Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

25 Maj 2013

Trafikantët hapin zjarr ndaj policisë

2012-01-27

Engjëll Serjani (KERKO ...)

Gjirokastër, pas 30 minutash “luftë”, kaluan kufirin duke lënë pas drogën dhe armët

Sekuestrohen 150 kg marijuanë në kufi me Greqinë, trafikantët shkëmbejnë zjarr me forcat e policisë dhe arrijnë të fshihen në pyll. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se, mëngjesin e djeshëm u zhvillua operacioni antidrogë i koduar “Akulli”, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 150 kilogramë marijuanë, tre armë zjarri pistoletë të tipit “TT” e “Zastava”, ndërkohë që u shpallën në kërkim gjashtë persona si autorë të trafikut të lëndës narkotike.

“Operacioni është zhvilluar rreth orës 03:00 të së enjtes në pyllin e Katundës, mbi fshatin Shën Nikolla (Dritë) të Komunës Dropulli i Sipërm, në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë. Një grup personash të armatosur po transportonin disa çanta shpine të mëdha që dyshohet se ishin të mbushura me lëndë narkotike që trafikohej për në Greqi”, - thuhet në njoftimin zyrtar të policisë për ngjarjen.

Menjëherë sapo kanë evidentuar vendndodhjen e saktë të gjashtë trafikantëve, patrullat e policisë janë afruar në një distancë rreth 100 metra dhe u kanë bërë thirrje të ndalojnë. Por trafikantët nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tyre. Të ndodhur në këto kushte, policët janë kundërpërgjigjur me goditje në ajër, me qëllim neutralizimin e tyre. Grupi i trafikantëve ka vazhduar duke qëlluar përreth 30 minuta në drejtim të policisë dhe njëkohësisht duke lëvizur me shpejtësi në drejtim të kufirit grek. Specialistët e Narkotikëve kanë vijuar ndjekjen e tyre dhe kanë  kërkuar ndihmën e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës si dhe të homologëve të policisë greke të Janinës. Më pas trafikantët kanë hedhur armët e zjarrit si dhe çantat me lëndë narkotike dhe janë futur në territorin grek, duke përfituar nga errësira, pylli i dendur dhe terreni mjaft i vështirë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër çanta të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të hedhura në vende të ndryshme në mes të shkurreve si dhe tre pistoleta, dy prej të cilave të tipit “TT” dhe një e tipit “Zastava”. Në katër çantat u evidentuan 125 pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte rreth 150 kilogramë lëndë narkotike marijuanë. Policia po vijon punën për kapjen e trafikantëve, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.

Ndërkohë, në Berat, policia lokale ka sekuestruar një kilogram lëndë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë, ndërkohë që ranë në pranga tre persona. Burimet zyrtare pohuan se mbrëmjen e së mërkurës u bë ndalimi i Elton Koxhaj, 39 vjeç, banues në qytetin e Poliçanit, Alket Baholli, 36 vjeç, banues në fshatin Vërtop në rrethin e Beratit, Besnik Sali, 29 vjeç, banues në fshatin Fushë-Peshtan. Në banesën e këtij të fundit, policia gjeti edhe 19 copë fishekë luftarakë model 54, dhe tre metra linearë fitil zjarrpërcjellës.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.