Fier, mbahen “peng” inspektorët antiduhan

Fier, mbahen “peng” inspektorët antiduhan

83
1
SHPËRNDAJE

Gjashtë inspektorët e Task-Forcës përballen me kërcënime dhe dhunë psikologjike. Policia nuk i ndihmon

Pronari i një bingoje ka mbyllur derën e lokalit dhe ka debatuar me inspektorët për gjysmë ore, duke u thënë se do ndikojë për t’i hequr nga puna

Edmond Hoxhaj

Task-Forca antiduhan, e ngritur me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka hasur në rezistencën e dhunshme të disa pronarëve të lokaleve në qytetin e Fierit. Nëndrejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier, Shpëtime Kalemi, denoncoi problematikat me të cilat janë hasur gjashtë inspektorët e grupit të punës, që po verifikojnë në terren zbatimin e ligjit antiduhan.

 

Denoncimi

Sipas nëndrejtoreshës Kalemi, që në ditën e parë të inspektimeve të kryera në terren nga gjashtë punonjësit, të cilëve u është dhënë kompetenca për verifikimin në terren, ata kanë hasur me rezistencën e pronarëve të lokaleve. Ajo e ka cilësuar si të pritshëm këtë reaksion të pronarëve të lokaleve të ndryshme, që nuk kanë zbatuar kriteret e ligjit antiduhan, pasi gjobat që vendosen për mungesën e tabelave përkatëse kapin shifrën e 10 mijë lekëve të reja, ndërsa në rastet e kapjes në flagrancë të pirjes së duhanit, është të paktën 50 mijë lekë. Më tej, Kalemi ka shtuar se në mjaft raste, pronarët e këtyre lokaleve, kryesisht të bingove dhe të parukerive, kanë refuzuar të nënshkruajnë gjobat e vendosura ndaj tyre, edhe pse nuk kanë përmbushur kriteret e parashikuara nga ligji antiduhan. Sipas Kalemit, ka pasur raste që inspektorët janë ofenduar apo janë shtyrë, duke u nxjerrë forcërisht nga lokalet. Por, ajo ka theksuar se deri tani nuk ka pasur ushtrim të drejtpërdrejtë të dhunës fizike. Më tej, shefja e Task-Forcës për Fierin, Shpëtime Kalemi, ka pohuar se kanë hartuar një dosje, ku denoncojnë problematikat e hasura, e cila i është përcjellë Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë.

 

Dhuna verbale

Ndërkaq, vetë inspektorët, ku mes tyre janë edhe disa femra, që prej tri ditësh po përballen me këtë situatë në terren, kanë ngritur shqetësime edhe më të mëdha. Ndonëse nuk kanë preferuar të identifikohen me emër, pasi ndihen të kërcënuar, ata kanë pohuar se gjatë ushtrimit të kontrollit, janë hasur me një presion të madh psikologjik. Sipas disa inspektorëve, pronarë të ndryshëm të lokaleve e të parukerive, u kanë kërkuar të identifikohen, duke i kërcënuar se do të hakmerren. Madje, dy ditë më parë, në një bingo të qytetit të Fierit, mësohet se ata kanë përjetuar disa çaste të ngjashme me ato të pengmarrjes. Sipas disa inspektorëve, në këtë bingo ata kanë konstatuar tavlla të mbushura me bishta cigaresh si dhe persona që pinin duhan. Në këto kushte, ata kanë vendosur gjobën prej 50 mijë lekësh të reja, por janë përballur me dhunën verbale të ushtruar nga pronari i bingos. Sipas një prej inspektorëve, pronari ka mbyllur derën e lokalit dhe për rreth gjysmë ore ka debatuar me ta, duke mos pranuar të firmosë gjobën e vendosur në prezencë të gjashtë inspektorëve. Një prej inspektorëve ka pohuar për gazetën se, gjatë kontrolleve të ushtruara, janë kërcënuar me heqje nga puna nga pronarët e lokaleve të ndryshme. Sipas saj, pronarja e një parukerie i ka kërkuar të dhënat e identitetit, duke e kërcënuar se do të hakmerrej për gjobën e vënë. Inspektorë të tjerë, denoncuan edhe një tjetër fakt, kur pronarë të ndryshëm të lokaleve i kanë kërcënuar me heqje nga puna, duke ju vënë në dukje se eprorët janë vendosur me ndërhyrjet e tyre në postet që mbajnë, e kështu kanë ndikim tek ata. Vetë inspektorët ndihen të kërcënuar dhe të dhunuar psikologjikisht dhe për këtë arsye ata nuk kanë bërë publik emrat e personave që e kanë ushtruar këtë dhunë, apo të lokaleve të tyre. Ndërkaq, ata shtojnë se ka edhe aktivitete që i kanë zbatuar kriteret e ligjit duhan. Mësohet se janë kryesisht baret dhe restorantet që janë paraqitur më të rregullta gjatë kontrolleve të ushtruara.

 

Policia

Por, edhe pse gjashtë inspektorët, që kanë autoritetin e Task-Forcës për zbatimin e ligjit antiduhan janë ndodhur prej tri ditësh në situatë të vështirë, nën dhunë psikologjike e kërcënime, Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake nuk iu kanë ardhur në ndihmë. Ky fakt është bërë me dije nga nëndrejtoresha e DRSHPF, Shpëtime Kalemi, e cila theksoi se i është kërkuar mbështetje si Policisë Bashkiake, edhe asaj të Shtetit, që të ndihmojë në punën në terren të inspektorëve të Task-Forcës antiduhan. Por përgjigjja që kanë marrë ka qenë negative, duke u shprehur se nuk ishin kompetencat e tyre për të ndërhyrë në raste të tilla. Sipas inspektorëve, prania e policisë është kërkuar me qëllim shmangien e konflikteve dhe të kërcënimeve.

 

 

Ligji

Gjoba për shkelësit, deri në mbylljen e aktivitetit

Ligji antiduhan u miratua në vitin 2006. Në këtë ligj parashikohet reklamimi i tabelave antiduhan, si dhe moslejimi i tymosjes së cigareve në ambientet e mbyllura. Por, ligji nuk gjeti zbatim për vite me radhë. Pak kohë pasi ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, u emërua në këtë post, vendosi krijimin e një Task-Force me qëllim vënien në zbatim të këtij ligji. Urdhri i ministrit të Shëndetësisë u jep inspektorëve të Task-Forcës autoritetin e vendosjes së gjobave, të cilat nuk mund të ankimohen nga pronarët e subjekteve. Nëse ato nuk paguhen brenda 10 ditëve, atëherë gjoba rritet me 2% të vlerës për çdo ditë. Mospagesa e gjobës brenda një harku kohor njëmujor i jep të drejtën Task-Forcës që të bllokojë aktivitetin.

 

Deklarata

Kreu i Task-Forcës: U thash të largohen, lokalet do t’i kontrollojmë më vonë

Shuperka: Inspektorët nuk janë rrahur, u sulmuan verbalisht!

Kreu i Task-Forcës për kontrollin ndaj produkteve të duhanit, Roland Shuperka, foli dje për incidentin në Fier, ndërsa pohoi se ngjarja nuk ishte aq e rëndë sa e kishin bërë inspektorët. Megjithëse nëndrejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier doli në një konferencë për shtyp dhe dënoi këtë incident, Shuperka tha se këta punonjës nuk janë rrahur, por janë ndeshur me dhunën verbale të pronarëve të lokaleve në qytetin e Fierit. Sipas tij, gjatë kohës kur inspektorët ishin në krye të detyrës, një zonjë në profesionin e juristes, e cila njëkohësisht rezulton të ketë në pronësi një lokal në Fier, ka sharë e ka ofenduar inspektorët që kërkonin të kontrollonin ambientin për tavlla, cigare e tym. Sipas tij, e njëjta ngjarje, kur inspektorët janë dhunuar verbalisht, regjistrohet edhe në qytetin e Vlorës pak ditë më parë. “Në Fier, gjatë nisjes së aksionit treditor, janë vendosur tre gjoba. Inspektorët e Fierit janë ofenduar nga pronarja e një lokali, e cila me profesion rezulton të jetë juriste. Kam kontaktuar me inspektorët në momentin kur ka ndodhur ngjarja, i kam kërkuar të largohen nga ambienti. Në këtë lokal do të vijojnë kontrollet nga Task-Forca që do të niset nga Tirana, në kohë të papërcaktuar. Inspektime do të bëhen në mënyrë të papritur edhe në lokalin e Vlorës, ku janë ofenduar grupe të tjerë inspektorësh të Shëndetit Publik”, deklaroi Shuperka. Sipas tij, brenda tre ditësh rezulton të jenë bërë rreth 202 kontrolle dhe të jenë vendosur 9 gjoba. Shumica janë vendosur në Tiranë e Durrës. Kontrollet janë shtrirë edhe në administratë, konkretisht është inspektuar lokali pranë Ministrisë së Financave. L.M

  • rudenc tola

    ligji eshte i paqarte,ashtu si dhe jashte perse nuk lejojne dhe ketu ne baze te sip te ambjentit nje sip ku pihet duhani dhe perse nuk flitet fare per kete por vetem per gjobat ,ky eshte nje ligj i dhunshem dhe thot ,ku ka tavan nuk pihet duhan