Partizani drejt titullit, derbin e bregdetit e fiton Flamurtari

Pas fitores së Kukësit në Laç, është kundërpërgjigjur edhe Partizani, që triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Skënderbeut, në “Selman Stërmasi” dhe arriti të ruajë distancën +9 pikë nga verilindorët.

Të kuqtë e Skënder Gegës u rikthyen në “Selman Stërmasi”, aty ku të shtunën u mposhtën me rezultatin 1-3 nga Luftëtari, por këtë herë ndaj korçarëve, kishin një tjetër qasje në fushë.

Me grintë dhe shumë dëshirë për të fituar, skuadra e gegës gjeti fillimisht golin me qendërmbrojtësin Lum Rexhepi, por arbitri e anuloi pasi pa një parregullsi në zonë.

Megjithatë vetëm pak minuta më vonë, ishte Egzon Belica, që devijoi “pa dashje” një top të ardhur nga këndi dhe e dërgoi në rrjetën e portës së Dajsinanit.

Goli i qetësisë për Partizanin erdhi në pjesën e dytë, kur Trashi “vodhi” një 11-metërsh në zonë, të cilin e ekzekutoi saktësisht sulmuesi Jasir Asani, duke mposhtur për herë të dytë Dajsinanin.

Nga ana tjetër, korçarët e Orges Shehit, ndonëse kishin më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur, nuk bënë mjaftueshëm për të shmangur humbjen e sotme në kryeqytet, ndërkohë që kanë komplikuar rrugën për një vend në kupat e Europës.

Vazhdon “agjërimi” për Teutën, që përkundër pritshmërive, sot pësoi humbjen e radhës, në transfertën vlonjate ndaj Flamurtarit. Të besuarit e Ilir Dajës arritën të triumfojnë 3-1, në një sfidë që u bë e lehtë me golin e Andi Ribajt që në minutën e dytë. Më pas në fillim të pjesës së dytë, ishte sulmuesi tjetër i Flamurtarit, vlonjati Xhevahir Sukaj, që shënoi edhe golin e dytë në portën e Hidit.

Teuta u mundua të reagojë dhe rihapi takimin në minutën e 65-të me anë të Boubakar, por në minutën e parë shtesë u akordua një 11-metërsh për Flamurtarin, të cilin Batha e shndërroi në gol.

Me këtë fitore, Flamurtari ngjitet në vendin e tretë, me 44 pikë, një më tepër se Teuta dhe 3 më shumë se Laçi, dy skuadra të tjera që garojnë për një vend në kupat e Europës.

Comments are closed.