Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Lana del Rey: Dëgjojeni mirë atë që këndoj, nuk jam Lolitë e internetit

2012-01-27

Ka miliona fansa në “YouTube” dhe shfaqet në kopertinat e revistave të të gjithë botës. Tani, kantautorja amerikane do të nxjerrë albumin e saj të ri, me të cilin shpreson të ketë shumë sukses

Kohë të çuditshme. 26 milionë klikime në “YouTube” dhe bëhesh menjëherë një yll. Divë që pëlqehet nga publiku, pavarësisht se si promovohet. Albumi do të dalë më 31 janar, por Lana del Rey është shfaqur tashmë në kopertinën e “Q Magazine”, “Billboard”, apo në numrin rus të “Interview”. Mjaftoi vetëm një këngë, “Video games”, në shtatorin e vitit të kaluar, dhe mjetet e informimit masiv, si televizioni, radioja apo interneti, folën menjëherë për një yll shumë premtues që do të lindte në 2012-n. Jo vetëm për emrin ekzotik dhe bukurinë rrëzëllitëse të 25-vjeçares, por edhe për zërin, që shumë e konsiderojnë të rrallë. Në fakt duhet të ketë diçka më shumë përderisa Lana del Ray, e lindur në Lake Placid, ka kaluar nga BBC te David Letermen apo në “Saturday night live”. Në fakt e vërteta do të duket me “Born to die”, albumi që pritet të dalë, i cili tregon një personazh unik se çfarë është në gjendje të bëjë. “Nuk e kam vendosur akoma nëse fama është një lehtësi apo një barrë e rëndë”, tregon këngëtarja. E ulur në një nga hotelet më të mira të Londrës, përveç buzëve në fytyrën e saj nuk duken shenja të tjera të kirurgjisë plastike. Tabloidët anglezë, si gjithmonë e ekzagjerojnë. Fansat dhe ata që nuk e pëlqejnë shtohen çdo ditë e më shumë. Në një sajt lexohet: “Blogosfera që të ka krijuar, ajo do të shkatërrojë”. Me pak fjalë e kërcënuar dhe e pëlqyer njëkohësisht si një divë e madhe. Duket e trembur nga e gjithë kjo vëmendje, “sepse në pjesën më të madhe të rasteve nuk lidhet me muzikën time, por me aspektin fizik, emrin e artit. Emri im ishte Lana del Ray kur publikova albumin e parë, megjithatë askush s’e vuri re. Kjo, sepse nuk pranova kompromise. Nëse bën këtë zanat duhet të kesh sukses. Unë pretendoj respekt, por këto dy gjëra jo gjithmonë përputhen. E vetmja gjë që dua është të bëj këngë të bukura që të pëlqehen nga të gjithë”. E parë kështu, e palyer dhe me një palë qerpikë të gjatë fals, nuk është Lolita e videoklipeve, vetëm një vajzë që vjen nga një familje e mirë e rritur në provincë dhe e ardhur në moshën 18-vjeçare në Nju Jork për të frekuentuar Fordham University, Fakultetin e Filozofisë dhe Shkencave Metafizike. “Nuk mendoja kurrë për karrierën kur isha adoleshente. Këndoja në kishë me nënën time, dëgjoja disqet e babait tim, të Leonard Kohen, Bob Dilanit dhe mbi të gjitha Frenk Sinatrës. Vetëm në Nju Jork, parajsa ime mbi tokë, zbulova bukurinë e Jeff Buckley-t dhe karizmin e Curt Cobain, përmes videos “Heart-shaped box”. Albumi i parë shkoi keq, kështu që iu futa punës dhe bëra një numër të ndryshëm punësh, madje edhe vullnetare në qendra të ndryshme sociale. Në ato pesë vjet kam jetuar mijëra jetë. Kaloja nga një shtëpi te tjetra, nga një i dashur te tjetri, ndërsa konsumoja dhe alkool”. Pikërisht eksperiencat e atyre viteve janë edhe thelbi i këngëve “Born to die”: dashuri, vdekje, pushtet, adoleshencë e vuajtur, seks pervers. Ndër këngët e saj më të famshme mund të përmendim “Off the race”, “National anthem”, Radio”. Del Rey shpjegon se “duke jetuar në Nju Jork kuptova se paraja mund të na shkatërrojë, por varfëria dhe injoranca i shtyjnë njerëzit të bëjnë krime të tmerrshme. Të jetojnë pa dinjitet dhe vlera. Shumë tekste të këngëve reflektojnë historitë e bashkëmoshatareve të mia të depresionuara apo të humbura. Edhe unë vetë isha një vajzë konfuze. Ndërsa të tjerat flisnin për modën dhe kohën, unë rrija duke bërë pyetje për jetën: Nga vijmë? Çfarë do të bëhet me ne?”. Pastaj erdhi dashuria që fshiu çdo dyshim (tani ka një të dashur nga Glasgow). “Di të jem me fat, sepse mund t’ia lejoj vetes luksin e të shkruarve të këngëve, të shpreh përmes artit edhe gjërat më të tmerrshme që kam parë dhe kam jetuar”. Dashuritë për të cilat këndon Lana del Ray janë të dëshpëruara. Në këngën me nota autobiografike “This is what make us girl” këndon: “Të gjithë kërkojmë parajsën dhe e vendosim dashurinë para çdo gjëje. Nuk është kjo ajo që duam ne vajzat?”. Thotë se e ka shkruar teksa ka menduar kur ishte 15 vjeçe. “Atëherë isha një vajzë shumë problematike, e zhytur në telashe”. Tani ka ndryshuar. Edhe pse është e famshme i pëlqen të hajë patate të skuqura me ketchup... Thotë se në thelb mbetet gjithmonë ajo vajza e thjeshtë që këndonte me nënën të dielave në kishë.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.