Grupet speciale të antikrimit,“peng” i mungesës së fondeve

Grupet speciale të antikrimit,“peng” i mungesës së fondeve

469
0
SHPËRNDAJE

Raporti: Rritja e kriminalitetit, për mungesë të hetimit special

Pagat e ulëta dhe mohimi i përfitimeve mund të sjellin edhe korrupsion brenda policisë

Bledi Gilaj

Dietat e papaguara prej më shumë se një viti për forcat speciale të policisë janë ngritur si shqetësim herë pas here, por tashmë, veç tyre, policia nuk ka para të mbajë as strukturat e krijuara rishtazi, pikërisht për hetimin e krimeve dhe që varen drejtpërdrejt nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, vetë policia deklaron se rritja e krimeve të rënda, sipas një raporti të shpërndarë prej specialistëve të saj, vjen për shkak të disa faktorëve, ku një prej tyre është mungesa e hetimeve speciale për kapjen e grupeve të strukturuara kriminale që kryejnë këto lloj veprash penale. E pikërisht për këto hetime është krijuar edhe struktura e re e policisë, por deri më sot nuk është angazhuar në asnjë veprim hetimor për shkak të mungesës së fondeve, pavarësisht se ka më shumë se dy muaj që ka hyrë në zbatim.

Struktura e paangazhuar

Në muajin nëntor, policia mësohet se ka krijuar një strukturë të re, në varësi të Departamentit të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas kësaj strukture, janë tre grupe, që kanë varësi direkt nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj, të cilët janë me qendra në Tiranë, Vlorë dhe Pogradec. Kjo strukturë është ndërtuar pikërisht për hetime speciale të krimeve të rënda. Megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy muaj nga implementimi i saj, operacionet e realizuara prej tyre, janë pothuajse në nivelin zero. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se kjo ndodh për shkak të mungesë së fondeve. Sipas tyre, këto struktura, nga lloji i punës që kanë, kryejnë shërbime, të cilat kushtojnë si për orët jashtë orarit zyrtar të punës, ashtu edhe për dietat. Megjithatë, këto pagesa nuk janë lëvruar nga qeveria për policinë shqiptare që prej muajit janar të vitit 2012. Këtu bëhet fjalë për dietat e papaguara të forcave speciale, të cilat janë në varësi të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, siç janë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe repartet e tjera speciale. Në këto kushte, policia nuk ka marrë guximin të angazhojë strukturat e reja speciale për krimet, pasi nuk dihet se kur mund të lëvrohen këto fonde, ndërkohë që kërkohen edhe shpenzime të tjera operative.

Kriminaliteti dhe fondet

Por, si lidhet rritja e kriminalitetit me mungesën e fondeve është sqaruar vetë në raportet e policisë, të cilat janë publikuar më parë, por që edhe së fundmi. Sipas raportit të fundit të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për problemet me zbulueshmërinë e krimeve të rënda në vendin tonë kanë ndikuar disa faktorë, të cilat janë publikuar nga “Shqip” edhe më parë, duke filluar që nga mosevidentimi i veprave penale, mungesa e theksuar e informacionit dhe mungesa e hetimeve në kohë aktive. Dy prej këtyre faktorëve, informacioni dhe hetimi në kohën reale lidhen edhe me këto struktura të policisë, të cilat sot nuk kanë fonde për të kryer punën e tyre. Në këto kushte, hetimet nuk krihen në kohë aktive, e respektivisht sjellin edhe mungesën e informacionit, që ndikon në uljen e zbulueshmërisë. E gjitha kjo shkaktohet pikërisht për shkak të fondeve të padhëna ndaj policisë, duke ia lënë buxhetin të cunguar, veprim, i cili duket se ka ndikuar në rritjen e kriminalitetit.

Policët dhe korrupsioni

Politikat e ndjekura nga policia ka lënë shteg të hapur edhe për korrupsionin në radhët e saj. Ky fenomen vjen për shkak të disa ndalesave apo mohimeve që u janë bërë uniformave blu ndër vite. Publiku e ka vënë re më së shumti pjesën e korrupsionit te policët rrugorë. Por, sipas të dhënave, me ligjet e mëparshme, punonjësi i policisë rrugore përfitonte 10 për qind të vlerës totale të gjobave të vendosura gjatë shkeljeve që kishte konstatuar në kryerjen e detyrës së tij. Kjo vlerë është hequr nga përfitimet e punonjësit të policisë, duke krijuar terren që ai të pranojë më shpejt ryshfetin sesa të vendosë gjobën, pasi në rastin e kundërvajtjes, përfitimi i tij personal është zero. Ndërkaq, në një raport të realizuar në fund të vitit 2011, ku pjesë të grupit të punës ishin edhe vetë policët, deklarohej qartë se niveli i të ardhurave për familjet e punonjësve të policisë bën të mundur që punonjësit aktualë të jenë të pamotivuar, pasi nuk plotësojnë nevojat minimale të jetesës, duke bërë të mundur që shpeshherë ata të bëhen objekt për abuzime me detyrën si rastet korruptive apo veprimtari të tjera të jashtëligjshme. Njëkohësisht, punonjësit me pagesën aktuale nuk janë të motivuar, pasi trajtimi financiar nuk plotëson nevojat minimale të tyre, kjo duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës, punën jashtë vendbanimit, gjendjen familjare të punonjësve etj. Gjithashtu, punonjësi i policisë nuk mund të ushtrojë të drejtën e dypunësimit për shkak të natyrës së punës policore, duke hequr çdo mundësi tjetër për rritjen e të ardhurave familjare.

Studimi

Pesë mohimet që u bëhen uniformave blu, pavarësisht se janë shpërblime të përfituara me ligj

Përfitimet e mohuara kanë ulur 30% të pagës

Nëse qeveria do t’u jepte efektivëve të policisë përfitimet financiare të miratuara me aktet normative, të cilat nuk u jepen prej disa vitesh, paga mujore e një punonjësi të tillë do të rritej deri në 30 për qind. Ky konkluzion del nga pesë përfitime të mohuara prej disa vitesh, me argumentin se nuk ka para dhe policët vazhdojnë të heshtin, duke pritur se do të bëhet më mirë. Sipas analizave të ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të gjitha përfitimet financiare që nuk i jepen punonjësit të policisë, përbejnë rreth 1 miliard e 547 milionë lekë të reja, ose 19.5 për qind të fondit të pagave. Ky fond që nuk i jepet policisë nga Ministria e Financave do të bënte që punonjësit e policisë të përfitonin financiarisht nga 20-30 për qind pagë më të lartë. Paga do rritej në nivelin më të lartë për nivelin më të ulët të policisë për shkak të vlerave fikse që përfiton me ligj çdo punonjës policie, por që sot nuk e marrin shumica dërmuese e tyre.

Sipas akteve normative ka një sërë trajtimesh financiare, të cilat nuk u jepen punonjësve të policisë. Një prej tyre është vjetërsia në punë, që mbetet shqetësimi kryesor i gjithë punonjësve të policisë. Vjetërsia në punë, që e përfitojnë të gjithë punonjësit e Administratës Publike, nuk jepet për punonjësit e policisë nga viti 2003 e në vazhdim, megjithëse është e përcaktuar në nenin 88, pika 4 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, duke bërë që punonjësit të marrin aktualisht deri në 18 për qind më pak të ardhura mujore. Mesatarja e vjetërsisë në punë e punonjësve të policisë është rreth 13 për qind. Me një vendim të dalë nga qeveria që në vitin 2007, punonjësit e policisë përfitojnë shtesë page vetëm për vjetërsi në gradë dhe jo për vjetërsi në punë. Por, vjetërsinë në gradë e përfitojnë që nga viti 2007, kur u fut ligji i ri i policisë dhe jo që nga fillimi i karrierës së tyre, duke u mohuar shumë vite punë.

Përfitimi i dytë që punonjësit e policisë nuk marrin është trajtimi ushqimor, pavarësisht se ky trajtim është i miratuar me VKM 494 datë 01 gusht 2007. Por, moszbatimi i këtij akti ka bërë që çdo punonjës realisht të mos marrë rreth 10 mijë lekë në muaj.

Punonjësve të policisë, përveç trajtimit të ulët financiar, gjatë kryerjes së detyrave u krijohen privacione si në rastet e transferimeve jashtë vendbanimit të tij, duke u sjellë pasoja direkte financiare, në të shumtën e rasteve të parikuperueshme, si papunësia e bashkëshortes, fëmijëve, si dhe të qenët i pastrehë. Në disa raste, për papunësinë e bashkëshortes janë dhënë paratë, por për banesën dhe për fëmijët, punonjësit të policisë nuk i janë kompensuar shpenzimet.

Gjithashtu, punonjësi i policisë nuk përfiton pagën e 13-të në fund të vitit sipas nenit 88, pika 5 e ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Mungesa e kësaj page ul 8.3 për qind të pagës vjetore.

Ndërkaq, si rezultat i numrit të ulët të punonjësve, ka shumë poste pune që punojnë me sistem 24 orësh, të cilat në 98% të rasteve janë me 4 punonjës policie. Vetëm për plotësimin e javës 40 orëshe të punës, këta punonjës e tejkalojnë limitin prej 40 orë në muaj kohë shtesë, ndërkohë që duke përllogaritur se këta punonjës kryejnë të paktën dhe 40-60 orë të tjera, ata nuk trajtohen financiarisht për mbikohën e punës.