Rritja e nivelit të liqenit, uji “pushton” periferinë e qytetit

Rritja e nivelit të liqenit, uji “pushton” periferinë e qytetit

126
0
SHPËRNDAJE

Shkodër

Përmbytja ka përfshirë edhe Xhaminë e Plumbit

Myftinia – Imam Muhamet Syrtari tha se përmbytja e Xhamisë së Plumbit është një turp i madh dhe një fatkeqësi e madhe për Zotin

Remzi Myrtja, i revoltuar shprehet se shtëpia e tij është përmbytur gjashtë herë për dy vite

Ardi Hoti

Moti i keq ka sjellë përmbytje të reja në veri të vendit, ku përveç Nënshkodrës, uji ka prekur edhe disa lagje periferike të qytetit të Shkodrës. Në lagjen “Tophanë” të Shkodrës, uji ka hyrë nëpër banesa dhe biznese që në orët e para të mëngjesit, për shkak të rritjes së nivelit të liqenit. Përmbytja ka përfshirë edhe një nga monumentet e kultit, nga më të njohurat në Shkodër, pikërisht Xhaminë e Plumbit. Ndërkaq, specialistët shprehen se situata pritet të jetë e njëjtë edhe për 72 orët e ardhshme.

Banesat në qytet

Me shtimin e reshjeve të shiut dhe shkarkimet që po bëhen nga hidrocentrali, harta e përmbytjes në zonën e Shkodrës është zgjeruar mëngjesin e djeshëm. Pas zonave të Nënshkodrës, disa banesa janë përmbytur në lagjen “Tophanë”, brenda të cilëve mund të hyhet vetëm me çizme, ndërkohë që prezenca e ujit i ka bërë për momentin të pabanueshme. Kryefamiljari Remzi Myrtja, i revoltuar shprehet se shtëpia e tij është përmbytur gjashtë herë për dy vite dhe kjo nuk mund të quhet më jetesë. “Shtëpia është shkatërruar komplet. Është e gjashta herë që përmbytet dhe nuk kam marrë asnjë dëmshpërblim. Si unë ka me dhjetëra të tjerë, por kanë frikë të flasin se mos i heqin nga puna”, thotë Myrtja. Uji ka hyrë në shumë banesa në këtë lagje, që ndodhet pranë liqenit të Shkodrës. Nga përmbytja është përfshirë edhe zona e Livadheve, ku dhjetëra banesa janë rrethuar ujërat e liqenit. Bashkia e Shkodrës kishte njoftuar të mërkurën banoret e zonës që të largoheshin nga banesat, por pjesa më e madhe e familjeve refuzuan evakuimin për shkak se nuk kanë se ku të shkojnë. Kjo situatë po krijohet nga shkarkimet e mëdha në lumin Drin, i cili pengon rrjedhjen e Bunës e për pasojë sjell rritjen e Liqenit të Shkodrës.

Xhamia e Plumbit

Përmbytja ka përfshirë edhe Xhaminë e Plumbit, ndërkohë që përmbytjet e përsëritura kanë sjellë reagimin e myftiut të Shkodrës, Imam Muhamet Syrtari. “Ky është një turp i madh dhe një fatkeqësi e madhe për Zotin. Ditën e djeshme i kam dërguar një shkresë ministrit të Kulturës, ku i kam kërkuar një ndërhyrje të menjëhershme. Shpresoj që me ardhjen e stinës të pranverës të gjallërojnë edhe vullneti apo dëshira te Ministria e Kulturës dhe te qeveria shqiptare për të ardhur të paktën dhe për ta parë Xhaminë e Plumbit. Bëj një thirrje për të gjithë deputetët e Shkodrës, të paktën të kenë mirësinë njëherë në jetën e tyre, të vijnë dhe të bëjnë një vizitë te Xhamia e Plumbit”, thotë Imami. Xhamia e Plumbit, në lagjen “Ajasëm” të Shkodrës përmbytet çdo herë që hapen portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Pavarësisht se është një objekt i trashëgimisë kulturore dhe është folur shumë herë për mbrojtjen dhe rikonstruksionin e saj, asgjë nuk është bërë, vetëm uji nuk mungon asnjë vit në këtë xhami nga më të famshmet në Shqipëri.

72 orë nën ujë

Sipas specialistëve në Qendrën Kombëtare të Parashikimit të Rreziqeve Natyrore, në 72 orët në vijim, situata në pjesën veriore të vendit pritet të normalizohet, kjo në veçanti për Liqenin e Shkodrës, që ka pasur një rritje të madhe të nivelit të tij ditët e fundit. Ndërsa në zona të tjera të vendit sipas specialistëve nuk parashikohen përmbytje. “Ne mendojmë se për ditët në vijim ky rrezik sa vjen dhe ulet. Për momentin, pjesa më e vështirë që kemi parë deri më sot është ajo te Liqeni i Shkodrës, i cili edhe dje ka ruajtur nivele të larta”, thanë specialistët. Sipas tyre, prurjet e lumenjve që vijnë nga Mali i Zi kanë rritur nivelin e Liqenit të Shkodrës, i cili ka dalë mbi sipërfaqen e tij të zakonshme, duke përmbytur pedonalen në hyrje të qytetit. Një situatë e tillë e ngjashme është edhe në zonën e Shirokës.

 

Moti i keq 

Shkodër – Specialistët thonë se situata e përmbytjeve në Shkodër pritet të jetë e njëjtë për 72 orët e ardhshme dhe më pas do normalizohet

Vjosa – Erozioni i shkaktuar nga gërryerja e brigjeve të shtratit të lumit Vjosa rrezikon shembjen e një shtylle të tensionit të lartë

Anija – Moti i keq dhe një defekt në motor ka rrezikuar mbytjen e një anije, me të cilën udhëtonin të nisur nga Otranto për në Durrës