Përmbytje, mungesë dritash dhe rrugë të bllokuara në shtatë rrethe

Përmbytje, mungesë dritash dhe rrugë të bllokuara në shtatë rrethe

202
0
SHPËRNDAJE

Moti i keq

Reshjet kanë sjellë defekte në sistemin elektrik dhe ende nuk është ndërhyrë për riparimin e tyre

Shumë rrugë janë bllokuar në zonën e Pukës, Kukësit, Korçës, Malësisë së Madhe dhe Elbasanit

Permbytjet ne ShkoderMoti me reshje të dendura shiu dhe dëbore ka sjellë përkeqësim të situatës në disa zona të Shqipërisë, duke filluar nga Korça, Elbasani, Kukësi dhe Shkodra, ndërkohë që kjo ka sjellë edhe mungesë të energjisë elektrike në shumë zona. Nga zona të ndryshme raportohen probleme që nga bllokimi i rrugëve, mungesa e energjisë e deri te përmbytjet.

Elbasan

Moti me reshje të dendura shiu në të gjithë Rajonin e Elbasanit, ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse kombëtare. Burime nga Shtabi i Emergjencave Civile bëjnë të ditur se mëngjesin e së mërkurës ka pasur probleme në qarkullim në akse kryesore, Peqin-Elbasan dhe Librazhd-Elbasan. Reshjet e shiut kanë shkaktuar rënie gurësh në vendin e quajtur “Tuneli i Paprrit”, duke vështirësuar dhe rrezikuar kështu qarkullimin e mjeteve në këtë aks. Gjithashtu rrëshqitje dherash ka pasur edhe në aksin Elbasan-Librazhd në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”.

Kërrabë

Rrëshqitja e një mase me gurë në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor të Qafë-Kërrabës ka krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve. Situata është bërë e vështirë qysh në orët e para të mëngjesit në kilometrin e 33 në vendin e quajtur “Kthesat e Gracenit”, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë. Pas kësaj avarie, në vendin e ngjarjes ka shkuar një patrullë e policisë rrugore, e cila fillimisht ka dhënë vetë kontribut me mjete rrethanore, e më pas ka ardhur edhe punëtori i mirëmbajtjes. Rruga ka qenë përkohësisht e bllokuar në njërën anë, por qarkullimi i automjeteve ka vazhduar.

Korçë

Në pjesën më të madhe të Qarkut të Korçës, reshjet e dëborës janë zëvendësuar me reshje shiu. Ndërsa në zonat e thella malore në Kapshticë, Qafë-Thanë, Qafë-Dardhë e Voskopojë vazhdojnë reshjet e dëborës, të cilat vetëm gjatë natës së mbrëmshme i kanë kaluar të 20 cm. Përveç rrugëve të zonës së Devollit, të cilat përshkohen me zinxhirë, të gjitha rrugët e tjera janë të kalueshme.

Lezhë

Për sa u përket përmbytjeve në Qarkun e Lezhës, situata është e njëjtë, me më shumë se 400 ha tokë të ndodhura nën ujë në zonën e Torovicës. Hidrovori i Tales, pas ndërprerjes treditore, tashmë vazhdon të jetë në punë, por jo me kapacitet të plotë. Situata ka mbetur e pandryshuar, pasi reshjet e shiut kanë vazhduar gjatë gjithë natës.

Orikumi

Qyteti i Orikumit prej ditësh është pa energji elektrike. Banorët thonë se situata është bërë e padurueshme, ndërsa familjarët qëndrojnë natën në errësirë, bizneset gjatë ditës ose janë mbyllur përfundimisht ose përdorin gjeneratorë, duke e rritur shumë koston e punës. Ndërprerjet thuhet se vijnë nga dëmtimet e rrjetit transmetues, për shkak të motit të keq dhe erërat e forta. Dëmtimet nuk riparohen në kohë dhe për pasojë Orikumi, një qytet tërësisht turistik, është kthyer në mesjetë me mungesën e energjisë.

Tropojë

Një defekt në nënstacionin e Tropojës ka lënë pa drita gati të gjitha zonat e këtij rrethi. Defekti ka ndodhur para dy ditësh, për shkak të stuhisë dhe motit të keq, ndërsa deri tani asnjë masë nga CEZ-i nuk është marrë. Banorë nga Tropoja tregojnë se në ‘blackout’ ndodhen komunat Margegaj, Lekbibaj, Llugaj, Tropojë e Vjetër, Fierzë, Bytyç dhe Bujan. Deri tani drejtuesit vendorë janë përpjekur të kontaktojnë me punonjësit e CEZ-it, por nuk kanë arritur ta zgjidhin situatën. Rreth 85 për qind e krejt Rrethit të Tropojës mbetet pa drita. Një familjar tha se këto ditë kanë qenë shumë të ftohta me dëborë dhe me temperatura tepër të ulëta deri minus 5 gradë Celsius. Në Komunën Margegaj, trashësia e dëborës shkon deri në 40 cm dhe shumë prej familjeve nuk kanë as mjete ngrohëse. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se banorët e zonave të përfshira në terr, duke u nisur nga indiferenca që po tregon CEZ ndaj defektit të ndodhur, kanë paralajmëruar protesta deri në rikthimin e energjisë elektrike.

Shkodër

Gjatë tri ditëve të fundit, dhjetëra ha tokë janë përmbytur edhe në Shkodër, ndërsa rrugët malore kalohen vetëm me zinxhirë. Aktualisht nuk ka asnjë banesë të përmbytur, por nëse reshjet vazhdojnë me këtë intensitet, atëherë rrezikohen edhe ato. Reshjet kanë krijuar situatë përmbytjeje, kryesisht të tokave në zonën e Nënshkodrës në lagjen “Ajasem”, rrëzë kalasë “Rozafa”. Reshjet e shiut kanë përmbytur edhe Xhaminë e Plumbit, ndërsa sipërfaqe të tëra toke kanë filluar të mbulohen me ujë. Në brendësi të Nënshkodrës, pamja e fushave të ngjason me një liqen të madh.

Pukë

Ndërkaq, reshjet e borës po vështirësojnë qarkullimin dhe si pasojë të gjithë drejtuesit e automjeteve këshillohen nga policia të pajisen me zinxhirë dhe të tregohen të kujdesshëm në shumë akse rrugore. Aktualisht, në aksin Pukë – Qafë-Shllak – Qafë e Malit, trashësia e dëborës është 40-70 cm; në aksin Pukë – Qafë-Mali – Dardhë, trashësia e dëborës është 40-60 cm; në aksin Gjegjan – Fushë-Arës, trashësia e dëborës është 20-50 cm, ndërkohë që e njëjta situatë shfaqet edhe në rrugët e Malësisë së Madhe. Policia dhe emergjencat civile duket se janë gjetur të papërgatitura përballë uljes së menjëhershme të temperaturave.

Re. Rre.