Arbitral dhe arbitrar

Adrian Beshaj

Në të folurën e përditshme ndodh të ngatërrohen nga pakujdesia edhe mbiemrat “arbitral” dhe “arbitrar”. Rrënja e këtyre dy mbiemrave është “arbitër” që rrjedh nga latinishtja “arbitriu-m” dhe që përkufizon aftësinë për të gjykuar dhe ushtruar lirisht zgjedhjet dhe dëshirën tënde. Do të thotë gjithashtu autoritet absolut. Me “arbitër” përkufizohet edhe një akt abuziv dhe i paligjshëm. Në sport “arbitri” është zyrtari i garës, që është i ngarkuar të kërkojë respektimin e rregullave, të sanksionojë shkeljet, faullat dhe të bëjë të vlefshëm rezultatin përfundimtar.

Por cili është ndryshimi midis “arbitral” dhe “arbitrar”? Mbiemri “arbitral” ose “arbitror” tregon një trupë që përbëhet nga arbitra, si për shembull “komision arbitror” apo “treshja arbitrore”. Në drejtësi “klauzolë arbitrore apo arbitrale” është ajo me të cilën palët angazhohen t’ia nënshtrojnë përbërjen e mundshme të mosmarrëveshjeve gjykimit të arbitrave. Ndërsa “arbitrar” do të thotë se caktohet rastësisht, se bëhet sipas dëshirës dhe tekave të dikujt. “Arbitrar” është veprimi i dikujt të punon në kokë të vet, pa përfillur ligjet dhe rregullat, si për shembull: vendim arbitrar, shenjë arbitrare.

Vendimi apo veprimi arbitrar është i pajustifikuar dhe abuziv. Nga ky mbiemër rrjedh emri “arbitraritet” që do të thotë zgjidhje e çështjeve pa përfillur ligjet dhe rregullat. Pjesë të kësaj familjeje fjalësh janë edhe emrat “arbitrim” që ka kuptimin e foljes “arbitroj” dhe “arbitrazh” që është një organ i posaçëm që merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me karakter ekonomik, financiar etj. Prej mbiemrit “arbitrar” rrjedh edhe ndajfolja “arbitrarisht” që do të thotë abuzivisht, në kokë të vet, si për shembull: vendosi arbitrarisht.

Prandaj, duhet të bëjmë kujdes kur i përdorim këta dy mbiemra, sidomos ata që komentojnë në radio dhe televizion garat sportive, dhe të themi “arbitror” ose “arbitral” kur i referohemi arbitrave, pra zyrtarëve të një gare, dhe “arbitrar” kur duam të shënjojmë një vendim apo veprim “arbitrar”, pra abuziv, të pajustifikuar, të marrë apo të bërë në kokë të vet pa respektuar rregullat dhe ligjet.

Leave A Reply

Your email address will not be published.