Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

17 Maj 2012

Hans Werner Sinn: “Rimëkëmbja e Greqisë brenda euros, një iluzion”

2012-02-22

Greqia

Ministrat e Financës së Greqisë miratuan paketën e dytë të shpëtimit financiar për Greqinë të hënën, ndërkohë që sipas Hans Werner Sinn, kreut të një “Think Tank”-u ekonomik gjerman, edhe këto para nuk do ta ndihmojnë aspak Greqinë që të zgjidhë situatën. Ai deklaroi se Greqia mund ta zgjidhë krizën e saj vetëm në rast se del nga euro.

A mund ta shpëtojë Greqinë paketa e sapoaprovuar e ndihmës ekonomike prej 130 miliardë eurosh?

Jo. Dhe politikanët e dinë fare mirë se ajo nuk mundet. Ata duan që të fitojnë kohë, deri në zgjedhjet e ardhshme. Mendoj se janë duke humbur kohë në këtë mënyrë.

Përse?

Sepse borxhi i jashtëm grek është duke u rritur çdo vit që shkon dhe kjo do të ndodhë derisa vendi të lërë euron. Në vend që ta zgjidhim problemin, ne po i largohemi dhe më shumë atij. Kreditë e lira që solli euro në këtë vend i rritën çmimet dhe rrogat të gjitha në mënyrë artificiale dhe tani, vendit i duhet që të shkojë aty ku i përket në të vërtetë.

Ju mendoni që ministrat e Eurozonës nuk duhet që ta miratonin paketën e shpëtimit?

Ata duhet që t’i japin Greqisë para, që të lehtësojnë daljen nga bashkimi monetar. Qeveria greke duhet që t’i përdorë paratë për të shtetëzuar bankat e vendit dhe për të parandaluar kolapsin e shtetit. Shteti dhe bankat duhet që të vazhdojnë që të funksionojnë, pavarësisht gjendjes kaotike që do të shkaktojë dalja nga Eurozona.

Dhe ky kaos do të godasë më shumë popullatën?

Po. Kjo është e pamohueshme. Por kaosi do të jetë vetëm i përkohshëm dhe mund të zgjasë maksimumi dy vjet. Kjo kohë do të shërbejë duke asistuar me ndihma financiare nga komuniteti ndërkombëtar. Por dhrahmia do të vlerësohet shumë shpejt dhe më pas vendi do të shkojë në rrjedhën normale. Pas një stuhie të shkurtër, dielli do të shkëlqejë sërish.

Si do ta ndihmonte konkretisht Greqinë dalja nga Eurozona?

Vendi do të bëhej sërish konkurrues. Produktet greke do të bëheshin shumë të lira dhe kërkesa do të orientohej nga mallrat e importit që është tani, te produktet vendase. Grekët nuk do të vazhdojnë që të blejnë domate dhe ullinj nga Italia, apo Holanda por nga fermerët e tyre. Dhe turistët për të cilët Greqia ka qenë një vend shumë i shtrenjtë vitet e fundit, do të riktheheshin. Më pas, një kapital i ri do të hynte në vend. Grekët e pasur që kanë depozituar miliarda euro në bankat e huaja, kryesisht në ato zvicerane, do të tërhiqeshin shumë nga rënia e çmimeve të pasurive të patundshme dhe do të donin që të investonin sërish në vendin e tyre.

A nënkupton dalja nga Eurozona për Greqinë një falimentim?

Jo. Është në fakt krejt e kundërta. Daljen nga euro e nxit falimentimi. Grekët do ta linin menjëherë Eurozonën, nëse nuk do të merrnin ndihmë ndërkombëtare, sepse falimentimi nuk mund të menaxhohet brenda sistemit të euros. Shteti do të jetë i falimentuar dhe në këtë status, do të jenë edhe bankat. I gjithë sistemi i pagave do të falimentonte. Kaosi do të mund të shmanget vetëm nëse Greqia do ta lërë monedhën e përbashkët.

Pra Greqia duhet ta lërë euron?

Nuk duhet shtrënguar askush, por njëherazi Greqia nuk ka të drejtë që të marrë një asistencë permanente nga vendet e tjera të Eurozonës. Çdokush duhet që ta fitojë standardin e jetesës vetë dhe ata që kanë zgjedhur të fitojnë para nga rreziku duhet ose ta mbajnë atë rrezik ose në rast të humbjes, të përballen me të.

Nëse Greqia nuk do të dalë nga Eurozona, a do të jenë për një kohë të gjatë të nevojshme masat e mëdha shtrënguese që ka ndërmarrë qeveria?

Në një rast të tillë, kursimet vetëm sa arrijnë që të reduktojnë minimalisht borxhin dhe rritjen e tij. Nëse borxhi ripaguhet, atëherë dhe masat shtrënguese mund të kenë vlerë. Por ky nuk është rasti i Greqisë. Por është e vërtetë që Greqia është mësuar me fluks krediti me çmim të lirë nga jashtë vendit dhe politikisht është e pamundur që të reduktosh pagat në atë masë që ta shndërrosh sërish vendin në konkurrues.

Po sa mendoni se duhen reduktuar pagat?

Produktet greke duhet që të bëhen 30% më të lira, në mënyrë që të jenë në një linjë me ato turke. Kjo mund të arrihet vetëm përmes daljes nga Eurozona dhe zhvleftësimit të monedhës. Pa këtë zhvleftësim, miliona lista çmimesh dhe kontrata pagash duhet që të rishkruhen. Kjo do të radikalizonte sindikatat dhe do ta çonte vendin drejt luftës civile. Por edhe kompanitë do të falimentonin, sepse asetet e tyre do të tkurreshin, ndërsa borxhet e bankave do të mbeteshin të pandryshuara. Borxhin bankar mund ta reduktosh vetëm duke e zhvleftësuar monedhën. Për mua plani për të ristrukturuar Greqinë brenda euros është një iluzion.

Përse vendet e Eurozonës janë kaq të vendosura në lidhje me vazhdimësinë e Greqisë në klubin e tyre. Si mendoni për këmbënguljen e vazhdueshme të tyre për qëndrimin e Greqisë në Eurozonë?

Kjo nuk ka të bëjë me Greqinë. Grekët po mbahen peng nga bankat dhe institucionet financiare të “Wall Street”, të Londrës, të Parisit, të cilat duan që të sigurohen që do të kenë fitime nga fluksi i parave të grumbulluara nga plani i shkurtimeve financiare. Një fitim që vetëm ata i pasuron, por nuk i bën derman Greqisë.

Çfarë mendimi keni në lidhje me “infektimin” e mundshëm që thuhet se dalja e Greqisë nga Eurozona mund të shkaktojë te vendet e tjera problematike brenda kësaj zone dhe tek i gjithë Bashkimi Europian në përgjithësi?

Mund të ketë pasoja infektuese, por mendoj se ky argument është instrumentalizuar jashtë mase nga ata persona që janë të shqetësuar për humbjen e parave. Njerëzve u është ngulitur në mendje se “bota do të marrë fund në rast se gjermanët nuk do të japin më para”.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.