Presidenti i Ekuadorit: Assange e ktheu ambasadën tonë në qendër spiunazhi!

Pasi e akuzuan se përdori macen e tij për të spiunuar zyrtarët në ambasadë, të tjera akuza edhe më të rënda janë bërë sot në drejtim të themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.

Vetë Presidenti i Ekuadorit e ka akuzuar Assange se ka përdorur ambasadën e këtij vendi në Londër si “qendër spiunazhi”.

Lenin Moreno tha gjithashtu se asnjë shtet tjetër nuk ka ndikuar në vendimin për t’i revokuar azilin, por gjithçka ka ardhur si pasojë e shkeljeve nga vetë Assange.

Duke folur për “The Guardian”, presidenti Moreno pretendon madje se ish-qeveria e Ekuadorit i ka ofruar ambiente brenda Ambasadës “për të ndërhyrë” në çështje të shteteve të tjera.

Për vendimin e tij rreth qëndrimit të Assange në ambasadë, Moreno është shprehur: “Çdo përpjekje për destabilizim është veprim i dënueshëm nga Ekuadori, sepse ne jemi shteti sovran dhe i respektueshëm në politikën e secilit vend”.

“Nuk mund të lejojmë që shtëpia jonë, shtëpia që i hapi dyert, të bëhet qendër e spiunazhit”, thekson ai.

Presidenti adresoi edhe çështjen e mungesës së higjienës tek Assange, pas pretendimeve të ngritura nga ministrja e Brendshme e Ekuadorit, Maria Paula Romo. Por kjo është cilësuar e tepërt nga mbrojtja e Assange, që përfaqësohet nga avokatja Jennifer Robinson.

“Mendoj se, gjëja e parë që duhet thënë është se Ekuadori po ngre pretendime mizore gjatë ditëve të fundit, për të justifikuar diçka të paligjshme dhe vendimin e jashtëzakonshëm për të lejuar policinë britanike të futët brenda një Ambasade”, tha avokatja.

Leave A Reply

Your email address will not be published.