Imami mban Ylli Zylën, e emëron në krye të Policisë Ushtarake

Imami mban Ylli Zylën, e emëron në krye të Policisë Ushtarake

567
1
SHPËRNDAJE

Ish-shefi i SHIU-t u akuzua për konflikte interesi, pasi familjarët eksportonin armë

BLEDAR HOTI

Vazhdon reforma në ushtrinë shqiptare. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, emëron si komandant të Policisë Ushtarake, ish-shefin e SHIU-t, Ylli Zyla. Ish-shefi i Shërbimit Informativ Ushtarak është emëruar prej ditësh në këtë detyrë, porse vetëm dje Zyla është prezantuar zyrtarisht. Ky post mbahej deri më tani nga Xhevdet Zeneli. Zyla u përfshi në një sërë akuzash nga opozita shqiptare dhe media e shkruar për afera të paligjshme në shitjen e armëve. Akuza kryesore e opozitës ndaj tij ka qenë konflikti i interesit. Sipas akuzave, bashkëshortja e tij ishte bashkëaksionere me pronarët e dy kompanive të licencuara në Ministrinë e Mbrojtjes për të eksportuar armë dhe armatime. Akuza për të cilat Zyla dha edhe dorëheqjen më vonë. Në tekstin e tij të dorëheqjes kreu i shërbimeve sekrete të ushtrisë, pasi i konsideron faktet e publikuara si “të pamoralshme dhe të pabazuara” deklaron se lë detyrën “për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes, integritetin e institucionit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU), si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjike të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t”. “Unë i nënshkruari, kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime në gazetën e përditshme ‘Shqiptarja.com’, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjike të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t’ju paraqes: dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”, thuhej në tekstin e dorëheqjes. Opozita ndërkohë ka theksuar se Zyla edhe pse kishte deklaruar dorëheqjen në korrik, figuronte se lëshonte shkresa në emër të institucionit që ai drejtonte. Qeveria përpara disa ditësh emëroi në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, Ilirjan Balliu. Emërimi i tij është një kompetencë e Kryeministrit. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, propozoi si zv.kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror, Taulant Demiraj. Ai kohët e fundit ishte badigardi i ministrit Imami. Opozita ka ngritur prej kohësh pretendimet se me urdhër të ministrit Imami, SHIU ka përgjuar deputetët e PS-së. Socialistët aludojnë se SHIU ka përgjuar dhe ndërkombëtarët, ambasadorët e shteteve të rëndësishme të akredituara në Tiranë. Të gjithë këto ndryshime po ndërmerren në moment kur Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka miratuar një plan pune për të kontrolluar punën e Ministrisë së Mbrojtjes. Imami, ndërkohë, ndërmori vendimin për të ndryshuar dhe kupolën drejtuese të ushtrisë shqiptare. Këto propozime u dekretuan disa ditë më parë nga kreu i shtetit, Bujar Nishani. Opozita ka ngritur pretendimet se këto ndryshime lidhen në mënyrë direkte me procesin e ndërmarrë për mbikëqyrjen parlamentare. Ministri Imami ka bllokuar këtë mbikëqyrje parlamentare, duke e cilësuar si antikushtetuese. Ai ka bllokuar dy herë deputetët e opozitës të ushtrojnë kontrollin e tyre ligjor për shqyrtimin e zbatimit të 8 çështjeve të miratuar me konsensus në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Për këtë bllokim ka pasur dhe reagime nga zyrtarë dhe figura të rëndësishme të shoqërisë civile. I tillë ishte dhe qëndrimi i ashpër i ish-presidentit Alfred Moisiu, i cili deklaroi se “një bllokim i tillë përbën një rrezik për shoqërinë shqiptare”. Sipas tij, pengimi nga një ministër nuk ndodh në shtete normale. Ai e lidhi një veprim të ministrit të Mbrojtjes me ato të periudhës në të cilën nazistët erdhën në pushtet.

Drejtorii SHIU-t, Ylli Zyla

SHIU – Shërbimi Sekret Ushtarak është i një rëndësie të veçantë. Kjo pasi Shqipëria si anëtare të NATO-s ka një rol të veçantë me bashkëpunimin e institucioneve homologe

Zyla  – Ylli Zyla dha dorëheqjen nga posti i shefit të SHIU-t rreth dy muaj më parë. Por Imami e emëroi atë në krye të Policisë Ushtarake

 

 

Opozita

Braçe: Berisha po konsolidon “bandën” në krye të ushtrisë

Pas ndryshimeve të kryera në shërbimin sekret ushtarak reagojnë dhe përfaqësues të opozitës. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, shkruan se “në krye të çdo “reparti” represiv emëron militantët e tij, të familjes politike dhe biologjike. Ylli i Berishës tani ka në dore edhe “Policinë Ushtarake” për të garantuar deri në fund trafikun e armëve në qetësi të plotë”. “Makinat e Policisë Ushtarake ishin ato që shoqëruan transportin e fishekëve në Rinas për Unimesco! Jepini! Vetëm një gjë mos e harroni: Çdo gjë mbahet shënim! Pas një viti, dy, tre, pesë apo 10 vitesh- më shumë se kaq nuk shkon kurrë -do të bëhet drejtësi!”, thekson nënkryetari i grupit të PS-së. Opozita ka akuzuar Shërbimin Sekret Ushtarak se ka kryer përgjime të paligjshme ndaj deputetëve socialistë. Gjithashtu SHIU ka përgjuar edhe persona me imunitet, siç janë edhe diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë. Sipas opozitës ambasadorë të shteteve të rëndësishme janë përgjuar nga SHIU. Por një akuzë e tillë është kundërshtuar nga ana e ministrit Arben Imami, duke i cilësuar si flluska të opozitës.

 

 

Dekreti

Imami-Nishani, ndryshimi në kupolën e ushtrisë

Më datën 16 gusht, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i propozoi Presidentit të sapozgjedhur, Bujar Nishani, ndryshimin e disa drejtuesve të lartë në ushtrinë shqiptare. Emërimi më tipik është ai i Komandantit të Flotiljes. Ai propozoi gjeneral-major Qemal Shkurtin si komandant i Flotës Detare. E veçanta e këtij propozimi qëndron në faktin se Shkurti vjen nga radhët e këmbësorisë dhe se profilizimi i tij s’ka të bëjë me detin. Ndërrimi i Presidentit u ka hapur rrugë edhe një sërë ndryshimesh të tjera në kupolën e Forcave të Armatosura, pasi me propozim të ministrit Imami kreu i shtetit Nishani ka dekretuar edhe ndryshimin e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të komandantit të doktrinës dhe stërvitjes, të komandantit të brigadës logjistike. Ndërkohë që është larguar nga detyra edhe ish-komandanti i doktrinës së stërvitjes gjeneral brigade, Agim Lala, i cili ka qenë i akuzuar në çështjen “Gërdeci”. Ai u shpall më pas i pafajshëm nga gjykata. Muaj më parë, Imami shmangu Topin nga caktimi i komandantit të Flotës Detare, për shkak të përplasjeve që kishte mazhoranca me kreun e shtetit.

 

“Wind Sun Water Initiative” dhe Dardi Security, në pronësi të bashkëshortes

Bashkëshortja e shefit të SHIU-t, aksione me pronarët e firmës së shitjeve të armëve

Ylli ZylaYlli Zyla dha dorëheqjen si kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak për shkak se mediat nxorën se bashkëshortja e tij, Liljana Zyla, ishte aksionere e Wind Sun Water Initiative, firmë e licencuar nga Ministria e Mbrojtjes për shitjen e armëve. Liljana Zyla që prej vitit 2008 është bashkaksionere në kompaninë “Wind Sun Water Initiative” (WSWI) së bashku me shtetasit Lorenc Goça dhe Andrzej Izdebeski, shtetas polak, të cilët në të njëjtën ditë që kanë themeluar kompaninë me gruan e shefit të SHIU-t kanë krijuar edhe dy kompani të tjera në Tiranë me objekt aktiviteti tregtinë e materialeve ushtarake dhe armatimit. Kompania “WSWI “ku është bashkaksionere dhe shtetasja Liljana Zyla është krijuar më datën 28 janar të vitit 2011. Ajo ka si objekt të aktivitetit të saj operimin në sektorin energjetik. Por duket se në të njëjtën datë dhe ditë dy ortakët e Zylës, Goça dhe Izdebeski kanë shkuar në QKR për të regjistruar dhe dy kompani të tjera, të quajtura UNIMESKO dhe NITRO-CHEM, të cilat janë kompani që kanë si objekt të aktivitetit të tyre, tregtinë në sektorin e materialeve ushtarake dhe eksportin e armatimeve. Të dyja këto kompani rezultojnë të licencuara në Ministrinë e Mbrojtjes, ato kanë marrë lejen për të eksportuar armatime. “Ndërtimin dhe shfrytëzimin i hidrocentraleve të gjitha llojeve dhe fuqive, duke shfrytëzuar energjie ujore, diellore, termale etj., sipas dispozitave ligjore të legjislacionit aktual shqiptar. Projektime të të gjitha llojeve dhe përmasave, ndërtimeve dhe konstruksioneve. Ndërtime civile dhe ekonomike. Ndërtime hidroteknike, hidrocentrale, turbina dhe tregtimi i tyre etj.”, është objekti tjetër i firmës. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Zyla zotëron 15 për qind të aksioneve. Bashkëshortja e Ylli Zylës figuronte ketë në zotërim dhe një firmë tjetër, “Dardi Security”. Sipas të dhënave të QKR-së, Liljana Zyla është zotëron 100 për qind të aksioneve. E themeluar më 18 shkurt 2011, firma ka një kapital prej 4 milionë lekësh të reja. “Ruajtjen e objekteve dhe institucioneve publike dhe private, sigurimin fizik mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të shtetasve vendas dhe të huaj instalimin dhe përdorimin e sinjalistikës të radioalarmit dhe pajisjeve të tjera të vëzhgimit, prodhimin, mirëmbajtjen dhe tregtimin të pajisjeve dhe lëndëve të shuarjes së zjarrit dhe shpëtimit”, është objekti i firmës së licencuar vitin e kaluar. Sipas QKR-së, “Drejtues teknik i shoqërisë do të jetë Z.Vladimir Njazi Dervishi”. “Dardi” aktualisht ka pezulluar aktivitetin e saj në 2012, porse licencën për ushtrimin e aktivitetit e ka deri në vitin 2025.

  • Hasani

    Qeveria përpara disa ditësh emëroi në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, Ilirjan Balliu. Emërimi i tij është një kompetencë e Kryeministrit. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, propozoi si zv.kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror, Taulant Demiraj. Ai kohët e fundit ishte badigardi i ministrit Imami. …

    A i redaktoni kush materialet juve apo si tju vijne jo Sherbimi Informativ Shteteror por Sherbimi Informativ Ushtarak dhe nuk thuhet badigard por truproje …. Edhe juve e keni filluar e keni ulur cilesine e punonjesve fare …