Ashpërsohet lufta për Tripolin në Libi

Numri i viktimave në luftimet përreth kryeqytetit libian, Tripoli u dyfishua gjatë fundjavës. Më shumë se 120 vetë kanë humbur jetën në këto luftime. Bashkimi Europian tërhoqi punonjësit e tij nga Libia.

Në luftimet përreth kryeqytetit libian, Tripoli kanë humbur jetën të paktën 121 vetë, ka bërë të ditur, Organizata Botërore e Shëndetësisë. 561 vetë janë plagosur nga 4 prilli, koha kur shpërtheu konflikti i armatosur. OBSH bëri të ditur, se do të ofrojë ndihmë mjekësore dhe do të nisë punonjës të tjerë në Tripoli, por shpreh shqetësimin, se puna e saj pengohet. Kjo organizatë dënoi „sulmet e përsëritura” ndaj ndihmësve dhe urgjencave të shpëtimit në kryeqytetin libian.

Për shkak të luftimeve të ashpra, Bashkimi Europian i tërhoqi punonjësit e misionit ndërkombëtar të sigurimit të kufijve, EUBAM dhe i dërgoi në Tunizi. E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini u drejtoi së fundmi thirrje trupave në lindje të Libisë të gjeneralit Khalifa Haftari të ndërpresin operacionet ushtarake dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve nën drejtimin e OKB-së.

Leave A Reply

Your email address will not be published.