Turizmi, edhe këtë vit me ndotje e pa rrugë

Turizmi, edhe këtë vit me ndotje e pa rrugë

1844
0
SHPËRNDAJE

“Fiks Fare”

Sezoni turistik ka nisur me probleme në disa qytete të Shqipërisë. Bregu i liqenit të Ohrit ka filluar të ndotet nga mbeturinat inerte. Rikonstruksioni i rrugës, që lidh qytetin e Pogradecit me fshatin Lin, ka ndotur liqenin e Ohrit në një pjesë të madhe të vijës së tij. Gërmimet e kryera për zgjerimin e kësaj rruge jo vetëm që kanë dëmtuar vijën e bregut të liqenit, por një pjesë e madhe e dheut është hedhur në liqen, duke sjellë kështu edhe ndotjen e këtij të fundit. Edhe pse kjo rrugë prej gati një viti është përfshirë në një fazë rikonstruksioni, punimet më të mëdha kanë filluar vetëm disa javë më parë, kohë kjo që përkon me çeljen e sezonit turistik në Pogradec. Kryetari i bashkisë së këtij qyteti, z. Artan Shkëmbi, ka paraqitur ankesën e tij në emisionin “Fiks Fare”. Sipas tij, fillimi i punimeve nuk është aspak në kohën e përshtatshme, pasi ato do të bëhen një pengesë për të gjithë turistët, të cilët në pushimet e këtij viti do të zgjedhin si destinacion Pogradecin. Sipas Shkëmbit, shqetësimi më i madh është ndotja që ka shkaktuar hedhja e dheut në një pjesë të madhe të vijës liqenore. Shkëmbi ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me këtë krim që po i kryhet liqenit të Ohrit në një kohë kur Bashkia Pogradec ka ndërmarrë hapa konkrete dhe ka hartuar projekte për ruajtjen e tij. Në lidhje me këtë shqetësim, drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit të Qarkut Korçë, Kleti Mano, është shprehur se janë kryer inspektimet në zonë dhe janë marrë masat përkatëse për firmën, e cila po bën rikonstruksionin e rrugës. Sipas kreut të ARM Korçë, është vendosur një afat kohor, brenda të cilit firma rikonstruktuese duhet të rikuperojë zonën e dëmtuar në rast të kundërt do të zbatohen masat administrative në gjobë dhe deri në ndjekje penale. Gërryerjet që po kryhen për zgjerimin e aksit rrugor Lin-Pogradec kanë ndërhyrë dhe në sigurinë e hekurudhës që kalon në këtë zonë.

Vlorë, vazhdon derdhja e ujërave të zeza në det

Në plazhin e vjetër të Vlorës nuk ka as dushe e as kosha mbeturinash, e sikur të mos mjaftonte edhe këtë vit në të derdhen ujërat e zeza të lokaleve dhe pallateve të asaj zone. Era e rëndë ndihet përgjatë gjithë bregut të detit në plazhin e vjetër. Pushuesit që nuk mund të paguajnë çadrat apo shezlonget në plazhet private e kanë të vetmen mundësi plazhin e vjetër, si e vetmja hapësirë publike e mbetur në qytetin e Vlorës. Bashkia e Vlorës edhe këtë vit nuk ka marrë masa për bllokimin e shkarkimit të ujërave të zeza në det. Ndonëse është dhënë urdhër disa herë, si nga Kryeministri i vendit, ashtu edhe nga ministri i Mjedisit, se do të ndëshkohen të gjitha subjektet që derdhin ujërat e zeza në det, në Vlorë ujërat e zeza derdhen në det, ashtu si një vit më parë. E vetmja masë që bashkia e qytetit ka marrë për këtë sezon ka qenë plugimi i brezit të rërës.

Ksamil, rruga në gjendje të mjerueshme

Ksamili, një nga zonat turistike më të vizituara, dhe me një numër të madh pushuesish edhe këtë vit nuk do të ketë një rrugë të denjë për një zonë të tillë. Në vitin 2009, qeveria shqiptare akordoi një fond prej 650 milionë lekësh, për ndërtimin e kësaj rruge. Rruga e re Kanali Çukës – Ksamil – Butrint, me gjerësi 8 metra, do të ishte e shoqëruar me 20 mijë metër katror trotuare, si dhe ndriçim modern në zonat e banuara. Por edhe pse kanë kaluar 3 vjet, duket se kjo rrugë nuk e ka marrë formën për të cilën u fol aq shumë. Tre mijë banorë të qytezës së Ksamilit dhe turistët që vizitojnë këtë zonë gjatë pikut të sezonit do të përballen me një rrugë të papërfunduar, disa segmente të saj nuk janë të shtruara me asfalt, por me çakëll. Ndërsa asfalti është i mbushur me gurë të rëna nga skarpatet e pasiguruara nga firma që bëri ndërtimin e saj. Por vonesat në trafik nuk janë problemi i vetëm, pluhuri që ngrihet në segmentet e pashtruara është aq i madh sa zor të dallohet makina që është përballë e jo më ndonjë kalimtar i rastit.