Fatura e dëmshpërblimit arrin 430 milionë USD, ndahen vetëm 10%

Fatura e dëmshpërblimit arrin 430 milionë USD, ndahen vetëm 10%

113
0
SHPËRNDAJE

Dosjet – Sipas të dhënave të raportit, në Ministrinë e Drejtësisë, deri tani janë të regjistruara gjithsej 20 820 dosje për dëmshpërblim

Kategoritë – Sipas kategorizimit, rreth 12 300 kërkesa janë të ish të dënuarve politikë me burg, vdekje dhe izolimit në institucione mjekësore

Kopsitur – Për rreth 10 997 dosje është miratuar dëmshpërblimi me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa pjesa vijon ende verifikimin

Izolimi – Rreth 5300 kërkesa janë të kategorisë internim, dhe internim tela me gjemba. Një tjetër kategori duket se është akoma në pritje

Me ritmin aktual, pakkush i gëzon. Vetëm nëse je 85 vjeç

ARD KOLA

Ministria e Financave e nisi procesin e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë në vitin 2008. Në atë kohë, ministri Bode deklaroi se do të jepeshin brenda tre viteve të ardhshme 30 milionë dollarë, pra nga 10 milionë për secilin vit, por grafiku u rishikua. Në vitin 2009, qeveria e rriti dozën, duke ndarë 22 milionë dollarë, ndoshta nën presionin e fushatës elektorale. Të paktën në shifra, sipas bilanceve të buxhetit, deri në vitin 2011 kanë marrë para rreth 10 mijë vetë, nga 20 mijë që janë gjithsej, me një total vlere dëmshpërblimi prej rreth 43 milionë dollarë. Po sa është fatura totale? Sipas vlerësimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë dhe asaj të Financave, nisur nga numri i dosjeve dhe kategoritë e dëmshpërblimit, llogaritet se për të likuiduar të gjithë ish të dënuarit, gjallë apo të vdekur, të internuar, të burgosur apo të vdekur, arrin në rreth 430 milionë dollarë. Pra, në katër vjet janë ndarë vetëm 10 për qind e fondit. Në 2007-s kur u miratua ligji qeveria zotohej që procesin do ta mbyllte brenda 8 viteve, duke i ndarë të hollat me 8 këste, pra një këst për secilin vit, periudhë që mbyllej në 2016-n.

Natyrshëm me këto ritme është e lehtë të kuptosh që procesi do të mbyllet brenda këtij afati, edhe pse në strategjinë afatshkurtër të qeverisë, është parashikuar që deri në 2015-n të trajtohen 20 mijë dosje, pra 5 mijë dosje duke nisur nga ky vit, por me një fond prej 68 milionë dollarësh. Këto shifra nisur nga vlerësimi dhe parashikimi zyrtar, të bën kuptosh që jo të gjithë do t’i marrin në kohë paratë, sikurse jo të gjithë do t’i marrin të plota. Më i hidhur është fakti se janë të paktë ata që do t’i gëzojnë, pasi pjesa dërrmuese janë në moshë të vjetër. Për ta lehtësuar sadopak procesin, është vendosur kriteri i moshës. Nëse 85 vjeç mund t’i marrësh paratë të ndara në dy këste. Deri tani është ndarë kësti i parë, kurse i dyti sapo ka nisur, por vlen vetëm për ata që janë gjallë dhe me moshë mbi 65 vjeç. Të tjerët janë pritje.

Shifrat zyrtare tregojnë se qeveria ka ndarë deri në qershor të këtij viti rreth 15 milionë dollarë. Edhe pse janë zyrtare është vështirë të besosh, duke pasur parasysh faktin se në buxhet ishin vendosur vetëm 9.5 milionë dollarë. Pra është tejkaluar plani, kurse në 2011 u ndanë, për të njëjtën periudhë rreth 14 milionë dollarë. Ky nuk është rasti i parë i mosqëndrimit korrekt i planit. Në vitin 2011, qeveria kishte vendosur në buxhet për ish të dënuarit politikë rreth 18 milionë dollarë, por ndau 15 milionë dollarë, pra 3 milionë u dogjën.

Fatura 430 milionë dollarë përfshin dëmshpërblimin e mundshëm për të gjithë të përndjekurit politikë që kanë përfituar apo janë jashtë listës së përfitimit të dëmshpërblimit. Në total është miratuar dëmshpërblimi për 10 997 ish të dënuar. Sipas të dhënave, nga 10 997 dosje të miratuara për pagesën e këstit të parë, kanë marrë paratë deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, 8909 persona. Për këstin e parë, me vendime të qeverisë, duhej që fondi të ishte 5.456 miliardë lekë, por në fakt nuk rezulton kështu. “Nga 10 997 dosje të miratuara, janë paguar të plota ose pjesore 8909 dosje, ose 81% e dosjeve. Sqarojmë se diferenca midis përqindjes së dosjeve të paguara dhe përqindjes së fondit të paguar vjen si rezultat i pagesave pjesore të dosjeve”, thuhet në raportin e Financave, i cili i është dorëzuar Kuvendit në mars 2012.

 

Minierat – Sektori i minierave ishte më i preferuari i regjimit komunist për punë të detyrueshme. Xhemil Lundraku, sot 62 vjeç punoi kur ishte i burgosur politik me 18 vjet. Sot ai merr 12 mijë lekë pension

2008 – Në vitin 2008, qeveria nisi për herë të parë procesin e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politik, me 1 miliard lekë

2009 – Është fushata e madhe elektorale, ku qeveria shpenzoi dy herë më shumë se një vit më parë, plot 2.2 miliardë lekë nga buxheti

2012 – Këtë vit procesi duket se po ecën me ritme më të shpejta, ndërsa janë planifikuar për tu shpërndarë afro 1.6 miliardë lekë

2013 – Është sërish periudha e fushatës së madhe për zgjedhjet parlamentare. Qeveria planifikon ta rrisë fondin, 2 miliardë lekë

 

Debati

Berisha e pranon: Jemi vonuar me dëmshpërblimin. PS: Të ndryshojë mosha

Loja me emrat dhe rishikimi i 25 listave

Ish të përndjekurit tregojnë për një tjetër tallje të qeverisë, atë të publikimit të listave nëpër media. “E kam lexuar emrin tre herë në tre lista të ndryshme, por vetëm një herë kam marrë lekë nga dëmshpërblimi”, thotë Bujar Sala, 58 vjeç, i dënuar me mbi 8 vjet në kohën e monizmit.

Në mars të këtij viti, pasi kishte publikuar për tre vite rresht emrat e përfituese, qeveria me një vendim të Kryeministrit rishikon 25 lista, me motivin se ishin bërë gabime në shumat e përfitimit. Dikush kishte marrë më shumë dhe të tjerë që kishin marrë më pak. Ribërja e listave nga e para solli fushatën e radhës së publikimit nga e para e të njëjtëve emra, por me renditje të ndryshme. “Në opinion krijohet ideja se po bëhet nami me listat, se po ndahet para e madhe, por në fakt vetëm një këst kemi marrë”, tregon Fatmir Lamaj.

Sakaq, për procesin në tërësi Kryeministri pranon se ritmi është i ngadaltë. “Ka pasur një vonesë, e cila është e diktuar nga amendimet e reja të ligjit për dëmshpërblimet, por kjo vonesë duhet të kapërcehet dhe Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave ka marrë masat që kjo pengesë të kapërcehet nëpërmjet dy-tre vendimeve që duhet detyrimisht të miratohen për të kaluar pengesën ligjore”, është shprehur Kryeministri Berisha.

Pra me ndryshime ligjesh, rishikime VKM-sh, qeveria e ka shtyrë më tej procesin, ndërsa ish të përndjekurit shprehen të zhgënjyer se fundi i kësaj historie nuk dihet se kur mbaron.

Debat ka pasur edhe për moshën e përfituesve. Në ndryshimin e fundit që i është bërë ligjit për ish të përndjekurit politikë që kanë mbushur moshën 85 vjeç do të marrin dëmshpërblimin financiar që i takon vetëm me dy këste dhe brenda vitit 2012.

Për këtë pikë, opozita kërkon ulje të moshës. Kryetarja e grupit të Punës në Partinë Socialiste për ish të përndjekurit politikë, Keti Bazhdari thotë se, projekti i PS parashikon që në një kohë të shkurtër të realizohet integrimin social i kësaj kategorie. Sipas, projektit në vitin e parë të qeverisjes socialiste do të dëmshpërblehen të gjithë ish të burgosurit, gra mbi 70 vjeç dhe burra mbi 75 vjeç që janë gjallë. Ndërsa “brenda dy viteve në vijim do të dëmshpërblehen të gjithë të ish të burgosurit politikë që ende jetojnë”.

A.Kola