Seit Mancaku: Standardi nuk duhet të preket

Seit Mancaku: Standardi nuk duhet të preket

112
0
SHPËRNDAJE

Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe mblidhet sot për të diskutuar mbi zhvillimin e gjuhës gjatë këtyre viteve

Pamje nga salla, ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe“Drejtshkrimi nuk është vetëm një çështje shkencore, por edhe një problem i rëndësishëm shoqëror, sepse është shprehje e drejtpërdrejtë e njësimit të gjuhës letrare kombëtare, e cila luan një rol të dorës së parë në forcimin e vetëdijes kombëtare, në zhvillimin e jetës mendore”. Kjo është vetëm një nga pikat e dala nga Kongresi i Drejtshkrimit që u mbajt nga datat 20 -25 nëntor 1972 në Tiranë, ku ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, si dhe arbëreshë nga Italia.

41 vjet më pas, historianët dhe akademikët e gjuhës, janë përfshirë shpesh mbi debate, të cilat në thelb kanë në duhet të preket apo jo standardi i vendosur më 1972-in. Sot këshilli ndërakademik do të mblidhet për të diskutuar mbi disa pika të ngritura, të cilat sipas sugjeruesve e pasurojnë standardin, dhe nuk e cenojnë atë. Profesori i historisë, dhe pjesë e Këshillit Ndërakademik prof. Seit Mancaku mendon se “gjuha standarde e vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit, i ka qëndruar kohës dhe nuk ka asnjë të vërtetë në atë që thuhet se standardi i vendosur në vitin 1972 ka dështuar edhe duhet krijuar një standard tjetër”. “Për mua ky është një mendim krejtësisht ekstremist të cilin nuk e ka asnjë nga anëtarët e Këshillit Ndërakademik”, thotë prof. Mancaku. Por sipas tij, nuk mund të thuhet që gjuha me zhvillimet e saj nuk ka nevojë për asnjë ndryshim. “Në këshill është shprehur kjo, që sigurisht që gjuha është një fenomen shoqëror që zhvillohet bashkë me ndryshimet që ndodhin në shoqëri, disa prej ndryshimeve pasqyrohen edhe në gjuhë dhe mund të ketë nevojë që disa nga këto zhvillime të reja të zënë vend në manualet dhe kodet gjuhësore që paraqesin standardin. Ndoshta duhet të shtohet fjalori gjuhësor me fjalë të reja që kanë hyrë këto vite, duke u pasuruar.

Qëllimi kryesor i të gjitha diskutimeve shkencore është që të pasurohet standardi dhe të përmirësohet në ato pika që mendohet se duhet ndryshuar. Por nuk bëhet fjalë për të krijuar një drejtshkrim tjetër, nuk bëhet fjalë as për të krijuar një bazë tjetër dialektore, siç thonë. Por pas mbledhjes së sotme do të vendosim konkretisht”, thotë prof Mancaku. Dhe pse gjuha zhvillohet dhe ndryshon me kohën, kodet që përcaktojnë rregullat e standardit nuk mund të ndryshojnë kaq shpejt. “Standardi duhet të ketë qëndrueshmëri se po të përpiqemi ta ndryshojmë standardin sa herë vëmë re se ndryshon shqiptimi i fjalëve ose gjuha e folur, aq më tepër që sot gjuha e kryeqytetit ka mjaft dallime me gjuhën e kryeqytetit dikur, pasi ka një përbërje të ndryshme popullsie, kanë ardhur banorë nga zona të ndryshme të vendit dhe ka një përzierje të gjuhës së folur. Ne duhet të punojmë që këta të vijnë të ngrihen në nivelin e standardit, të bëjnë që ata ta përvetësojnë standardin, sepse sigurisht që ata s’e njohin standardin dhe nuk është faji i tyre, duhen krijuar mundësi që ata ta njohin standardin”, thotë prof. Mancaku. Ajo çfarë vihet re këto 20 vite është një kujdes ndaj gjuhës. Një kujdes që sipas tij nuk duhet ta kenë vetëm institucionet që merren me studimin e saj, por edhe shteti.

“Duhet të ketë strategji të institucioneve për mbrojtjen e gjuhës duhet të ketë redaktorë në shtëpitë botuese që të kujdesen për botimet që vijnë në gjuhën shqipe, duhet të kenë kujdes të gjithë ata që flasin publikisht në përdorimin e gjuhës standarde dhe të mos përdorin vend e pavend fjalë të huaja”, shprehet historiani i njohur i gjuhës. Për sa i përket mbledhjes së sotme të Këshillit Ndërakademik, por dhe punës së këtij këshilli, prof. Mancaku thotë se ky këshill nuk është krijuar vetëm për ndryshimet në standard, por “për të hartuar strategji dhe politikat që duhen ndjekur për zhvillimin, pasurimin dhe përmirësimin e gjuhës”. “Këshilli ndërakademik arrin në përfundimin fjala vjen se ka ende leksik dialektor që ende nuk është pasqyruar nëpër fjalorë, ky leksik që ekziston në popull, në të folur, por dhe në veprat e autorëve që ndoshta nuk janë njohur deri më sot për arsye nga më të ndryshmet të vilet, të nxirret dhe të përfshihen në fjalorët që hartohen tani e tutje. Për çështjen e pastrimit të gjuhës, ky këshill bashkë me grupet që ka formuar të ndjekë edhe gjuhën e shtypit, masmedias në përgjithësi dhe të nxjerrë problemet që ka gjuha publike”, thotë Mancaku. Sipas tij, gjithë anëtarët e Këshillit nuk është se kanë pas një prapavijë institucionale, por janë vullnetarisht aty. Pak kohë më parë prof. Emil Lafe, pjesë e këtij këshilli u largua, pasi nuk ishte dakord me ndryshimet që propozoheshin. Sipas tij po tejkalohej masa e kërkesave për ndryshim në atë shkallë sa prekej standardi i gjuhës. Për sa i përket standardit profesor Mancaku është i prerë kur thotë se “nuk duhet të preket”. Sipas tij, diskutimet nuk kanë përfunduar për të dalë në konkluzionin është tejkaluar apo jo standardi”. Këshilli ndërakademik ka detyra të tjera shumë më të rëndësishme dhe mendoj se është zgjatur shumë, në problemin e drejtshkrimit dhe janë lënë pa diskutuar shumë gjëra të tjera, që ka të bëjë me politika gjuhësore që duhet të ndjekë sot si për shembull me problemin e marrëdhënies së gjuhës standarde me shkollën, sesi duhet edukuar brezi i ri me standardin, mënyrën sesi duhen harmonizuar njohuritë në shkollë me standardin dhe me dialektet njëkohësisht. Këshilli detyrë kryesore ka të merret me pasurimin e standardit që është problem themelor”, thotë profesor Mancaku. Katër pikat ku pritet të vendoset diskutimi në mbledhjen e sotme të këtij Këshilli janë “ajo e drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar; e drejtshkrimit të disa fjalëve me l ose me ll; e drejtshkrimit të disa fjalëve që kanë dyshkronjësha; dhe e disa fjalëve me togje zanoresh, ua, ue, oo si zooteknik, etj”. Këshilli Ndërakademik i Gjuhës është një grup pune i themeluar në vitin 2004 me një marrëveshje mes dy Akademive të Shkencave, asaj të Prishtinës dhe të Tiranës. Sipas vendimit të themelimit, ai mblidhet 3 herë në vit, një vit në Tiranë e një në Prishtinë.