Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Piro Misha: Të hetohet abuzimi me fondet e librave

2012-01-27

Oliverta Lila (KERKO ...)

Botuesit i tremben sërish abuzimit me fondet publike për pasurimin e bibliotekave të shkollave dhe përzgjedhjen klienteliste të botuesve. Piro Misha, botues i IDK-së, bën thirrje për të garantuar transparencë në këtë proces

Ndërsa Ministria e Arsimit ka ftuar pak javë më parë botuesit të paraqesin propozimet e tyre për librat shkollorë dhe joshkollorë, një pjesë e tyre kanë filluar ta ndiejnë shqetësimin e abuzimit me listat. Ministria e Arsimit nuk bën të ditur detajet e mbledhjes së bordeve dhe nëse ka ndryshime në kriteret për shqyrtimin e propozimeve. Vitet e fundit, një proces i tillë është shoqëruar me akuza për përzgjedhje klienteliste. Kjo veçanërisht për sa i përket fondit publik për pasurimin e bibliotekave të shkollave. Shqetësimin e bëri publik gjatë 2011-s Shoqëria e Librit Shqip, duke denoncuar përqendrimin e këtij fondi në 3-4 botues, të cilët ata i konsideruan si më afër qeverisë, por edhe në tituj të sugjeruar nga MASH, botime nga emra të panjohur dhe që cenojnë vlerat artistike me të cilat duhet të ushqehen nxënësit shqiptarë. Ndërkohë që priten të hartohen listat e reja 2012-2013, Piro Misha, botues i Institutit të Dialogut e Komunikimit nuk e përjashton faktin që ky fenomen të përsëritet. “Për hir të së vërtetës, më duhet të them se pavarësisht nga mendimet e ndryshme që mund të ekzistojnë, në listat e vitit të shkuar pati një farë përmirësimi, ndonëse prapë vet anëtarët e komisionit pohonin se vazhdonin ndërhyrjet nga ana e disa nëpunësve të Ministrisë së Arsimit. Problemi qe se krahas listës së fundit, në të njëjtën kohë u lanë në fuqi dhe listat e viteve të mëparshme, që në një sërë rastesh qenë krejt absurde.

Problemi kryesor ndaj të cilit u reagua me forcë vjet, kishte të bënte me një tjetër dukuri që tashmë ka kohë që ka hedhur rrënjë të thella në këtë ministri. Fjala është për atë klientelizëm krejt abuziv e korruptiv që prej vitesh karakterizon procesin e përzgjedhjes të librave që shkojnë nëpër shkollat shqiptare. Pra, e thënë me fjalë të tjera, u bënë vite tashmë që në sistemin e Ministrisë së Arsimit janë katër apo pesë botues që marrin gjithçka, që nga tekstet e shkollave e deri tek blerjet publike për të furnizuar bibliotekat e shkollave. Kjo ka bërë që gjatë përzgjedhjes së bërë nga pjesa më e madhe e drejtorive arsimore, meraku s'ka qenë për të çuar tek nxënësit librat më të mirë, por si të përfitojë ky apo ai botues. Kjo ka sjellë një degradim të plotë të procesit dhe të vetë qëllimit të lavdërueshëm të qeverisë kur shpalli këtë projekt”, - shprehet Misha. Duke iu referuar vitin e shkuar vetëm listave të 3 rretheve, Mallakastrës, Librazhdit dhe Lezhës, Shoqëria e Librit Shqip shprehu hapur abuzimin me fondet dhe me vlerat e librave. Vet zoti Misha pati deklaruar se në lista gjenden autorë mediokër. Prandaj, ai kërkoi për këtë çështje hetim dhe vazhdon ta përsërisë. “Problem i këtij procesi është dëmi i madh dhe afatgjatë publik që sjell kjo dukuri, duke çuar tek nxënësit në mbarë Shqipërinë libra pa ndonjë vlerë, ndërkohë që përjashtohen të tjerë që kudo në botë përbëjnë bibliotekën e detyrueshme të shkollave apo përjashtohen autorët madhorë shqiptarë, për të futur nëpër shkolla lloj-lloj autorësh më se mediokër, ajo që të bie në sy është fakti se nga mënyra si veprojnë, shumë nga drejtoritë arsimore, kuptohet se aty ka njerëz që janë të bindur se çfarëdo që të bëjnë ata janë të paprekshëm, qoftë nga ligji, qoftë nga ministria përkatëse. Me këtë rast unë do të ftoja kryetarin e ri të Kontrollit të Shtetit, z. Leskaj, të nisë hetimet për shpërdorimet e mëdha me fondet publike që janë bërë gjatë viteve të shkuara nga ana e një sërë drejtorish arsimore. Padyshim që kjo do të përbënte një hap të sigurt për të kthyer sado pak një minimum përgjegjshmërie te këto hallka të administratës publike.

Nga ana tjetër, do ta ftoja zotin ministër, Myqerem Tafaj që kësaj here të marrë masat në kohë për të parandaluar degradimin e këtij procesi, që dora-dorës zbret poshtë nëpër hallkat e sistemit të arsimit tonë publik. Ta bëjë këtë në emër të rëndësisë së madhe që ka ky projekt për të ardhmen e kulturimit dhe arsimimit të brezave të ardhshëm, interes ky që duhet të mbizotërojë mbi çdo interes tjetër”, - përfundon Piro Misha.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.