Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

26 Maj 2013

Sa kushton në të vërtetë litri?

2011-04-26

Ard Kola (KERKO ...)

Karburantet

Llogaritjet nxjerrin që te nafta dhe benzina “fitohet” 10 lekë më shumë

Kostoja e lartë e karburanteve në vend përbën aktualisht shqetësimin kryesor, sidomos te bizneset. Debati mbi rritjen e naftës dhe benzinës merr përmasa të konsiderueshme në ato raste kur ndryshimi nuk përputhet me tregjet e tjera, jashtë vendit, dhe kur tregtarët e mbajnë të lartë normën, edhe pse në bursa ndodh e kundërta. Shoqata e Hidrokarbureve është shprehur disa herë se çmimi i karburanteve diktohet tërësisht nga bursat, si dhe nga politika fiskale që aplikon qeveria. Dje, një litër naftë është shitur (në Tiranë) për 176 lekë, kurse një litër benzinë për rreth 178 lekë, e në disa pika edhe 180 lekë.

Po sa kushton në të vërtetë një litër karburant në vendin tonë, ose më saktë cila është kostoja reale, në rast se i llogarisim të gjitha elementët që japin çmimin final të saj? Importuesit fajësojnë taksat e qeverisë, si dhe disa udhëzime që kanë ndikuar në “bllokimin” e liberalizimit të çmimeve, si dhe bursat, që për hir të së vërtetës e kanë shitur “arin e zi” shumë më shtrenjtë, se një vit më parë.

Gazeta “Shqip” ka llogaritur kostot reale të karburantit që importohet në vend, duke përfshirë taksat, kursin e këmbimit dhe tarifat. Rezultati del se të paktën për çdo litër karburant, “fitimi i padrejtë” është 10 lekë. Taksat zënë peshën kryesore, gati 100 për qind të vlerës, por problemi qëndron te norma e fitimit, që vetë importuesit thonë se nuk është më shumë se 3 për qind, por që në fakt rezulton e kundërta.

Benzina

Nënprodukti i naftës, benzina, ofrohet në treg me çmim më të lartë, për shkak të standardit me cilësinë, por jo vetëm kaq. Duke iu referuar bursës së Milanos, ku vetë importuesit e marrin për bazë, 1 ton benzinë (95 RON) kushton 1105 dollarë. Duke i shtuar edhe rreth 50 dollarë për ton, ku futet çmimi i rafinerisë, transporti, siguracioni, shkarkimi (CIF), del se në doganën shqiptare, 1 ton benzinë kushton 1155 dollarë (Këtu duhet marrë parasysh çmimi i referencës që aplikon dogana, i cili mund jetë 10 dollarë më shumë ose më pak). Duke qenë se 1 ton benzinë zë afërsisht 1340 litra dhe me kursin e këmbimit 1 USD/97.22 lekë, kostoja për litër në doganë kushton 84 lekë.

Pas kësaj llogariten taksat që subjekti duhet të paguajë në doganë. E para, llogaritet akciza, që është fikse, 37 lekë për litër. Duke i shtuar këtë vlerë, benzina arrin në 121 lekë për litër dhe më pas llogaritet TVSH-ja, 20 për qind, ku me llogaritjet e bëra e nxjerr benzinën me kostot 145 lekë litri. Duke i shtuar edhe 1.5 lekë/litri taksë mjedisi, rezulton një kosto finale prej 146.5 lekësh për litër.

Faza e tretë e llogaritjes përfshin normat e fitimit, që për shoqëritë e shumicës është rreth 4.5 lekë/litër. Këtu benzina, me çmim shumice shkon në 151 lekë/litër. Fitimi i tregtarëve të vegjël (pakica) vlerësohet të jetë jo më shumë se 18 lekë për çdo litër të shitur (për shkak të firove të larta nga avullimi, etj., si dhe për shkak të kërkesës së ulët për benzinë; marzhi është më i lartë se nafta). Duke llogaritur edhe fitimin e pakicës, rezulton që çmimi i benzinës në treg duhet të jetë jo më shumë se 169 lekë/litër. Sot benzina shitet me të paktën 178 lekë për litër, e madje në disa pika arrin në 180 lekë.

Nafta

Skema që u ndoq me nxjerrjen e çmimit real të benzinës është e njëjtë edhe me naftën. Të dhënat ndryshojnë në disa raste, si në tarifën e mjedisit, ku nafta e ka më të lartë, me sasinë e litrave në ton, apo me vetë çmimin në bursë. Në bursën e Milanos, 1 ton naftë (diezel 10 ppm) kushton 1037 dollarë. Duke i llogaritur 50 dollarët e transportit, rafinerisë, pastaj veprimet me sasinë në litra, kursin e këmbimit, del se në doganë 1 litër naftë mbërrin me 97.22 lekë. Pasi i shtojmë akcizën 37 lekë dhe vlerësimin e TVSH-së 20 për qind, dhe 3 lekë tarifën e mjedisit, nafta arrin vlerën e 153 lekë për litër. Bashkë me normat e fitimit, 3 lekë shumica dhe 10-12 lekë pakica, çmimi final i shitjes në pikat e karburantit duhet të shkojë në 166-168 lekë/litër. Sot nafta shitet me të paktën 175 lekë për litër (e gjen edhe 179 lekë).

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.