Ekzekutim mafioz pronarit të tavernës

Ekzekutim mafioz pronarit të tavernës

21
0
SHPËRNDAJE

Hakmarrja

Gjatë atentatit u plagosën rëndë një oficer SHKB-je, dhe dy shokë të tjerë të viktimës

Atentatori qëlloi me automatik “Kallashnikov”, dy prej të shtënave sollën vdekjen e biznesmenit

Autorët u larguan drejt “Zogut të Zi” me një makinë “Golf”, ngjyrë e bardhë, me kabinë të zezë

Bledi Gilaj – Ekzekutim mafioz në mes të Tiranës, ku ka mbetur i vrarë pronari i një taverne dhe janë plagosur tre shokët e tij, mes të cilëve edhe një oficer i SHKB-së në Ministrinë e Brendshme. Autori i krimit ka qëlluar me breshëri automatiku dhe më pas është larguar me një makinë “Golf”, me ngjyrë të bardhë, por në pjesën e kabinës me ngjyrë të zezë. Dy plumba janë qëlluar ndaj viktimës Nikolin Doda, ndërsa nga një plumb tjetër është qëlluar për secilin person të plagosur, që aktualisht ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Policia dyshon se vrasja është porositur për hakmarrje ndaj pronarit të tavernës, që ndodhet në zonën e Brrakës, përballë Prokurorisë së Tiranës, vetëm pak metra larg Komisariatit Nr. 3. Viktima ka qenë i dënuar për plagosjen e rëndë të një personi në vitin 1997 në Lezhë, ku ka vuajtur edhe dënimin prej disa vitesh.

Burimet policore të kryeqytetit thanë se për ngjarjen janë njoftuar rreth orës 01.15 nga disa telefonata në sallën operative. Qytetarët kanë deklaruar në polici se në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, përballë Prokurorisë së Tiranës, ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe është plagosur një shtetas, i cili është shtrirë në rrugë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 3, që kanë vënë re se ishin qëlluar katër persona. Të gjithë të dëmtuarit janë nisur për në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që në vendin e ngjarjes është ngritur grupi hetimor për të dokumentuar sa më shpejt krimin e rëndë. Nga të dhënat e konfirmuara nga policia mësohet se rrugës për në spital ka ndërruar jetë një nga të plagosurit, pikërisht Nikolin Doda, 47 vjeç, i cili është pronari i tavernës ku ndodhi krimi. Ndërsa për tre të plagosurit, policia tha se janë Uran Doda 42 vjeç, Agron Doçi 42 vjeç, dhe Ilmi Meta 40 vjeç, të cilët kanë marrë nga një plumb dhe ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Në lidhje me të plagosurin Uran Doda, i cili është nga Dibra dhe me banim në Tiranë, policia tha se është oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Ndërkaq, grupi hetimor ka bërë rindërtimin e krimit të rëndë, që sipas tyre, katër personat, pre e atentatit, kanë qenë duke darkuar në ambientet e tavernës. Ata mendohet se janë pritur jashtë nga atentatorët, të cilët mendohet se kanë qenë dy veta dhe sapo kanë dalë në derë janë qëlluar me automatik. Fillimisht është qëlluar Nikolin Doda, me dy plumba në gjoks, më pas shokët e tij, që kanë marrë nga një plumb në trup. Ndërkaq, plumbat  tjerë kanë sjellë dëme në makinat dhe në bizneset përreth tavernës. Autorët janë larguar me makinën e identifikuar pjesërisht në drejtim të “Zogut të Zi”, por policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre. Gjatë paradites së djeshme, policia ka kontrolluar disa kamera sigurie pranë vendit të krimit, por nuk ka mundur të identifikojë targat e mjetit, që nuk janë fiksuar as nga banorët e zonës.

Policia deklaroi zyrtarisht se gjatë ecurisë së hetimit, me synim zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje, është duke u hetuar në disa pista, ndërkohë që pista kryesore dyshohet të jetë për motive hakmarrje. Nga informacionet e mbledhura mësohet se viktima, në vitin 1997, ka kryer një tentativë vrasjeje, me pasojë plagosjen e rëndë të një shtetasi. Për këtë ngjarje, viktima ka kryer dënimin nga viti 1997 deri në 2005-n në Burgun e Shënkollit në Lezhë. Tashmë pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore të personave të plagosur, me qëllim marrjen e dëshmive të tyre për zbardhjen sa më të shpejtë të krimit. Por, nga mënyra e ekzekutimit, mendohet se autori ka qenë profesionist. Gjithashtu, dëshmi të forta për hetimet kanë dhënë edhe rojet e sigurisë në Prokurorinë e Tiranës, të cilët kanë qenë pranë vendit të ngjarjes.