Edhe pse kanë kaluar nëntë vjet nga "14 shtatori" i vitit 1998, kur ceremonia e varrimit të deputetit të vrarë të PD-së, Azem Hajdari, u shndërrua në sulm kundër institucioneve të shtetit, të cilat u pushtuan brenda dy orësh, asnjë prej 25 të akuzuarve nuk ndodhet në qeli. Aktualisht, në Gjykatën e Tiranës po zhvillohen tri procese gjyqësore kundër "kryengritësve", "badigardëve" dhe "gazetarëve". Zvarritja e çështjes nga ana e gjykatës dhe prokurorisë bëri që ndaj të tri grupeve të të pandehurve, të skadonin afatet e paraburgimit dhe të gjithë të përfundonin të lirë (me përjashtim të Izet Haxhisë, i cili ndodhet në burgjet turke për një çështje tjetër). Kështu, të parët që e fituan lirinë ishin "gazetarët" më pas "kryengritësit" dhe të fundit "badigardët".
Shtyrja e seancave
Aktualisht, në Gjykatën e Tiranës ndodhen 25 persona të akuzuar për kryengritjen e 14 shtatorit të vitit 1998. Në një hark kohor prej gjashtë vjetësh drejtësia shqiptare nuk ka mundur t\i japë zgjidhje kalvarit të gjatë të proceseve gjyqësore, duke sjellë edhe lirimin e të gjithë të pandehurve. Kjo ka ndodhur edhe pse ata janë të akuzuar për një vepër penale që parashikon dënimin jo me pak se 15 vjet burg dhe që shkon deri në maksimumin "burg përjetë". Që prej më tepër se gjashtë vjetësh çështjet në ngarkim të tre grupeve të të akuzuarve për "14 shtatorin" ndodhen në duart e gjyqtarëve të kryeqytetit, ndërsa prej katër vitesh nuk është zhvilluar asnjë seancë në ngarkim të tyre. Mbi 5000 seanca gjyqësore janë zhvilluar, duke mos gjetur fajtorët e kryengritjes. Sipas gjykatës, në grupin e parë bëjnë pjesë të pandehurit gazetarë e ish-gazetarë: Alfons Zeneli, Antoneta Malaj, Dritan Zhgjeçi, Edmond Ymeri, Elvis Kamberi, Eqerem Spahia, Frrok Gjini, Ilir Zhilla dhe Sali Shehu. Ata gjykohen nga gjyqtari Arben Micko. Për këtë grup gjykata ka kërkuar që të shikohen disa pamje filmike, të cilat janë sekuestruar pas revoltës. Megjithëse në pamjet filmike duken qartë edhe protagonistët, ende gjykata ka shtyrë seancat gjyqësore. Në grupin e dytë, të quajtur "kryengritësit" bëjnë pjesë të pandehurit: Avni Metalija, Bajram Hidri, Bajram Martini, Cen Doçi, Gëzim Qordja, Hysni Gjyriqi, Muharrem Boshnjaku, Qamil Byberi, Sokol Gashi dhe Uk Celkola. Grupi gjykohet nga gjyqtari Artan Broci. Aktualisht, procesi është në fazën e dëshmive. Në grupin e tretë bëjnë pjesë ish-badigardët: Adem Dollapi, Izet Haxhia, Kliton Dobrani, Myftar Lumneshi dhe Sali Lusha. Këta gjykohen nga gjyqtari Gjin Gjoni. Edhe në këtë grup gjykimi është në fazën e dëshmive.
Gjykimi për kryengritje
Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë tri dosje për "14 shtatorin" me 25 të pandehur. Ata akuzohen për "kryengritje". Sipas nenit 221: "Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndaluar forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me force i ndërtesave... krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet". Ndërsa marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, të vetmit viktima të "drejtësisë" ndaj kësaj ngjarjeje ishin tankistët e ushtarët e Gardës, për të cilët gjykata mbaroi procesin në kohë rekord e akordoi dënime nga disa muaj deri në më shumë se pesë vjet heqje lirie.
Ngjarja
Kryengritja, pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari
Më 14 shtator 1998, dy ditë pas vrasjes se deputetit të PD-së, Azem Hajdari, gjatë ceremonisë së tij mortore, turma të irrituara njerëzish, të drejtuar nga kupola e opozitës së asaj kohe, sulmuan ndërtesën e Kryeministrisë dhe disa godina të tjera qeveritare. Ata qëlluan me armë ndaj ushtarëve të Gardës dhe më pas plaçkitën e u vunë zjarrin ndërtesave qeveritare. Ngjarjet e dhunshme u konsideruan nga qeveria, por edhe nga faktori ndërkombëtar si përpjekje për kryengritje të armatosur, por kjo
gjë nuk u provua asnjëherë me një vendim gjykate. Më 14 shtator 1998, Azem Hajdari së bashku me badigardin e tij, Besim Çerja, përcillen për në banesën e fundit nga qindra simpatizantë të Partisë Demokratike. Para se të bëhej ceremonia, simpatizantët drejtohen me arkivol drejt godinës së qeverisë dhe Tirana fillon të digjet.
Një nga pjesëmarrësit e revoltës së 9 viteve më parë flet për gazetën "Shqip"
Sali Shehu: Më 14 shtator \98 s\ka pasur grusht shteti
Një nga ish-pjesëmarrësit në revoltën e 14 shtatorit më 1998-ën, Sali Shehu, tregon për gazetën "Shqip" ngjarjet e asaj dite duke i vlerësuar si të drejta, pasi demokratët kishin humbur liderin e ideve të tyre. Reagimin e turmës atë ditë z. Shehu nuk e vlerëson aspak si një grusht shteti, por si një revoltë e cila i kishte rrënjët në dhimbje. Gjithashtu, z. Shehu e vlerëson të padrejtë burgosjen e tij dhe të mjaft demokratëve të tjerë duke e cilësuar atë si një skenar i qëllimshëm i përgatitur nga partia e atëhershme në pushtet.
Z. Shehu, pas 9 viteve, cili është komenti juaj për ngjarjen e 14 shtatorit. Si e gjykoni sot atë revoltë?
14 shtatori ishte një revoltë e arsyeshme popullore e një masivi njerëzish, të cilët kishin humbur njeriun e idealeve të dhjetorit, njeriun që solli pluralizmin në Shqipëri, tashmë qytetarin e nderit të të gjitha qyteteve të Shqipërisë, Azem Hajdari. Natyrisht, kjo e parë në këndvështrime të ndryshme ka edhe interpretime të ndryshme për atë ngjarje, por unë mbroj idenë se lëvizja e asaj dite ishte një lëvizje, që psikologjikisht, është zhvilluar në shumë vende për ngjarje të tilla në përmasa të kësaj natyre. Pushteti i kohës, përmes prokurorit, e cila fatkeqësisht ishte si një repart i PS u sul mbi protestuesit duke marrë masa represive mjaft të rënda, pasojë e së cilës kanë qenë shumë njerëz që vuajtën në burgje për më shumë se një vit. Sot njerëzit e përkujtojnë Azem Hajdarin dhe ngjarjet e asaj dite do të mbeten në memorien e shqiptarëve për vite me radhë.
A e vlerësoni atë reagim të turmës si një grusht shteti duke pasur parasysh mënyra sesi u morën institucionet shtetërore?
Grushti i shtetit është një vepër penale, elementët e së cilës nuk kanë lidhje fare me ngjarjet e asaj dite. Qëllimi i mbledhjes së njerëzve ishte shkaku i mungesës së njeriut të idealeve të Dhjetorit, Azem Hajdari. Ndërsa rasti i grushtit të shtetit që jo pak politikanë dhe juristë janë munduar ta formulojnë si të tillë kërkon një përgatitje të zjarrtë, kërkon një grup njerëzish me një qëllim të caktuar, kërkon një platformë të caktuar për rrëzimin e pushtetit, kërkon elementë ushtarakë, të cilët aspak nuk kanë qenë pjesë e revoltës popullore të datës 14 shtator.
Si mendoni, cili ishte shkaku i gjykimit tuaj dhe i një grupi tjetër personash të cilët u mbajtën në burg për gati një vit?
Unë, fatmirësisht e ndiej veten krenar, për pjesëmarrjen atë ditë
në varrimin e liderit të dhjetorit dhe mikut tim, Azem Hajdari. Unë kam qenë te PD-ja, më pas kam marrë pjesë në varrimin që u bë në Sharrë. Me sa duket për segmente të caktuar të pushtetit të djeshëm, kërkonin që të nxirrnin përmes kësaj ngjarjeje hakmarrjet personale, ndaj meje. Për shkak se nuk u vinte mirë se në mars të vitit \97 unë kisha qëndruar në krye të detyrës duke mbrojtur institucionet dhe kryeqytetin e vendit. Gjë e cila prishi zinxhirin e kryengritjes së armatosur të \97-ës. Kryengritje, e cila largoi PD-në me dhunë nga pushteti. Unë kam shkuar në shtëpi me makinat e policisë atë dite dhe pas disa ditësh më thirrën që kemi sqarime dhe më mbajtën 13 muaj në Burgun 313. Kështu kanë qëndruar dhe mjaft demokratë të tjerë.
Në Gjykatën e Tiranës gjykohen ende 25 të dyshuar për kryengritjen. Të gjithë në liri, asnjë në burg
Grupi 1
Gazetarët
Alfons Zeneli
Antoneta Malaj
Dritan Zhgjeçi
Edmond Ymeri
Elvis Kamberi
Eqerem Spahia
Frrok Gjini
Ilir Zhilla
Sali Shehu
Grupi 2
kryengritësit
Avni Metalija
Bajram Hidri
Bajram Martini
Cen Doçi
Gëzim Qordja
Hysni Gjyriqi
Muharrem Boshnjaku
Qamil Byberi
Sokol Gashi
Uk Celkola
Grupi 3:
Ish-badigardët
Adem Dollapi
Izet Haxhia
Kliton Dobrani
Myftar Lumneshi
Sali Lusha
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.