Grabitësit, plumba për të vjedhur “Excange”

Grabitësit, plumba për të vjedhur “Excange”

97
0
SHPËRNDAJE

Fotot e grabitjes

Pronari i dyqanit të këmbimit valutor, Erald Xhihani, rrëfen momentet e tmerrit

“Shqip” siguron pamjet e autorëve gjatë përleshjes në dyqanin e këmbimit valutor në zonën e Institutit

Silvana Muça

“Grabitja ndodhi sa hap e mbyll sytë dhe ato sekonda na janë dukur të përjetshme. Na paralizuan, nën kërcënimin e kallashnikovit dhe nuk patëm mundësi që ta parandalonim grabitjen. Gjyshi i shpëtoi plumbit për mrekulli gjatë përleshjes me njërin prej tyre. Falënderojmë Zotin, që jemi gjallë dhe shpëtuam pa asnjë plagë!”. Kështu e nis rrëfimin Erald Xhihani, pronari i një agjencie të këmbimit valutor, e cila u grabit me armë zjarri vetëm tri ditë më parë në zonën e Institutit në Tiranë, ndërkohë që gazeta “Shqip” ka siguruar fotot ekskluzive të autorëve gjatë momenteve të grabitjes, kur dy persona të maskuar terrorizuan pronarin dhe gjyshin e tij.

Rrëfimi i pronarit

Erald Xhihani, 31 vjeç, ka qenë prezent në momentin që agjencia e tij ra pre e sulmit. Tashmë gjithçka ka kaluar, por ende kujton çastin e tmerrit, sidomos, kur grabitësit qëlluan me armë. Ai nuk e ka të lehtë t’i harrojë sekondat e tmerrit. “Ishte ora 16:45 dhe binte një shi i imët. Nuk kishte shumë lëvizje, prej motit të keq dhe orarit të papërshtatshëm. Unë, vëllai im më i vogël Geisi dhe gjyshi po qëndronim në agjenci. Isha ulur tek kompjuteri që më sheh edhe tani. Këtë e përdorim për shitjen e biletave të avionit dhe tragetit, në shtete të ndryshme të botës. Agjencia kryen shërbime të transfertave të parave dhe shërben për bileta udhëtimesh ajrore. Në ato momente po shikoja diçka, ndërsa Geisi dhe gjyshi ishin brenda banakut, ku shkëmbehen paratë. Në fraksion të sekondës, dy persona të maskuar futen brenda. Njëri kishte një armë zjarri, automatik, ndërsa tjetri u fut me shpejtësi në banak, për të marrë paratë”, tregon ngjarjen Xhihani.

Kamerat e sigurisë

Gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë në këtë biznes privat, pamjet e të cilave janë siguruar edhe nga gazeta “Shqip”. Siç duket në pamje, i pari që hyri në agjenci, mbante në dorë një çadër të zezë. “Kishte veshur një bluzë ngjyrë të bardhë me mbishkrim jeshil, një palë tuta sportive të zeza dhe poshtë bluzës mbante të veshur një pulovër ngjyrë të kuqe. Në kokë kishte vendosur kapuçin e bluzës, ngjyrë gri. Por edhe fytyrën e kishte të mbuluar me maskë të zezë. Për të mos lënë shenja gishtash, mbante doreza të zeza. Ai hap derën me vrull, lë çadrën e zezë mbi dysheme dhe me mjaft sportivitet futet përtej banakut. Urdhëron pronarët që të mos lëvizin prej vendit dhe kërkon prej tyre që të ngrenë duart lart. Ai ndiqej nga bashkëpunëtori, i cili në dorë mbante një kallashnikov. Ishte më i gjatë se shoku i tij. kishte veshur një palë xhinse ngjyrë blu dhe xhup të zi. Në kokë mbante një kapuç të zi, në të cilën kishte mbuluar edhe fytyrën, ndërsa tek duart kishte veshur një palë doreza po ngjyrë të zezë. Grabitësi që u fut përtej banakut bëri një kontroll të shpejtë në të gjithë sirtarët dhe ka arritur që të marrë prej andej rreth 150 mijë lekë.

Kërcënimet në dyqan

Duke parë që sasia e parave nuk ishte e mjaftueshme, mes ulërimave dhe kërcënimeve grabitësi kërkoi çelësin e kasafortës. “Ulërinte me sa të kishte në kokë. Kërkonte çelësin e kasafortës. Nuk reaguam sepse u ndiem të kërcënuar nga personi i dytë që na mbante të drejtuar kallashnikovin. Gjyshi u acarua dhe i tha se çfarë kërkonte më. Në këtë moment nisi të përleshej me grabitësin. Aty përjetova tmerr. Ai që kishte kallashnikovin, qëlloi drejt e nga gjyshi. Fatmirësisht plumbi nuk e preku, por ciflat e xhamit të banakut e kanë gërvishtur tek qafa. Plagët duket sikur i ka të djegura, prej ciflave. E dërguam në spital se mos i kishin mbetur copa xhami brenda në lëkurë, por jo. Është i terrorizuar se i kaloi jeta në fije të perit. Plumbi nuk e preku sepse gjyshi ka qenë në lëvizje, duke u përleshur me grabitësin. Besoj se ai qëlloi për të na kërcënuar dhe paralajmëruar, se po të kishte qëllim për ta vrarë do ta kishte bërë, sepse distanca ishte shumë e afërt. Pas të shtënës me armë zjarri, grabitësi që ishte brenda nuk këmbënguli më për hapjen e kasafortës, por doli me shpejtësi. Jemi terrorizuar dhe për disa momente nuk e merrnim dot veten”, ka vijuar historinë Erald Xhiani. Ai thotë se nuk ka qenë në gjendje që t’i njohë grabitësit. Ata kanë folur shumë pak dhe ishin të maskuar. Gjithsesi shpreson që policia të bëjë të mundur gjetjen dhe arrestimin e tyre, pasi ndihen të kërcënuar. Ai i përshkruan grabitësit si një kontingjent që paraqet rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Xhihani ka rreth 5 vjet që e ka hapur agjencinë dhe raste të tilla nuk i kanë ndodhur asnjëherë. Ai është i bindur që grabitësit e kanë survejuar për ditë të tëra, por nuk i kanë vënë re. “Nuk kam vënë re asgjë të dyshimtë. Agjencia ime ndodhet përballë tregut dhe ka shumë lëvizje. E kam pasur mendjen tek puna dhe klientët. Ata kanë survejuar nga përtej rrugës, ku ka shumë njerëz. Normalisht që nuk mund të na binte në sy një gjë e tillë. Shpresojmë që të mos regjistrohen më raste të tjera, se përndryshe i bie që ta mbyllim fare biznesin. Është shumë e rrezikshme. Policia duhet të zbardhë ngjarjen”, përfundon apelin për zbardhjen e grabitjes i riu. Grabitja e “Money Gram” ndodhi më 16 janar të këtij viti.

 

Gjurmë gishtash

Autorët harruan në dyqan një çadër dhe një kaçavidë

Policia, e cila është njoftuar nga familja Xhihani ka shkuar me urgjencë në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Ajo ka mbledhur të gjitha provat materiale, ku janë gjetur edhe disa gjurmë gishtash. Mësohet se policia ka sekuestruar pamjet filmike, të siguruara nga kamerat e sigurisë së agjencisë. Aty pasqyrohet qartë i gjithë zhvillimi i ngjarjes, i cili ka zgjatur vetëm pak sekonda. Grabitësit kanë harruar në vendin e krimit çadrën me të cilën erdhën dhe një kaçavidë. Ajo ka qenë pronë e personit që hyri përtej banakut, të cilën e ka marrë për të hapur kasafortën. Policia shprehet se kaçavida e gjetur shërben për hapjen e dyerve të makinave. Kjo të bën të dyshosh se autorët janë persona të rrezikshëm dhe që ushtrojnë “zanatin” e vjedhjes së mjeteve. Nga policia mësohet se në sendet vetjake të autorëve të krimit janë gjetur gjurmë gishtash, të cilat do të ndihmojnë policinë në identifikimin e kriminelëve. Në agjenci është gjetur edhe gëzhoja e plumbit që grabitësit kanë qëlluar në drejtim të Hysen Xhihanit, gjyshit të Eraldit. Pavarësisht kësaj, policia ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Familja Xhihani thotë se pamjet janë parë nga një pjesë e madhe e policisë, por deri më tani nuk është bërë asgjë.