Lartësohej kur të tjerët binin

Lartësohej kur të tjerët binin

333
0
SHPËRNDAJE

Një mundim që më shumë se e ndihmon, e sfilit Shqipërinë, e dobëson atë, e fut në konflikte të reja, dhe, çka është më e keqja, në vend që ta pasurojë, ia varfëron më shumë arsenalin e mjeteve me të cilat ndërtohet vetvetja

Nuk ishte i vetmi që u dënua nga diktatura. Madje nuk ishte as ai që u dënua më rëndë prej saj. Ajo që e dallonte atë nga dënimet rutinë të diktaturës ishte se ai u dënua ekzaktësisht për ato që një shoqëri e lirë nderon qytetarët e saj

Mungesa e heronjve në shoqërinë tonë e ka komplikuar reagimin e shqiptarëve ndaj procesit të integrimit, e ka bërë konfuz atë. Prania e heronjve do ta thjeshtonte këtë proces

(dedikuar prof. dr. Skënder Xhikut në 85-vjetorin e lindjes)

Besnik Gjongecaj

Studenti i bujqesiseNëse vendos më në fund të kuptosh substancën e shoqërisë ku jetojmë, pra, nëse ke vendosur të çlirohesh nga rutina dhe ta shohësh shoqërinë shqiptare në të tërën e vet dhe aq kristal sa ç’sheh vijën ku malet takohen me blunë e qiellit pas rënies së shiut, bindesh se problemi më i rëndë i saj nuk është aq mungesa e standardeve sa ç’është mungesa e njerëzve që i bartin ato, mungesa e heronjve në fund të fundit. Ndoshta jemi e vetmja shoqëri në kontinent që edhe kur i identifikojmë heronjtë, këtë e bëjmë vetëm nëse ata i takojnë së shkuarës, madje jo thjesht së shkuarës, por një të shkuare sa më të largët. Madje, edhe në këtë rast, megjithëse heronjtë janë të largët, i gjithë procesi i evokimit të tyre realizohet me një mundim që nuk përfundon kurrë.

Një mundim që më shumë se e ndihmon, e sfilit Shqipërinë, e dobëson atë, e fut në konflikte të reja, dhe, çka është më e keqja, në vend që ta pasurojë, ia varfëron më shumë arsenalin e mjeteve me të cilat ndërtohet vetvetja. Ndërsa nxjerrja e heronjve nga e shkuara bëhet me një mundim gati-gati sizifian, identifikimi i heronjve të së sotmes, midis të gjallëve, apo madje edhe të një të shkuare të afërt, është bërë i pamundur. E gjithë kjo e ka zhytur vendin në paradoksin e ekzistencës së standardeve nga njëra anë, por të mungesës së heronjve që i përkryejnë ato në mënyrë sublime nga ana tjetër. Ky dyzim e ka vënë shoqërinë shqiptare nën dyshimin e thellë se vlerat morale si standarde, nuk janë për t’u zbatuar, por për t’u shkruar në ligje, në kode, duke krijuar keqkuptimin e madh se vlerat janë një gjë dhe njerëzit një gjë tjetër.

Ndërsa spërdridhen si pa gravitacion në boshllëkun e jetës së përditshme, të goditur rëndshëm nga media e politizuar, nga çmenduria e paanë e lajmeve vetëm me politikanë, nën peshën e antivlerës si instrument mbijetese, shqiptarët kanë kohë që nuk i vënë re heronjtë, madje kanë kohë që nuk e dinë se si mund të jetë njëri prej tyre. Nuk e vunë re edhe profesorin tim kur e kafshuan xhuxhmaxhuxhët e antikulturës, antishkencës, teksa ai mundohej që diktatura të mos shkatërronte universitetin, të mos demotivonte deri në asgjë studentët e tij.

Nuk e vunë re profesorin tim në kuptimin e energjisë civile që mbarte ai, në kuptimin e kapacitetit njohës, shkencor, teksa ai gjendej në mes të studentëve së bashku me heronjtë e tjerë që po ndryshonin Shqipërinë duke ndërruar sistemet. Nuk e di se çfarë tjetër duhej të bënte profesori im që shoqëria e këtij vendi ta vinte re. Kënga lyp kokë, thotë Kadare në një novelë të tij, teksa dasmorët gjejnë një kufomë në shi dhe menjëherë fillojnë e këndojnë një këngë për njeriun e vdekur, i cili nuk kishte lënë gurë pa luajtur që t’i këndohej një këngë në të gjallë.

Profesori im i dha çdo gjë vendit dhe kurrë nuk kërkoi shpërblim prej tij. Profesori im nuk i ka ngjarë kurrë një kufome nën shi, por një qytetari që bëhej edhe më qytetar sa herë goditej nga njerëzit e vendit të tij. Profesorit tim i mungoi kënga sepse ishte një kohë që jo vetëm të gjallëve, por as të vdekurve nuk u këndohej më. S’kishte si të ndodhte ndryshe nën peshën çnjerëzore të diktaturës ku shuheshin kufijtë midis të aftëve dhe të paaftëve, midis moralit dhe paragjykimit, midis familjes dhe shoqërisë, midis burrit dhe gruas, midis njeriut dhe mekanizmit.

Madje ku zbehej edhe kufiri midis të vdekurve dhe të gjallëve, ku të vdekurit zhvarroseshin dhe të gjallët varroseshin pa vdekur. Prandaj profesori im nuk ka pritur kurrë, ashtu si i vdekuri i Kadaresë priste këngën, që dikush ta bënte hero, sepse ai ishte i tillë, një hero, në sytë e studentëve dhe kolegëve të tij. Vdekja nuk na e zbuloi atë. Vdekja e tij vetëm sa na kujtoi se kishim jetuar me heroin. Skënder Xhikun, heroin tim dhe të brezave që ndanë jetën midis këtyre dy shekujve.

* * *

Nuk ishte i vetmi që u dënua nga diktatura. Madje nuk ishte as ai që u dënua më rëndë prej saj. Ajo që e dallonte atë nga dënimet rutinë të diktaturës ishte se ai u dënua ekzaktësisht për ato që një shoqëri e lirë nderon qytetarët e saj, i bën heronj ata. Nuk është fjala për akuzën në gjyqin që militantët e diktaturës i bënë atij, nuk është fjala për formën e saj, e cila gjithçka mund të ishte, por vetëm shkak i dënimit nuk qe.

Akuza “agjitacion dhe propagandë”, si në shumë raste të tjera, ishte një pretekst. Shkaku ishte turma e xhuxhmaxhuxhëve, ziliqarëve, militantëve, që në diktaturë nuk kishin asnjë mundësi të mbijetonin veçse duke e ndërtuar atë, mbijetesën e tyre, mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Madje, sa më e madhe të qe fatkeqësia që shkaktonin, aq më e sigurt do të qe edhe mbijetesa e tyre.

Goditja e intelektualëve, e studiuesve, goditja e njerëzve me vlera morale që nuk mund të eliminoheshin lehtësisht, pa beteja të gjata, ishte, edhe misioni i militantëve, i vetë diktaturës. Ekzaktësisht për këtë arsye, prof. Xhiku u bë shpejt një target, një shënjestër e tyre. Në fakt, nuk kishin shënjestër më të mirë. Sapo kishte ndërtuar, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, në të vetmin Fakultet Bujqësie që kishte Shqipëria, një shkollë të tipit amerikan, në kuptimin e zbatimit të parimit “learning by doing” (të mësosh duke bërë).

Mësimi praktik u ndërtua mbi një terren realisht bujqësor, çka bëri të mundur që të fshihej distanca midis të mësuarit në fakultet dhe realitetit bujqësor jashtë tij. Në këtë pikëpamje, ai ndërtoi një shkollë që i ngjante Perëndimit në thelbin e saj, megjithëse ideologjizimi i jepte, dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe, formën e një shkolle lindore. Por nuk mbaron këtu.

Ai ndryshoi formën e marrjes dhe atë të dhënies së mësimit, sepse, nisi procesin e zëvendësimit të të mësuarit mekanik, përshkrues, me të mësuarit logjik. Në një kohë jashtëzakonisht kritike për arsimin e lartë të këtij vendi, pra, në kohën e kinezërimit dhe postkinezërimit të tij, dilemën midis një shkolle tërësisht ideollogjike, madje të një shkolle ku viheshin pikëpyetje të mëdha edhe mbi vetë ekzistencën e shkencave teorike, shkencave të natyrës, nevojën e tyre; dhe të një shkolle me frymë perëndimore ku mësohej duke bërë, ku njohuritë e shkencave teorike përdoreshin për të zgjidhur problemet e shkencave aplikative, prof. Xhiku e zgjidhi pa asnjë hezitim në favor të së dytës. Kjo zgjidhje ishte edhe zgjidhja më e vështirë, sigurisht, sepse e vendosi profesorin përballë një fronti që kishte përfunduar së krijuari: frontit të të paaftëve.

Ai u shpalli luftë atyre, instinktivisht, nën komandën e kodit të njeriut të lirë, të qytetarit, të shkencës, të kulturës në fund të fundit, duke mos ditur që do të vinte një ditë që ata të frontit tjetër do të bënin atë që çdo i paaftë di të bëjë: do t’ia hanin kokën. Duke mos ditur, ashtu si çdo njeri krenar, i aftë, nuk di, se si të gjithë të paaftët e botës, edhe brezi i pedagogëve të ardhur në Fakultetin e Bujqësisë, në universitetet tona në përgjithësi, në kohën e kinezërimit të Shqipërisë, pra, të gjithë ata që ishin thirrur të papërgatitur për të shërbyer në shkollën e lartë, pa njohuri në shkencat bazë teorike apo të natyrës, por të frymëzuar thellësisht nga ideollogjia komuniste e klasës punëtore dhe fshatare, ishin të pajisur me armë që të aftët nuk i zotërojnë, por që mungesa e tyre i detyron të dorëzohen të parët.

T’i mundje të paaftët, pa mundur sistemin, ishte e pamundur. T’i dobësoje, po, mund ta bëje. Këtë bëri dekan prof. Xhiku: rekrutoi studentë që sapo kishin mbaruar fakultetin për të balancuar të keqen e të paaftëve, grumbullimin e tyre në anën tjetër, dhe këtë e bëri në një proces aq të drejtë, sa nuk e bëjnë të gjitha institucionet e sotme të marra së bashku në proceset konkurruese të rekrutimit të stafeve të tyre. E nisi dhe e përfundoi pa zhurmë, pa pasur frikë se dikush do ta akuzonte për mungesë partishmërie, pa ngarkesa, me një dashuri të madhe, duke zbuluar padashur bukurinë e tij morale, fisnikërinë e njeriut që punon për vendin, largpamësinë e njeriut që kontribuon i sigurt për të ardhmen e vendit të tij.

* * *

Jeta e Skënder Xhikut është historia moderne e Shqipërisë dhe te fati i profesorit gjithësecili gjen një pjesë të fatit të tij. Ashtu si në pëllëmbë ndjen reliefin e thyer të një maketi kur e rrëshqet dorën mbi të, po ashtu, ndërsa kalon në kujtesë jetën e prof. Xhikut, ndjen uljet, ngritjet, zhgënjimet, përplasjet, absurdin, rënien, prapë ringritjen, përmbysjet, rilindjet, hidhërimin dhe gëzimin e pakët. Brenda jetës së tij i ndjen dhe i sheh të gjitha ato që i kanë ndodhur këtij vendi në krejt ekzistencën e tij në diktaturë dhe pos diktaturë.

Ndaj historisë, sigurisht, nuk mund të mbash qëndrim tjetër veçse të kuptosh që nëse jo e gjitha, të paktën një pjesë e së ardhmes, por ajo më e rëndësishmja, nuk ka se si të mos gjendet në të shkuarën. Edhe për Shqipërinë nuk mund të ketë një rregull tjetër. Është e pamundur të ketë. Madje po provohet që jo pak, por në mënyrë domethënëse, e ardhmja e këtij vendi po ngrihet mbi një pjesë të së shkuarës së tij. I gjithë ky proces, megjithatë, nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë spontanisht. Shqiptarëve iu mbetet të vendosin se ç’pjesë të së shkuarës do të zgjedhin për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Ashtu si popujt e civilizuar dinë të bëjnë. Të zgjedhin midis errësirës së diktaturës dhe ndriçimit të shpirtit njerëzor që e çante atë, errësirën, sa herë që mundej. Të zgjedhin midis ligjit dhe urdhrit, midis vlerave morale dhe kalbësisë njerëzore, midis punës së ndershme dhe korrupsionit, midis të aftit dhe të paaftit, midis qytetarit dhe skuthit, midis mendimit të lirë dhe konformizmit, midis diplomës së merituar dhe asaj të blerë, midis së drejtës dhe krimit, midis europianit dhe provincialit. Kanë kaluar njëzet vjet dhe dilemat qëndrojnë ende mbi krye të shqiptarit. Edhe për një arsye shumë të thjeshtë: në sytë e shqiptarit Europa është shumë e ndërlikuar për t’u kuptuar prej tij.

Ajo mund të thjeshtohej nëse personifikime të saj do të jetonin brenda nesh. Heronjtë do të ishin personifikimi i Europës. Mungesa e heronjve në shoqërinë tonë e ka komplikuar reagimin e shqiptarëve ndaj procesit të integrimit, e ka bërë konfuz atë. Prania e heronjve do ta thjeshtonte këtë proces. Të pranosh ose jo prof. Xhikun si heroin tënd, do të thotë të pranosh apo jo të bëhesh qytetar i Europës. Të pranosh virtytin, vlerat morale të heronjve, si pjesë të ekzistencës tënde qytetare. Prof. Xhiku është një provë, është një standard. Mjafton të zgjedhësh atë dhe çdo Fyle, kushdo qoftë në vend të tij, do të firmoste ftesën për pranimin e Shqipërisë në Europë. Janë heronjtë ata që i kanë dhënë fytyrën kombeve, përkatësinë. Kështu edhe prof. Skënder Xhiku.