Zv.ministri Ferdinand Poni: Askush nuk mund të votojë dy herë

Zv.ministri Ferdinand Poni: Askush nuk mund të votojë dy herë

8
0
SHPËRNDAJE

Qeveria

Ministria e Brendshme shpall listën përfundimtare: Janë 3.270.396 zgjedhës

3.270.936 votues – Sipas Ministrisë së Brendshme, në zgjedhjet e 23 qershorit do të votojnë 3.270.936 zgjedhës. Këtu përfshihen dhe ata votues që janë emigrantë

0 pa adresë – Poni deklaroi dje se nuk ka asnjë zgjedhës pa adresë, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ekzistojnë mbi 300 mijë të tillë në listat paraprake

1.139 dubluar – Më datë 12.12.2012, janë dërguar për kontroll 7,674 rekorde të dyshuara si të dubluar. Pas gjenerimit të Listës Përfundimtare më 13 maj, rezultuan 1,139 rekorde

Ferdinand Poni Shqipëria, në zgjedhjet e 23 qershorit, ka 3.270.396 zgjedhës. Shifra zyrtare u shpall dje publikisht nga zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. “Lista përfundimtare e zgjedhësve e datës 13.05.2013 është gjeneruar pranë çdo njësie të qeverisjes vendore për printim. Lista e zgjedhësve përfundimtare përmban 3,270,936 zgjedhës. Pra 3,270,936 zgjedhës janë afishuar qartë pranë 5,506 qendrave të votimit në çdo njësi të qeverisjes vendore. Në listën përfundimtare të zgjedhësve nuk ka asnjë qendër votimi, përveç atyre të lejuara me ligj, që të jenë jashtë kufijve numerikë. Për sa u përket dublimeve: -Më datë 12.12.2012, janë dërguar në zyrat e gjendjes civile për kontroll 7,674 rekorde të dyshuara si të dubluara. Pas gjenerimit të Listës Përfundimtare më 13 maj, u bënë kontrollet për dublimet dhe rezultuan në fund të procedurave 1,139 rekorde të personave të dyshuar si të dubluar. Për 6,535 rekorde kemi marrë përgjigje nga zyrat e gjendjes civile, që nuk janë dublime ose janë pastruar: -3,101 janë raportuar si persona të ndryshëm (binjakë); – 2,253 janë pastruar si dublime; -293 rekorde të bllokuar (me dokumente false); -888 rekorde kanë aplikuar për kartë; -750 zgjedhës nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe nuk janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile”, tha Poni.

Listat e zgjedhesve

Për sa u përket dublimeve, numri dy i Ministrisë së Brendshme theksoi se “numri është fare i ulët dhe nuk paraqet problem. Nëse nuk kemi informacionin a është dublim apo është person tjetër, nuk mund të hiqen nga lista, por janë shumë pak si numër. Përveç kësaj, askush nuk mundet të votojë dy herë, sepse do të votojë me dokument identiteti, të cilin mund ta marrësh vetëm një herë, dhe ai shënohet në mënyrë elektronike, dhe jo vetëm në regjistrat zgjedhorë”. “Askush nuk mund të votojë dy herë. Është teorikisht dhe praktikisht e pamundur. Çdo person do të votojë me dokumente identifikimi që lëshohen vetëm një herë, plus që është edhe boja në gisht që identifikon personin që ka votuar”, theksoi Poni. Çudia është se Poni hedh poshtë se ka zgjedhës pa një adresë të caktuar. “Nuk ka asgjë zgjedhës në Republikën e Shqipërisë pa adresë zgjedhore të identifikuar, – ky numër është zero! Ata shtetas që i quani me numrat 888 ose 999 e dinë shumë mirë se në cilën bashki a komunë do të votojnë dhe numrin e qendrës së votimit. Ajo që nuk dinë bashkitë apo komunat, në gjysmën e të cilave drejtojnë socialistët, është shtëpia ku këta qytetarë banojnë. Ndonjëherë shtëpia mund të jetë në Itali apo Amerikë apo vend tjetër, prandaj nuk ka se si të duket pjesa e adresës së banimit të shtetasit. Kjo vjen për shkak të detyrimit tonë sine qua non, që të jetë në listë çdo qytetar mbi 18 vjeç, pavarësisht nëse e dimë apo jo adresën e shtëpisë së tij”, tha zëvendësministri.