Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Luiza Xhuvani : Aktori, derivat i logjikës dramaturgjike

2012-01-27

Ulkie Sinani (KERKO ...)

“Në kërkim të kujt!!!”

Cila është më e rëndësishme, ekzistenca fizike apo ajo morale? Ky është thelbi i Afërditës, një nga personazhet në serialin televiziv “Në kërkim të kujt!!!”, që interpretohet nga aktorja e mirënjohur Luiza Xhuvani. Ajo është mjeke dhe ka për detyrë të kthejë në jetë heroin e serialit, Mark Dobianin. Përveç kësaj, ajo shpërfaqet edhe në kontekstin njerëzor, ta kthejë atë në jetë edhe moralisht. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Xhuvani na tregon emocionet në sheshin e xhirimit dhe marrëdhëniet me aktorët e tjerë. Nuk e ka parë ende filmin, por mendon se “Në kërkim të kujt!!!”, përcjell një copë jetë nga Shqipëria. Seriali me regji të Gjergj Xhuvanit shfaqet këtë të diel, në ekranin e “Top Channel”.

Znj. Xhuvani, ju jeni pjesë e serialit “Në kërkim të kujt!!!” prodhuar nga “Top Channel”. Një film artistik mbi tranzicionin shqiptar. Si ka qenë bashkëpunimi juaj me regjisorin Gjergj Xhuvani?

Më bëhet shpesh kjo pyetje. Në çdo rast jam përgjigjur sinqerisht se bashkëpunimi im me Gjergjin është ai midis profesionistësh. Në këtë film, unë jam një nga shumë personazhet e këtij seriali dhe si e tillë, kam pasur vëmendjen dhe kujdesin nga i gjithë stafi krijues, ashtu si ndaj çdo personazhi tjetër. Fakti që ne vazhdojmë të punojmë bashkë është tregues se ky bashkëpunim funksionon.

Në film ju keni rolin e Afërditës. Kush është ky personazh dhe si jeni përshtatur me këtë rol?

Afërdita është mjekja që ndjek pacientin (heroin e këtij seriali) Mark Dobiani. Misioni i saj si mjeke është ta kthejë në jetë atë fizikisht. Për tej kësaj, ajo na shpërfaqet edhe në kontekstin njerëzor, përpjekja e saj për ta kthyer në jetë Markun edhe moralisht. Dhe është pikërisht beteja midis dëshirës dhe mundësisë që na shpërfaq gjithë potencialin e saj profesional dhe njerëzor. Këtu fillon thelbi i personazhit tim me një pikëpyetje shumë të madhe. Cila është më e rëndësishme, ekzistenca fizike apo ajo morale? Kuptoj që një njeri ka nevojë të jetojë, kjo është detyrë e çdo mjeku. Problemi im esencial është: Pse do jetojë? Dhe për cilën shoqëri njerëzore do të jetojë?

Ç’do të thotë për ju të interpretoni në një serial televiziv?

Për aktorin shqiptar, sot është fat të jetë pjesë e një filmi. Për mua është e para herë që marr pjesë në një serial televiziv. Por më duhet të them se logjika e punës si aktore ka qenë absolutisht e njëjtë me atë të një filmi kinemaje. Ndryshimet kanë të bëjnë me pjesën teknologjike të filmit, kohëzgjatjen e tij dhe formatin e shpërfaqjes, që ndryshe nga kinemaja ky serial do të jetë premierë në të gjitha familjet shqiptare.

Si i kujtoni ditët kur ishit në shesh-xhirim?

Çdo shesh xhirimi bëhet magjik, sepse bashkohen në të emocionet e të gjithë aktorëve pjesëmarrës, e regjisorit, operatorit, grimierit, asistentëve dhe gjithë grupit realizues të tij, të cilët përkushtohen për të marrë maksimumin e mundshëm profesional nga sheshi i xhirimit. Nuk do të mund të veçoja ndonjë moment, sepse çdo moment i tij ka qenë i veçantë e magjik. Mbi të gjitha unë vlerësoj teknicienët, të cilët lodhen për ne. Në një kolektiv krijues nuk ka as më të mirë e as më të keq. Të gjithë janë të përkushtuar. Nuk e di nga buron kjo magji, por në eksperiencën time aktoriale, ky film më dha një dashuri të madhe për kolegët.

Sipas jush, sa e vështirë është të realizosh sot një film artistik?

Unë gëzohem kur interpretoj dhe është fat sot që një sipërmarrje vizionare si ajo e “Top Channel” na krijon neve mundësinë të shpërfaqim vlerat tona intelektuale, emocionale dhe humane. Ky është një fat i madh.

Sa mendoni ju se “Në kërkim të kujt!!!” e përcjell realitetin shqiptar?

Ky serial përcjell një pjesë të këtij realiteti shqiptar. Të gjithë ne jemi publik i një tregu të keqpërdorur. Manipulohemi nga mëngjesi në darkë nga e pavërteta që vjen nëpërmjet mediave vizive dhe ato të shkruara. Kinemaja që unë i kam përkushtuar jetën nga filmi i parë e deri tek i fundit nuk ka pasur asnjë notë spekulative. Jo vetëm unë po shumë artistë gjejnë shpirtin e madh të artit për të shprehur të vërtetën ashtu siç është, e bukur apo e shëmtuar, por e ndershme. Mjerë ai që nuk e kupton forcën, ndershmërinë dhe të vërtetën që ajo përfaqëson.

Sipas jush, cilit zhanër i afrohet më shumë ky film?

Di të them se ky film është tregim i një copë jete në Shqipëri dhe ashtu si jeta është e mbushur me dhimbje, humor, ironi, sarkazëm, padrejtësi, ligësi e mirësi ashtu edhe ky film është sa social ashtu edhe psikologjik, sa dramatik ashtu edhe njerëzor, sa aksion ashtu edhe narrativ.

Ju jeni një aktore që keni interpretuar qoftë në teatër, qoftë në film një gamë të gjerë rolesh. Ku ndjeheni më mirë?

Ndjehem mirë në të dyja gjinitë. Vetë karriera ime profesionale është treguesi i kësaj. Ajo që më intrigon në pranimin e një pune është personazhi dhe jo gjinia. Megjithëse, siç e thashë edhe pak më parë, filmi sot është më i rrallë dhe si i tillë është më i kërkuar. Sepse kinemaja është arti viziv, është arti i kohës. Por ka vetëm një thelb “Ta bësh mirë”.

Si ka qenë bashkëpunimi juaj me aktorët e tjerë të serialit “Në kërkim të kujt!!!”?

Nuk ka rëndësi lloji i personazhit, karakteri i krijuar, ka vetëm një aksiomë. Të besosh në atë që bën? Ta duash kolegun ose personazhin përballë apo ta urresh? Të nervozohesh apo të qeshësh? Problemi thelbësor është ta besosh. Çfarë ndjen ti. Aktori në interpretim bën veprimin dramaturgjik. Në këtë film unë dua shumë Niko Kanxherin, në rolin e Markut, se ai më dhuron dhimbjen e tij. Dua Kastriot Çaushin, oficerin e policisë, se më jep dashuri. Unë jam aktore dhe aktori është derivat i logjikës dramaturgjike.

A e keni parë tashmë filmin apo do ta shikoni si publik i thjeshtë?

Jo, nuk e kam parë. Filmi është pronë e “Top Channel”, uroj të kem mundësi ta shoh si spektatore.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.