Numri i fletëve të votimit të planifikuara nga KQZ nuk korrespondon me...

Numri i fletëve të votimit të planifikuara nga KQZ nuk korrespondon me zgjedhësit

28
0
SHPËRNDAJE

Lleshi – Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Lleshi (Luzi), ka deklaruar se shkresa zyrtare e PS-së është marrë në dorëzim dhe administrata në mënyrë të shpejtë do të bëjë verifikimet

CETIS – Fletët e votimit për zgjedhjet e 23 qershorit do të shtypen në Slloveni. KQZ-ja ka përzgjedhur firmën sllovene CETIS për prodhimin e mbi 3 milionë fletëve të votimit, ndaj njoftimi duhet të jetë i menjëhershëm

Mungesa 

PS depoziton materialin për rreth 46 KZAZ me probleme

BLEDAR HOTI

Numerimi i votavePartia Socialiste ngre alarmin për moscaktimin në mënyrë të saktë të sasisë së fletëve të votimit në raport me numrin e zgjedhësve të parashikuar për çdo qendër votimi. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj, në mbledhjen e djeshme të KQZ-së ngriti shqetësimin për mangësi të sasisë së fletëve të votimit, të cilat nuk korrespondojnë me numrin e zgjedhësve që kanë QV-të. Pas verifikimit të bërë nga shtabi i PS-së, Gjonçaj, i ka depozituar një shkresë zyrtare KQZ-së, me qëllim zgjidhjen e këtij problemi. Në shkresën që disponohet edhe nga gazeta “Shqip”, Gjonçaj kërkoi zgjidhjen e këtyre pasaktësive. Sipas opozitës, nga 89 KZAZ, 46 prej tyre kanë pasur probleme. Pra gjysma e KZAZ-ve ka probleme, ku rezultojnë se ka më shumë votues sesa QV apo dhe më pak sesa numri i QV-ve. “Në vijim të diskutimeve në mbledhjen e KQZ-së, ku u diskutua projektvendimi për caktimin e sasisë së fletëve të votimit për çdo QV, si dhe nisur nga verifikimi i bërë nga ana jonë në 89 KZAZ-të, duke krahasuar tabelën e miratuar nga KQZ-ja me listën e zgjedhësve dërguar nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në KZAZ, rezultojnë disa probleme, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e KQZ-së. Kështu:

•    në 46 ZAZ ekzistojnë diferenca ndërmjet numrit të zgjedhësve, për të cilat KQZ-ja ka porositur sasinë e fletëve të votimit për çdo QV me numrin e zgjedhësve në listat e zgjedhësve dërguar nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në KZAZ.

•    QV nr. 4473 te ZAZ 85, Bashkia Vlorë, mungon te lista e vendimit të KQZ-së (mbi 500 zgjedhës në 2011-n). Mendojmë që duhet të porositen fletët e votimit në shtypshkronjë, pasi të marrë vendim nga KQZ-ja”, thuhet në shkresën e PS-së të depozituar nga Gjonçaj. Më tej theksohet se “5 QV-të me nr. 4456, 4458 dhe 4459 (bashkë me “fraksionet”) në bazë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor për caktimin e ZAZ-ve janë të ZAZ 83, por në vendimin e KQZ-së gabimisht janë vendosur te ZAZ 84. Mendojmë që kjo gjë duhet rregulluar në vendim të KQZ-së se dhe shtypshkronjë; 493 QV të materialit të KQZ-së kanë diferenca nga -100 deri +63 zgjedhës me listat që disponojnë KZAZ-të, nga të cilat janë 18 QV nga –10 deri në -100 dhe 10 QV nga +10 deri +63 zgjedhës”. Në materialin prej 11 faqesh jepet edhe numri i qendrave të votimit me mangësitë konkrete të QV-ve. Në KZAZ numër 1 në Kastat të Qarkut të Shkodrës, KQZ-ja parashikon të shpërndajë 100 fletë më pak sesa numri i votuesve të kësaj QV-je. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, ka ndërhyrë duke deklaruar se “këto çështje duhen parë nga KQZ-ja, por nuk mund të ngrihen në mbledhje si një çështje të pazgjidhur”. Por socialisti Gjonçaj theksoi se “këto parregullsi duhen rregulluar në shtypshkronjë, në mënyrë që fletët e votimit që do të vijnë për 23 qershorin të jenë korrekte”. Ndërsa kryekomisionerja Lefterije Lleshi ka deklaruar se do ta rishikojë këtë çështje me administratën. “Do të bëjmë verifikimet e duhura lidhur me informacionin që ju keni sjellë dhe atë që kemi dhe nëse ky informacion do të rezultojë që do të ketë ndryshime, do t’i reflektojmë ato në vendimmarrjen tonë”, u përgjigj Lefterije Lleshi. Nëse nuk rregullohet një çështje e tillë, do të rezultojë që votuesit mund të mbesin pa votuar më 23 qershor, nëse nuk plotësohen sasitë e duhura të fletëve.

Debati për manualet e vendet vakante

Shqyrtimi i manualeve të qendrës së votimit ka nxjerrë në pah mungesën e udhëzimit të funksionimit me anë të 5 votave. Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji, tha se “kjo situatë e tillë vjen pasi mungon një udhëzim i KQZ-së për mënyrën e funksionimit të QV-ve, i cili duhet të merret me 5 vota nga anëtarët e KQZ-së. Jemi në situatën ku mungojnë anëtarët. Kodi aktual ka ndryshime të mëdha, ndaj duhet një udhëzim i ri i KQZ-së”. Një gjë e tillë u theksua edhe nga përfaqësuesi tjetër i PS-së, Genci Gjonçaj. Kjo gjë shërbeu për nisjen e një debati mes socialistëve dhe anëtarit të KQZ-së, Hysen Osmanaj. “Mos na thoni që të marrim vendime me 5 vota. Sillni anëtarët në KQZ, plotësoni vendet vakante. Këtej thoni se nuk bëni zgjedhje dhe nuk i plotësoni vendet vakante”, tha Osmanaj. Ndërsa Gjonçaj ka replikuar, duke iu drejtuar: “Nuk i sjellim ne, se nuk janë kukulla ato që komandohen nga një dorë politike o Hysen, kuptoje këtë. Bëjini ju kërkesë Kuvendit si institucion”. Ndërsa kryekomisionerja Lleshi ka ndërhyrë, duke shtuar se “z.Osmanaj po ju kërkon që t’i plotësoni ju, ne jemi në punë me katër anëtarët”.

 

Gjonçaj – Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, ka paraqitur një shkresë pranë KQZ-së, duke i kërkuar rishikimin e planit të shpërndarjes së sasive të fletëve të votimit, pasi nuk përputhej me numrin e zgjedhësve

 

Tabela

493 QV të materialit të KQZ-së kanë diferenca nga -100 deri +63 zgjedhës me listat që disponojnë KZAZ-të, nga të cilat janë 18 QV nga –10 deri në -100 dhe 10 QV nga +10 deri +63 zgjedhës

 

QV nr. 4473 te ZAZ 85, Bashkia Vlorë, mungon te lista e vendimit të KQZ-së (mbi 500 zgjedhës në 2011)

KZAZ 1 Koplik 0049/2 – 46 zgjedhës

KZAZ 1 Kastrat 0034 – 100 zgjedhës

KZAZ 18 Kalaja e Dodës – 47 zgjedhës

KZAZ 19 Bajram Curri QV 444 -18 zgjedhës

KZAZ 19 Bajram Curri QV 445 -29 zgjedhës

KZAZ 9 Fierzë-Tropojë QV 478 – 22 zgjedhës

KZAZ 82 Vlorë Qendër 4421 – 24 zgjedhës

 

 

 

Përfundon afati zyrtar

 

Poni: Kush nuk është në

lista, të shkojë në gjykatë

 

Përfundon afati i hartimit të listave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe tashmë çdo shtetas që nuk

figuron në listën e votuesve për zgjedhjet e 23 qershorit, të vetmen zgjidhje ka gjykatën. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, deklaroi se “personat përgjegjës për të bërë listën janë kryetarët e njësive vendore në bashkëpunim me nëpunësit e gjendjes civile. Këtu te ne ka pak rëndësi emri. Do të duhet t’i drejtohemi gjykatës. Është gjykata ajo që merr vendime në ndryshimin e listës përfundimtare, në kuptimin që vendoset një njeri në listë në një qendër të caktuar votimi ose jo”. Në zgjedhjet e 23 qershorit janë thirrur në votime 3.2 milionë shtetas, 157 mijë prej të cilëve votues për herë të parë. Por në këto zgjedhje janë përfshirë me kërkesën e tyre edhe 380 persona mbi 100 vjeç, emrat e të cilëve ishin bllokuar nga gjendja civile. “Kanë qenë 1130 mbi 100-vjeçarë në 3 janar, të bllokuar, se të gjithë bllokoheshin, dhe tani nga ajo listë 100-vjeçarësh, 750 prej tyre nuk janë të bllokuar dhe vazhdojnë të jenë në listë. Pra, ne kemi vetëm 380 mbi 100-vjeçarë dhe kanë ardhur persona të afërt me ta që të interesohen për të votuar”, tha Poni.

Sipas tij, kjo është lista më e mirë e zgjedhjeve që janë mbajtur në vend, ndonëse ka pasur akuza nga opozita për numrin e dublimeve. Poni thotë se dyshohet se janë rreth 600 persona të dubluar, ndërsa i quan dashakeqe pretendimit e PS-së për një numër të madh dublimesh. Ministria e Brendshme ka përdorur 19 kritere për evidentimin dhe pastrimin e dublimeve në lista.