Mandatet, PS kërkon komision hetimor për Kukësin

Mandatet, PS kërkon komision hetimor për Kukësin

7
0
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e shtimit të numrit të banorëve në qarkun e Kukësit. Objekti i kërkesës së firmosur dje nga deputetët socialistë, ka si objekt “ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit për hetimin e veprimtarisë së organeve shtetërore mbi lëvizjen e popullsisë në disa njësi vendore të qarkut Kukës gjatë periudhës qershor–nëntor 2012”.

Më herët Partia Socialiste është shprehur se shifrat e paraqitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për disa nga komunat e qarkut të Kukësit janë të dyshimta, pasi vetëm gjatë muajve korrik-nëntor ka një shtim të popullsisë në një masë disa dhjetëra herë më të lartë se mesatarja kombëtare.

Sipas PS-së, janë 682 banorë që u janë shtuar disa prej komunave më të varfra të vendit, si ato Topojan, Kolsh, Fierzë, Shishtavec e Tropojë, me një ritëm edhe më të lartë se sa shtesat që janë bërë dhe në njësitë bashkiake në qendër të Tiranës apo dhe në qarkun e Durrësit. “Duke krahasuar shifrat zyrtare përkatëse të të dhënave zyrtare të fundit të muajit qershor 2012 dhe ato të fillimit të muajit nëntor 2012, lehtësisht vihet re se rritja e popullsisë për të 12-të qarqet e vendit për periudhën fund qershori – fillim nëntori 2012 është 0.39%. Ndërkohë që rritja për të njëjtën periudhe për qarkun e Kukësit është 0.63%, më e madhja mes të gjitha qarqeve pas Tiranës, me 0.75% dhe përpara qarkut të Durrësit, që vjen i treti, me 0.51%”, thuhet në kërkesën e PS.

12 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)