Studentja u përdhunua nga mjekët në Austri

Studentja u përdhunua nga mjekët në Austri

182
0
SHPËRNDAJE

Megaskandali – Abuzimi seksual u denoncua më 6 shkurt në Prokurorinë e Përgjithshme, por burimet zyrtare të organit qendror të akuzës shprehen se nuk janë në dijeni të një kallëzimi të tillë

Taulant Balla – Prokurorit të Përgjithshëm i ka dërguar letër edhe deputeti socialist, Taulant Balla, i cili kërkon edhe ai nisjen e procedimit penal për gjetjen e atij që ai e quan krim makabër

Aksidenti i Himarës

Vëllai i Florije Pecit denoncon në prokurori abuzimet, kur motra ishte në spital

Florije PeciMjekësia është pushtuar nga një megaskandal, pas një denoncimi tronditës që ka bërë familja e njërës prej studenteve të aksidentuara në Himarë në maj të vitit të kaluar, ku 13 persona humbën jetën. Bëhet fjalë për Florije Pecin, e cila u kurua në Austri për shkak të plagëve të rënda, ku dyshohet se në gjendje të rëndë dhe të pavetëdijshme, është përdhunuar dhe lënë shtatzënë, ndërkohë që sot ndodhet në një nga maternitetet e Tiranës. Vëllai i vajzës 22-vjeçare, me të cilën dyshohet se është abuzuar nga stafi mjekësor në Austri ka kërkuar një hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërkohë që kjo e fundit deklaroi se letra nuk u ka ardhur zyrtarisht, por shtoi se nëse vjen një kërkesë e tillë, atëherë do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme. Për historinë tronditëse, familja Peci nga fshati Katjel i Përrenjasit, ka vënë në dijeni edhe deputetin socialist të zonës, Taulant Ballën, ndërkohë që po botojmë edhe kopjen e kallëzimit të plotë, që është dorëzuar nga vëllai i Florijes më 6 shkurt të këtij viti.

Letra e vëllait

Më datë 11.10.2012, Florija u kthye në Shqipëri dhe qëndron në familjen tonë në Katjel, Rrajcë, Librazhd. Akoma është në gjendje të vështirë shëndetësore. Në fund të muajit janar 2013, Florija kishte disa shqetësime shëndetësore dhe për këtë shkak e sollëm për vizitë e kontroll mjekësor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Aty u konstatua se ishte shtatzënë. Më 25 janar 2013, u shtrua për trajtim mjekësor. Specialistët kanë konkluduar që konceptimi i shtatzënisë është në periudhën 20-25 shtator 2012. Në këtë periudhë, Florija ka qenë e shtruar në Klinikën NEUROLOGISCHES THERAPIEZENTRUM GMUNDNERBERG, Almunscher, Austri.

 

Unë që po ju drejtohem me këtë kallëzim jam Gazmend Peci, vëllai i Florije Selman Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur nga një ngjarje shumë e rëndë që na ka ndodhur. Motra ime, Florije Peci, në aksidentin automobilistik të datës 23.05.2012, ndodhur në rrugën automobilistike Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, pësoi dëmtime të rënda shëndetësore. Brenda ditës, me interesimin e organeve më të larta të shtetit, u dërgua në gjendje kome për një mjekim të specializuar në Austri. Florija u shtrua në klinikën NEUROLOGISCHES THERAPIEZENTRUM GMUNDNERBERG, Almunscher, Austri. Për më shumë se 55 ditë, ajo qëndroi në koma dhe nën një terapi intensive mjekimi. Në kushte reanimacioni, në këtë klinikë u mjekua deri më datë 30.08.2012. Nga data 30.08.2012 deri 11.10, pas daljes nga gjendja e rëndë, vazhdon periudha rehabilituese me fizioterapi e mjekime të tjera.

Zoti prokuror! Motra ime, Florije Peci, është përdhunuar në kushtet e spitalit, ku ka qenë e shtruar për kurim. Me motrën time janë kryer marrëdhënie seksuale, në kohën ku ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk kishte mundësi të mbrohej. Veç kësaj, nga aksidenti automobilistik i datës 21 maj 2012, Florija pësoi dëmtime të rënda në kokë. Pasojat e dëmtimeve në kokë janë të dukshme ende edhe sot. Ndaj motrës sime është kryer një vepër e rëndë penale, e cila rrezikon jetën dhe shëndetin e saj. Veç hallit që na ka zënë si familje, për shëndetin e Florijes, na ka rënë një njollë e rëndë turpi. Ne jemi një familje e varfër që me këto që na ndodhën, kemi shkuar në kufijtë ekstremë të varfërisë po detyrohemi të vuajmë këtë njollë e turp të madh. Kërkojmë nga prokuroria të nisë procedimin penal për të gjetur autorët e vërtetë të këtij krimi makabër që ka goditur familjen tonë. Duam të dalë e vërteta dhe shkaktarët të ndëshkohen sipas ligjit.

Prokuroria dhe Balla

florije peci

Sipas të dhënave, ky kallëzim ndodhet në duart e prokurorëve, për të cilën familja e vajzës së mbijetuar në aksidentin e Himarës, kërkon të gjendet personi që ka abuzuar me Florije Pecin. Ndërkohë, Prokurorit të Përgjithshëm i ka dërguar një letër edhe deputeti socialist, Taulant Balla, që si deputet i Librazhdit kërkon edhe ai nisjen e procedimit penal për gjetjen e atij që ai e quan krim makabër. Megjithatë, vetë Prokuroria e Përgjithshme deklaroi mbrëmë zyrtarisht se nuk është vënë në dijeni të kësaj letre. “Nëse një letër e tillë do të vijë në Prokurorinë e Përgjithshme, atëherë do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme dhe po rezultoi se kemi të bëjmë me vepër penale, menjëherë do të nisë procedimi penal”, deklaruan burimet zyrtare të organit qendror të akuzës. Nga ana tjetër, deputeti socialist, Taulant Balla, kërkon nga kryeprokurori Llalla që të gjenden autorët, jo vetëm në Austri, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që ishin përgjegjës për vajzën, e cila në mirëbesim nga familja iu dorëzua autoriteteve shqiptare për kurim jashtë vendit.

Dyshimet e para

Sipas të dhënave, Florije Peci u kthye në Shqipëri më 11 tetor, ndërkohë që ajo vazhdon të kurohet për shkak të paralizës. Duke kaluar ditët, familjarët, por edhe vetë studentja e aksidentuar kanë vënë re se asaj po i rritej barku, por nuk kanë dyshuar, derisa ajo ka pasur probleme shëndetësore. Dyshimet më të mëdha kanë ardhur kur ajo po festonte ditëlindjen, pikërisht më 15 janar të këtij viti. Të nesërmen, familja e ka dërguar Florijen për vizitë dhe ka rezultuar se ajo ishte afërsisht 4 muaj shtatzënë, ndërkohë që sot është pak më pak se pesëmuajshe. Në këto kushte, mësohet se familja nuk ka qenë dakord për lindjen e fëmijës, të cilën ajo e mban në bark, duke kërkuar që ajo të ndërpresë shtatzëninë. Gjithashtu, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Florija dhe aktualisht, ajo është e shtruar në maternitet, në pritje të vendimit për heqjen e fëmijës. Në lidhje me këtë shqetësim, familja ka pyetur edhe studenten e aksidentuar, por ajo nuk mban mend asgjë gjatë kohës së qëndrimit në spitalin e Austrisë. Nga ana tjetër, ligjet shqiptare nuk e lejojnë ndërprerjen e shtatzënisë pas muajit të tretë, veç në rastet kur ka komplikacione. Aktualisht pritet të kryhen verifikimet, ndërkohë që ende nuk ka asnjë reagim zyrtar mbi këtë megaskandal, as sa i përket mjekësisë shqiptare, ose asaj të Austrisë, ku studentja ka qenë e shtruar dhe dyshohet se është abuzuar seksualisht me të.

 

Aksidenti

Për kurimin në Vjenë u interesua edhe ambasadori Vili Minarolli

Historia e Florije Pecit, qëndroi 55 ditë në koma

Studentja Florije Peci u aksidentua më 21 maj 2012. Pësoi dëmtime në kokë dhe shtyllën kurrizore. Fill pas aksidentit, ajo u dërgua në Austri për mjekim. Pas pesë muajsh mjekimi, ajo ka dalë nga koma dhe është kthyer në Shqipëri në muajin tetor të vitit të kaluar. Mësohet se në koma ka qëndruar për një periudhë 55-ditore. Madje, lajmin që ka dalë jashtë rrezikut për jetën, e ka dhënë edhe ambasadori Vili Minarolli, i cili tha atëherë se “Florija do të kthehet në atdhe shëndoshë e mirë me këmbët e saj dhe shëndet të plotë mendor”.

Mjekët e atij spitali u thanë diplomatëve shqiptarë se vajza ishte shëruar dhe truri i saj ka reaguar pozitivisht pas testeve të bëra. “Përgjigjet treguan se nuk ka asnjë pasojë. Florija nuk ka pasur probleme të dëmtimit në tru, pasi mendohej se koma e zgjatur mund të kishte dëmtime në kokë, por fakti i mbrëmshëm e tregoi se ajo nuk ka pasoja”, u shpreh Minallori në atë kohë, menjëherë pas lajmit të mirë se kishte dalë nga koma.

Minallori theksoi se në zgjim, Florija u gjet pranë kujdesit të mjekëve austriakë dhe atdhetarëve shqiptarë që ndodhen në Austri, ndërkohë që tha për mediat se këtë lajm të lumtur ua dha edhe Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, dhe Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi. Ndërkohë, krahas Florije Pecit, në Austri u kurua edhe Eriselda Gubere, e cila doli nga koma më 15 qershor të vitit të kaluar.

Studentja 22-vjeçare nga Librazhdi pësoi aksident në 21 maj 2012, në Qafën e Vishës në Himarë, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Sipas hetimeve të policisë, shkak i aksidentit ishte shpejtësia tej normave dhe mosreagimi në kohë i shoferit të autobusit për të kontrolluar në kthesë shpejtësinë e mjetit. Por familjarët e drejtuesit të autobusit, Pëllumb Çela, i cili humbi jetën në aksident, pretendojnë se autobusi nuk ishte në gjendje të mirë teknike.