100 mijë “tweet” në minutë, një milion komente në “Facebook” në çdo 2 minuta. Çdo ditë publikojmë një sasi shumë të madhe të dhënash, të cilat teorikisht nuk do të zhduken kurrë. Dy ditë më parë në Strasburg u prezantuan dy projekte që mund ta ndryshojnë tërësisht botën e të lundruarit online. Ato do të përpiqen që të mbrojnë të drejtën e harresës në epokën e rrjetit. Por rruga e tyre parlamentare paraqitet problematike
Nuk do të të harroj kurrë, nuk është një premtim, por një kërcënim. Ishte viti 1998 kur blogeri Joseph Daniel Lascia shkruan në një nga sajtet që konsiderohen si bibla e kulturës dixhitale: “Salon”: “Interneti nuk harron kurrë”. Joseph në atë kohë kishte kuptuar gjithçka dhe të mendosh se nuk kishte parë ende Web 2.0, ku përdoruesit e rrjetit e ndryshojnë përmbajtjen e sajteve në mënyrë të vazhdueshme duke përditësuar statusin e tyre, duke postuar fotografi, duke biseduar dhe komunikuar me të gjithë në mënyrë frenetike. Flasim për një sasi të dhënash personale jashtëzakonisht të madhe, të cilën vetë e bëjmë publike pa menduar gjatë. Sipas një statistike, brenda një minute hidhen 100 mijë “tweet”, një milion komente bëhen çdo 2 minuta, në rrjetin tjetër social “Facebook”. Teorikisht asgjë nuk zhduket nga ajo që është thënë, apo hedhur në internet. “Zoti fal dhe harron, por rrjeti kurrë”, ka deklaruar komisionerja europiane Viviane Reding gjatë këtyre dy viteve të fundit, ku së bashku me garantuesit europianë të privatësisë, ka përgatitur një material monumental. Një material që synon të ndryshojë përgjithmonë atë që konsiderojmë si mbrojtje të të dhënave personale. Pyetja që bëhet është: A kemi të drejtë që të fshijmë, apo heqim nga rrjeti ato të dhëna që janë personale, që i kemi postuar vetë ne, madje qoftë edhe shumë kohë më parë, por edhe ato që i kanë postuar të tjerët dhe që mund të na dëmtojnë personalisht?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje gjendet në dy komplekse normash dhe parimesh, që dje janë paraqitur në Parlamentin Europian, por që komisionerja Reding i ka prezantuar si “Digital Life Design”, në një konferencë të madhe për kulturën në Monako, ku ishin të pranishëm gjigantët e internetit nga “Facebook” e deri te “Google”, të cilët të gjithë janë në një pritje të ankthshme për t’u njohur me disiplinën e re që ka të bëjë me mënyrën e drejtpërdrejtë dhe që mund të ndryshojë në mënyrë rrënjësore përdorimin e internetit. Le të shohim se përse bëhet fjalë. Pika e parë ka të bëjë me një direktivë, që do të thotë se pas aprovimit të materialit ai do të implementohet nga çdo vend. Bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve për çështje gjyqësore, të sigurisë dhe politikës. Në këtë kuadër: “parashikohet detyrueshmëri në komunikim të trajtimit të të dhënave të tuteluara për ata që kanë qenë objekt i vëmendjeve nga ana e autoriteteve”. Pika e dytë e materialit ka të bëjë me rregullimin e të gjitha rasteve të tjera, veçanërisht internetin. Kjo do të thotë se kur të aprovohet paketa do të përmbajë një normativë për aplikim të menjëhershëm në Europë, duke siguruar të njëjtën mbrojtje të të dhënave në të gjithë Bashkimin Europian”. Bëhet fjalë për një thjeshtëzim që do t’u mundësojë atyre që duan të operojnë në Europë që të kenë një kuadër referimi të qartë. Gjërat që të bien në sy të këtij rregullimi janë: 1) nuk do t’i takojë më qytetarit të demonstrojë paligjshmërinë e përdorimit të të dhënave të tij, por titullarit të të dhënave; 2) konsensusi për përdorimin e të dhënave personale duhet të jetë i qartë; 3) humbja eventuale e të dhënave duhet që të komunikohet menjëherë (brenda 24 orësh); 4) administrata publike dhe bizneset me mbi 50 punonjës duhet që të marrin në punë një “oficer të mbrojtjes së të dhënave; 5) nëse do të bëhet ndonjë përdorim i paligjshëm i të dhënave personale është shefi ai që do të mbajë përgjegjësi personale për një veprim të tillë; 6) çdo mjet i ri teknologjik, por edhe një aplikim i thjeshtë duhet që të vlerësojë impaktin që përdorimi i tij do të ketë mbi privatësinë e individëve.
A mos vallë kemi të bëjmë me një revolucion të vërtetë? Mund të thuhet se kemi të bëjmë me futjen e disa normave shumë të rëndësishme që parashikojnë veç të tjerash edhe sanksione të mëdha deri në 1% të faturimit, që në rastin e “Google” apo “Facebook” janë shifra jashtëzakonisht të mëdha, për shkak se fitimi i tyre është i jashtëzakonshëm. Por ndërkohë duhet thënë se për shumë gjëra rrjeti, interneti ka qenë gjithmonë një hap përpara. Kështu për shembull “Facebook”, që në të shkuarën është përballur me polemika të ashpra për një sjellje më të drejtë ndaj të dhënave personale të përdoruesve të rrjetit social, sot i lejon pikërisht përdoruesit të tij që të verifikojë të gjitha të dhënat që ai ka hedhur, të modifikojë lehtësisht gjithçka që ka të bëjë me privatësinë, si dhe të fshijë përgjithmonë profilin e vet vetëm me dy klikime. Pas klikimit të parë shfaqet një tabelë, në të cilën paralajmërohesh se nëse do të klikosh edhe për herë të dytë shokët do ta ndiejnë mungesën tënde.
Për sa i takon “Google”, që gjithashtu është përfshirë në polemika për faktin e ruajtjes së gjurmëve të të gjitha klikimeve tona në këtë motor kërkimi, sot pikërisht “Google” ka vënë në dispozicion të përdoruesve një panel për të fshirë të dhënat e hedhura, si dhe një modalitet navigimi tërësisht anonim.
Mbetet problemi i fshirjeve të gjërave që kanë të bëjnë me ne, por që shkruhen, apo postohen nga të tjerët. Për shembull një faqe e “Wikipedias”. Disa vjet më parë bëri shumë bujë rasti i dy gjermanëve të dënuar për vrasjen e një aktori të famshëm, të cilët kishin kërkuar që emri i tyre të hiqej nga faqja personale e viktimës, duke qenë se e kishin kryer tashmë dënimin. Kjo polemikë shpërtheu kur gazetat hodhën online arkivat e tyre. Kështu, falë motorëve të kërkimit është shumë e lehtë që të gjithë të gërmojnë në të shkuarën e të gjithëve, por në shumë raste kjo shkakton edhe trauma të vërteta familjare, për shembull si në rastin kur një nip zbuloi faktin e përdhunimit të gjyshes, apo falimentimit të gjyshit. Dhe nuk bëhet fjalë aspak për raste të kufizuara, por për një fenomen shumë të gjerë dhe fatkeqësisht shpesh me pasoja të pakëndshme për njerëz krejtësisht të pafajshëm. Një nga propozimet e bëra ishte që gazetat të hidhnin arkivat e tyre online, por t’i bënin të “padukshëm” në rastin e motorëve të kërkimit, pra përmbajtja e tyre të mos shfaqej në to. Ndërsa tani ndërhyjnë normat që pritet të aprovohen dhe që pikërisht në lidhje me këtë problem e bëjnë të qartë: “Arkivat e gazetave janë një përjashtim dhe e drejta për t’u hartuar nuk mund të anashkalojë të drejtën e fshirjes së historisë”.
Ky përjashtim, sipas disave, mund të mos dalë si i mjaftueshëm, duke parë që sot një pjesë e madhe informacionit nuk del në gazetat zyrtare, por në blogjet dhe sajtet e të ashtuquajturit “Cirizen Journalism”. Sipas disa kritikëve, nuk është diçka e mirë që të fshihen apo hiqen informacionet për ne që nuk duam të dalim në internet. Sipas një juristi të internetit dhe problemeve të çështjeve të rrjetit, nëse do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë pas 100 vitesh kur do të duan që të gërmojnë për epokën tonë, do të dalin të gjithë të mirë dhe të paqtë, sepse të gjitha historitë e rënda dhe kriminale do të jenë zhdukur.
Më 1 shkurt nis rruga parlamentare që parashikohet të jetë e vështirë dhe të zgjasë me debate e diskutime nga më të ndryshmet. Dhe jo vetëm për shkak të reagimeve të pritshme të botës së rrjetit. Deri tani “Google” dhe “Yahoo” nuk kanë pranuar që të bëjnë komente. Nga “Microsoft” vijnë disa lajme, sipas së cilës krerët e kompanisë druhen se do të caktohen rregulla shumë të forta, ndërsa sa për “Facebook” ajo ka ndjekur rrugën e ironisë, duke lëvduar këmbënguljen e komisioneres europiane në krijimin e vendeve të reja të punës, sipas projektit dhe duke pyetur se cilat do të jenë mënyrat e gjetura prej saj për të tuteluar me të vërtetë të drejtat e përdoruesve të internetit.
Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një përpjekje juridike shumë të madhe dhe të rëndësishme, për një rrugë krejtësisht të re që do të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën e përdorimit të internetit. Bëhet fjalë për një material me thuajse 100 nene. Gjithsesi ajo që pyesin të gjithë specialistët dhe mbështetësit e projektit është: A do t’ia dalë ky projekt me të vërtetë që të mbrojë dhe të ruajë privatësinë e përdoruesve të internetit dhe deri në çfarë mase?
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.