Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

17 Maj 2012

“Mbrojtja” e gjykatës për gardistët nën hetim

2012-02-22

Vendimi për Llupon

Gjykata “modifikon” ngjarjen e 21 janarit: Demonstruesit pushtuan Kryeministrinë, dëmtuan Prendin, neutralizuan gardistët

Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin për mbajtjen në qeli të gardistit Agim Llupo. Ndryshe nga Prokuroria, që e cilëson përdorimin e armëve të zjarrit si të panevojshme në drejtim të turmës, gjyqtari nuk e përmend një fakt të tillë. Në arsyetimin e vendimit thuhet ndër të tjera se, “protestuesit neutralizuan gardistët” apo “gardistët pushtuan Kryeministrinë”. Madje, përmendet edhe dëmtimi i Ndrea Prendit, komandanti e Gardës më 21 janar 2011, në një kohë që Prokuroria ende nuk ka saktësuar mënyrën e dëmtimit të tij. “Në datën 21.01.2011, Partia Socialiste ka njoftuar zhvillimin e një demonstrate, duke marrë leje. Ky subjekt më parë kishte njoftuar për kalimin e stadit të ‘tubimit’ nga ‘protestë’ në ‘demonstratë’. Rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e forcave të Policisë së Shtetit si dhe atyre të Gardës së Republikës, gjatë veprimeve që këta të fundit kryenin për ruajtjen e godinës së Kryeministrisë; po kështu pas përfundimit të demonstratës ka rezultuar se kanë mbetur të vrarë tre demonstrues e pikërisht shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Hekuran Deda, ndërsa disa ditë më vonë ka vdekur në spital (në Turqi) shtetasi Aleks Nika”, - pohon gjykata, duke vënë në plan të dytë vrasjet dhe në plan të parë sulmin me gurë ndaj Kryeministrisë.

Vendimi i gjykatës vijon se, nga provat e administruara gjatë hetimit edhe nga transmetimet direkte që kanë bërë televizionet (filmimet e sekuestruara) është provuar qartësisht dhe pa asnjë ekuivok, se nga ana e demonstruesve fillimisht është ushtruar dhunë intensive me mjete të forta si shkopinj prej druri apo gurë ndaj forcave të Policisë së Shtetit. Në këtë kohë, vijon gjykata, forcat e Gardës së Republikës kanë qenë brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë dhe për sa kohë që demonstruesit nuk janë futur brenda rrethimit, nuk kanë ndërhyrë dhe nuk kanë kryer asnjë veprim. “Demonstruesit, pasi kanë arritur që të thyejnë dhe të mposhtin rreshtat e forcave të Policisë së Shtetit, kanë tentuar që të hyjnë forcërisht brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë. Nga ana e forcave të Gardës së Republikës është paralajmëruar me megafon, por demonstruesit kanë filluar që të qëllojnë në mënyrë intensive me gurë, duke u futur pjesërisht në territorin brenda gardhit të Kryeministrisë. Sulmet e demonstruesve me gurë ndaj forcave të Gardës kanë zgjatur për një kohë jo të shkurtër. Kjo provohet edhe nga proces-verbalet e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Me përshkallëzimin e dhunës nga ana e demonstruesve, të cilët kanë arritur edhe të futen brenda rrethimit dhe të neutralizojnë për pak çaste forcat e Gardës, duke kontrolluar një pjesë të terrenit apo duke ngritur flamur të bardhë e veprime të tjera. Si kanë tentuar të avancojnë (demonstruesit) në drejtim të hyrjes së Kryeministrisë, nga ana e forcave të Gardës, pas paralajmërimeve me megafon është filluar që të qëllohet në ajër. Vazhdimisht nga disa demonstrues është qëlluar me gurë dhe mjete forta ndaj forcave të Gardës, duke u shkaktuar atyre dëmtime jo të vogla, përfshi dhe komandantin e Gardës, personin nën hetim Ndrea Prendi, i cili është dëmtuar me mjete të forta me intensitet goditjeje të madhe, në sy. Gjithashtu, nga ana e demonstruesve është sulmuar me anë të një autoveture, e cila ka marrë vrull në drejtim të forcave të Gardës, por ajo është penguar vetëm nga aktivizimi i urës metalike që ndodhej në oborrin e Kryeministrisë”, - arsyeton gjykata, duke bërë “mbrojtjen” e parë ndaj gardistëve nën hetim.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.