Gjuha shqipe, e duan vetëm 10% e studentëve

Gjuha shqipe, e duan vetëm 10% e studentëve

115
0
SHPËRNDAJE

Universitetet 

Krerët e fakulteteve hedhin në diskutim mundësinë për ta bërë lëndën, pjesë të programit bazë

Deklarata – Numri i studentëve që zgjedhin të mësojnë gjuhën shqipe janë të pakët, nuk arrijnë as në masën e 10 për qind në total

Gjuhët e Huaja – Të rinjtë që kanë probleme në mësimin e gjuhëve të huaja, kanë sidomos mangësi me njohjen e gjuhës shqipe

Diskutimi – Duke qenë se numri i studentëve që e zgjodhën gjuhën shqipe është i vogël, po mendojmë që ta kthejmë në lëndë të detyruar

Shpresa Mezini

OLYMPUS DIGITAL CAMERAVjet, gjuha shqipe është përfshirë si lëndë me zgjedhje në të gjitha fakultetet e vendit. Bëhet fjalë për ato institucione, të cilat nuk e kanë pasur kurrë më parë në programet kurrikulare këtë lëndë. Nisma për përfshirjen e gjuhës shqipe në të gjitha kurrikulat akademike erdhi si domosdoshmëri për t’u ardhur në ndihmë studentëve, të cilët shfaqin mangësi të theksuara në këtë lëndë, ndonëse është gjuha amtare. Por, edhe pse lënda e gjuhës shqipe është pjesë e çdo programi, jo vetëm të shkencave sociale, por edhe tek ato natyrore, studentët vendosin të mos zgjedhin ta studiojnë atë. Voltisa Meçe, kryesekretarja e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë thotë se nga komunikimet me kolegët e saj, numri i studentëve që zgjedhin të mësojnë gjuhën shqipe janë të pakët, nuk arrijnë as në masën e 10 për qind të rinjve në të gjitha fakultetet e vendit. Të njëjtin qëndrim mban edhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, i cili mendon se përfshirja e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje, nuk ishte efektive, duke pasur parasysh numrin e atyre që e kanë zgjedhur.

Hysa thekson se gjuha shqipe është shumë e rëndësishme edhe në Fakultetin e Mjekësisë, për rrjedhojë duhen marrë masa të tjera për t’i dhënë asaj rëndësinë e duhur. Kështu, Hysa nuk përjashton mundësinë e përfshirjes së gjuhës shqipe në kurrikul si lëndë bazë, jo me zgjedhje.

“Ne nuk kemi mundur ende të realizojmë një sensibilizim masiv të studentëve. Mbase duhen gjetur forma më stimuluese. Kemi kërkesa të reduktuara për ta futur si lëndë me zgjedhje. Kemi menduar që ta lëmë në ditët e fundit duke grumbulluar kërkesa e duke e lënë në dorë të studentëve për ta zgjedhur si lëndë me një numër kreditesh të caktuara”, sqaroi dekani i Fakultetit të Mjekësisë.

Sipas tij, studentët nuk e kanë kuptuar ende rëndësinë e zhvillimit të kësaj lënde, e cila jo vetëm që forcon njohuritë e tyre në këtë fushë, por ia bën atyre më të lehtë provimin e shtetit, ku ata do të testohen edhe për gjuhën shqipe.

Mosnjohja e gjuhës shqipe ka ngritur njëzëri edhe përfaqësues të tjerë fakultetesh, siç është edhe dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra. Ajo thotë se të rinjtë kanë probleme në mësimin e gjuhëve të huaja, për të cilat zgjedhin të studiojnë, arsye që lidhet ngushtë me mosnjohjen e gjuhës shqipe.

Vjet për herë të parë, pas një sërë debatesh mbi njohuritë që kanë të rinjtë në gjuhën shqipe, që në më të shumtën e rasteve rezultojnë të dobëta, kjo lëndë u bë pjesë e kurrikulës me zgjedhje, jo bazë. Kështu, në të gjitha fakultetet e vendit, edhe në ato me profil shkencor lënda e gjuhës shqipe mund të zhvillohet lehtësisht, por vetëm nëse studentët e përzgjedhin, e cila këmbehet me kredite shtesë. Kjo nismë erdhi jo vetëm në shërbim të studentëve, por edhe si një nismë e rëndësishme në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, theksoi se futja e gjuhës shqipe në fakultetet e UT-së, por jo vetëm ishte e domosdoshme, pasi ka rezultuar se në përgjithësi ata që mbarojnë arsimin e lartë kanë mangësi në njohjen e shqipes bazike. “Elementet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe do të futen si lëndë me zgjedhje. Kjo nismë erdhi si nevojë e konstatimeve të verifikuara nga përdorimi i gjuhës shqipe nga të gjithë specialistët e fushave të ndryshme. Në nivelin universitar, elementet e trajtimit, futjes në kurrikul të mësimit të gjuhës shqipe janë elemente që nuk kanë të bëjnë me përsëritje, po për të zgjidhur nevojat dhe shqetësimet që janë verifikuar në përdorimin e saj”, shpjegoi Kule, rreth 2 muaj më parë.