Ngritja e pasurisë së ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, është bërë objekt i hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka filluar një verifikim të plotë të të ardhurave të kunatit të saj, shtetasit Ervis Gjeçajt. Ky i fundit rezultoi bashkëpronar me Anxhelo Prudentinon, djalin e Albino Prudentinos, një nga krerët e klanit mafioz “Sacra Corona Unita”, i arrestuar disa ditë më parë në qytetin e Vlorës. Gjeçaj u thirr në prokurori si “person që ka dijeni për një vepër penale” dhe tregoi të gjithë rrjedhën e ngritjes së pasurisë, nga biznesi në vitin 1995 e deri në ditët e sotme, ndërsa përjashtoi mundësinë të ketë përfituar nga posti i Majlinda Bregut. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin e sekuestros për disa biznese të familjes Prudentino në Vlorë dhe Tiranë. Organi i prokurorisë ka zgjeruar rrethin e personave që i ka nën hetim për pastrim parash. Krahas Albino Prudentinos, nën hetim janë dhe i biri Anxhelo Prudentino dhe shtetasi shqiptar, Ervis Gjeçaj.
Grupi hetimor dyshon se blerja e aksioneve të italianit Albino Prudentino vetëm një ditë pasi ai u arrestua në Vlorë, e ka përfshirë automatikisht edhe shtetasin Ervis Gjeçaj në listën e personave që po hetohen për pastrim parash. “Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur njëkohësisht edhe hetimin e pasurive të Ervis Gjeçajt. Akuza e Vlorës dyshon se blerja aksioneve në datën 30 shtator dhe një ditë më pas, edhe kërkesa e Gjeçaj për zgjerim biznesi, hedhin dyshime për pastërtinë e bizneseve të tij”, thanë burimet nga akuza qendrore.
Megjithatë, sipas Ligjit të ri Antimafie, të gjithë personat që hetohen për pastrim parash, bëhen gjithashtu subjekt i hetimit pasuror nga grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda në Tiranë. Një nen i këtij ligji e shtrin hetimin mbi pasuritë edhe tek rrethi i ngushtë i të afërmve të personit nën hetim.
Sipas ligjit përfshihen nën hetim pasuror, përveç njerëzve të familjes edhe të afërm të tjerë, mes të cilëve edhe kunata e kunati. Akuza qendrore pohojnë se duke qenë se në këtë rreze të të afërmve ndodhet si kunatë edhe ministrja Majlinda Bregu, ajo nuk përjashtohet nga hetimi pasuror. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se imuniteti nuk është pengesë për të kryer hetimin pasuror ndaj zonjës Bregu, pasi nuk parashikohet në ligj.
Kunati i zonjës Bregu doli në dritë si blerës i aksioneve të bosit të “Sacra Corona Unita”, veprim i kryer nëpërmjet të birit Anxhelo Prudentinos, në kohën që po kryheshin verifikimet nëse italiani kishte apo jo prona në Shqipëri. Ajo që ka rezultuar deri më tani është fakti se italiani 59-vjeçar kishte biznese, por asnjë pronë. Vendimet për sekuestro të bizneseve të tij u ekzekutuan disa ditë pas arrestimit dhe në disa raste policia nuk gjeti asnjë objekt për të sekuestruar apo në disa raste, vetëm disa pajisje defektoze elektronike. Ndërkohë që vetë Prudentino nxitoi t’i shiste ato ende pa u vendosur sekuestro.
Burimet zyrtare nga akuza qendrore thanë se ndaj Albino dhe Anxhelo Prudentinos kanë nisur hetimet për pastrim parash dhe ata rezultojnë të kenë apo të kenë pasur në pronësi shoqëritë anonime “Betting System Albania”, “Bet Plus” dhe “Cassino Italia”. Prokuroria e Përgjithshme tha se përveç këtyre aktiviteteve po grumbullohen provat e mëtejshme ndaj personave të përfshirë në veprimtari të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe për identifikimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive të disponuara nga personat nën hetim apo lidhjet e tyre në zbatim të ligjit procedural penal dhe ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Disa ditë më parë, Krimet e Rënda verifikuan në terren pronat e familjes Prudentino dhe rezultoi se të gjitha godinat ku ushtronte aktivitetin në fushën e restoranteve dhe të lojërave të fatit i ka pasur me qira. Në qytetin e Vlorës, në emër të Prudentinos figuron një lokal i quajtur “Gelateria Piaza Italia”, dhe në të janë bllokuar vetëm pajisjet e lokalit, pasi ambienti nuk është i tij. E njëjta situatë ka ndodhur edhe me aktivitetin në ish-hotelin “Artur” në Tiranë, ku familja e Prudentinos do të ngrinte një kazino. Nga këqyrja e organit të prokurorisë ka rezultuar se në brendësi të objektit ishin vetëm disa televizorë plazma, të cilët janë bllokuar në një nga dhomat e resortit “Muza Park”. Njësia Antimafie në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka sekuestruar edhe të gjithë praktikën e kompanive sportive të familjes së Prudentinos, “Bet Plus” dhe “Betting System Albania”. Nga këqyrja e ambienteve të këtyre firmave ka rezultuar se të gjitha ambientet janë marrë me qira dhe asnjë prej tyre nuk figuron nën pronësinë e familjes Prudentino.

© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.