, ka ardhur koha të kuptojmë se jo çdo gjë mund të bëhet vetë. Ka ardhur koha që biznesi të kuptojë se nuk mund të jetë kompetitiv në një treg të egër dhe global pa bashkëpunimin e tij me ekspertët e fushave respektive. Ka ardhur koha që të kuptojmë se nuk është më periudha 1992–1996, por sot jemi pjesë e një tregu të pamëshirshëm. Por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se ka biznese, të cilët prej vitesh kanë ndjekur një politikë të tillë bashkëpunuese me ekspertë ekonomikë, e jo vetëm. Dhe janë pikërisht këto biznese që sot drejtojnë tregun shqiptar dhe janë lokomotivë për ekonominë tonë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.